Kulturë

Punëtoria e filigranit, që synon ruajtjen e këtij artizanati në Prizren

Gjenerata e dytë e Punëtorisë së filigranit në Prizren, prej të mërkurës, ka filluar të njihet me sekretet e këtij artizanati të moçëm. Rreth 30 pjesëmarrës, kryesisht të rinj, për 8 muaj do të trajnohen nga mjeshtërit me përvojë të filigranit, të cilët kanë ruajtur me fanatizëm vlerat e këtij artizanati.

Drejtoresha e Turizmit në Komunën e Prizrenit, Sevil Kazaz, ka theksuar se në kuadër të projektit për rikthimin e zejeve të vjetra tradicionale për herë të dytë zhvillohet punëtoria e filigranit në këtë qytet.

"Kurset i kemi nis sot dhe 30 veta do të marrin pjesë. Kurset do të vazhdojnë tetë muaj dhe në fund personat që do të aftësohen në këtë zanat do të mund të hapin bizneset e tyre. Kjo do të ndikojë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në qytetin tonë”, ka thënë Kazaz.

Njëri prej pjesëmarrësve të kësaj punëtorie sivjet është edhe i riu nga Prishtina, Valdrin Sopi, që ka aplikuar online. Ai pohon se zejet e vjetra në Kosovë janë duke u shuar dita-ditës dhe se të rinjtë me angazhim në artizanale mund të krijojnë të ardhura për vete.

“Sot kam vendos që të filloj një hobi, një pasion, që do ta shpreh ose ti paraqes ndjenjat e mia dhe mënyrat e artit personal e vetanak te njerëzit tjerë”, është shprehur Sopi.

Ndërsa menaxheri i grupit të mjeshtërve të vjetër të filigranit, Faik Bamja, ka theksuar se këto kurse paraqesin një uverturë për hapjen e shkollës së mesme profesionale të filigranit.

“Pasi Prizreni njihet për artizanatin e filigranit, po mundohemi që ta ruajmë dhe ta vazhdojmë traditën. Ka të rinj që kanë ardhë për të mësuar dhe besojmë se ata pas aftësimit do të vazhdojnë traditën tonë”, ka thënë Bamja.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se në fillim të shekullit XIX,, Prizreni ka pasur 160 zeje të ndryshme, derisa momentalisht janë vetëm 20 sosh.


“Një nga zotimet tona ka qenë që të ruajmë trashëgiminë kulturore. Trashëgimia kulturore nuk do të thotë vetëm ndërtesat, por edhe filigrani e zejet e vjetra të Prizrenit dhe trashëgimia shpirtërore e Prizrenit, dhe filigrani është njëra nga to”, ka thënë Haskuka.

Komuna e Prizrenit ka paralajmëruar edhe hapjen e Muzeut të Filigranit në Prizren.