“Çka shkruajnë emrat e parë të prozës së mirëfilltë artistike? Çfarë idesh, mendimesh, bindjesh shfaqen në veprat e tyre? Si e ndërtojnë të rrëfyerit? Çfarë njerëzish gjejmë në krijimet e tyre artistike?”, janë disa prej pyetjeve që zbërthen Gëzim Aliu në veprën e tij “Proza shqipe e viteve 1920-1944”. Te njëmbëdhjetë shkrimtarë që i merr në shqyrtim, Aliu gjen autorin e nënkuptuar, kur personazhi fiktiv flet me gjuhën e atij real
Shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Gëzim Aliu, ka analizuar në detaje prozën shqipe të pjesës së parë të shekullit të kaluar. Në librin “Proza shqipe e viteve 1920-1944”, Aliu ka studiuar prozën e Ernest Koliqit, Migjenit, Mitrush Kutelit, Sterjo Spasses, Vedat Kokonës, Haki Stërmillit, Faik Konicës, Musine Kokalarit, Petro Markos, Foqion Postolit dhe Mustafa Greblleshit.
Në veprën e promovuar të enjten në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Aliu, sipas studiuesve të tjerë, ka sjellë risi në trajtimin e prozës shqipe sa i përket kohës në të cilën është fokusuar.
Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se e veçanta më e dallueshme e kësaj monografie është risimtaria e saj, parë në një kontekst më të gjerë prurjesh studimore lidhur me periudhën që trajtohet.
“Pa dyshim kjo ka të bëjë me aspekte narratologjike, në rend të parë me autorin e nënkuptuar, si një version i autorit real, i cili nuk zbulohet nga të dhënat e tij biografike, por nga struktura e veprës së tij, i cili formësohet a zbulohet në receptimin tërësor estetik që lexuesi ia bën një vepre tregimtare”, ka thënë ai. Sipas Matoshit, autori i nënkuptuar në shqyrtimet lidhur me prozën shqipe vjen përmes këtij kontributi studimor si një përpjekje për të zhvendosur kufijtë përtej asaj që tashmë është e njohur, përtej përsëritjes së rezultateve të trashëgimisë së stabilizuar shkencore në fushën e studimeve letrare.
“Përgjithësisht prania e autorit të nënkuptuar në veprat e autorëve të trajtuar është evidente, sidomos tek ata që mëtojnë një angazhim më të theksuar në proceset sociale, emancipuese e kulturore që u zhvilluan në ato dy-tri dekada dramatike në historinë e njerëzimit, pra edhe të historisë së shqiptarëve”, ka thënë Matoshi për veprën e Aliut, i cili është punonjës shkencor i Institutit Albanologjik. Matoshi ka thënë se moralizimet, predikimet, mesazhet, aty-këtu edhe akuzat, deklamimet, propagandimet e ideve të autorit shpesh, duke kaluar nëpër gojën e personazheve të prozave, bëhen shenja dalluese të pranisë së autorit të nënkuptuar.
Për veprën e re të Aliut – i cili është edhe laureat i disa çmimeve letrare, midis tyre edhe atë “Rexha Surroi” për romanin “Gosti në natën e parë të vjeshtës” – ka folur edhe studiuesi Fadil Grajçevci.
Ai ka thënë se analizimi i disa prej elementeve kryesore narrative dhe interpretimi i ideve e mendimeve që shfaqen në prozat e njëmbëdhjetë prozatorëve të përzgjedhur shqiptarë, autorit të studimit ia mundësojnë gjetjen e përgjigjeve në pyetjet me interes për shkencën letrare.
“Çka shkruajnë emrat e parë të prozës së mirëfilltë artistike? Çfarë idesh, mendimesh, bindjesh, shfaqen në veprat e tyre? Si e ndërtojnë të rrëfyerit? Çfarë njerëzish gjejmë në krijimet e tyre artistike?”, janë disa prej pyetjeve që ka përmendur Grajçevci e të cilave Aliu u ka dhënë përgjigje. Sipas Grajçevcit, edhe pse i përqendruar kryesisht në analizimin e tri elementeve qenësore të këtyre njëmbëdhjetë autorëve, autorit të nënkuptuar, narratorit dhe personazheve, studiuesi Aliu një rëndësi të veçantë ia kushtoi edhe analizimit të elementeve të tjera narrative.
“Librit i prin një hyrje e shkurtër, përmes së cilës studiuesi Aliu na njeh me objektin e studimit të tij monografik, duke na bërë të qartë se studimi i tij nuk ka pretendime gjithëpërfshirëse, por vetëm analizimin e disa elementeve kryesore narrative të veprave në prozë të njëmbëdhjetë autorëve dhe interpretimin e ideve e mendimeve të shfaqura drejtpërdrejt, siç ndodh shpesh apo tërthorazi”, ka thënë ai. Sipas tij, veprat në prozë pothuajse të të gjithë autorëve shqiptarë që merren për shqyrtim në këtë studim monografik, janë vepra të ideve, të mendimeve, të bindjeve e të përshtypjeve.
“...janë vepra që flasin për një kontekst të caktuar shoqëror, politik e kulturor, kontekst ky që ka ndikuar në temat dhe motivet e veprave të këtyre autorëve”, ka thënë Grajçevci, i cili studimin e Aliut e ka elaboruar në detaje. Është marrë me secilin autor të analizuar.
Ka thënë se studimin monografik “Proza shqipe e viteve 1920 – 1944” e karakterizon zotësia e veçantë interpretuese, analitike e sintetizuese, qartësia e mendimit, terminologjia e saktë shkencore dhe gjuha e pastër dhe e pasur shqipe”, ka thënë ai.
Vetë studiuesi Aliu ka thënë se nëpërmjet monografisë ka synuar që t’u japë përgjigje disa pyetjeve, si ato për idetë, bindjet e synimet që shfaqen në prozën e autorëve që i ka subjekt studimi.
“Pa ju lodhur me teori kam përmbledhur rezultatet e hulumtimit tim”, ka thënë ai. Sipas tij, në të gjitha veprat e analizuara të kësaj periudhe, hetohet prania dhe ndërhyrja e autorit të nënkuptuar. Sipas tij, ndërhyrjet e autorit të nënkuptuar nganjëherë janë aq të forta saqë hasen edhe në deklarata, duke shkrirë kufijtë letrarë në kufij publicistikë. Migjenin e ka radhitur të parin në këtë rast.
“Mirëpo edhe te shkrimtarët me vetëdije të lartë letrare si Ernest Koliqi kemi ndërhyrje…”, ka thënë ai. Sipas tij, në secilin tekst të çdo periudhe letrare autori i nënkuptuar është i pranishëm dhe vegël e autorit real.