I botuar para më shumë se një muaji, kompleti 13-vëllimësh me veprën e Anton Çettës është promovuar sot në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në vazhdën e aktiviteteve përkujtimore në “Muajin e Anton Çettës”, promovimi i veprës së plotë është cilësuar si vlerësim institucional i kontributit të gjerë të mbledhësit të folklorit dhe misionarit të pajtimit të gjaqeve.
E financuar nga Ministria e Arsimit në vlerë prej 42 mijë eurosh, vepra ishte gati për botim qysh në vitin 2015 nga Dega e Folklorit pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.
I pranishëm në përurim ishte edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka përgëzuar ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, që e bëri realitet botimin e veprës së Çettës.
“Ai është një personalitet me emrin e të cilit identifikohen epokat sepse me jetën e tij bëri histori”, ka thënë mes të tjerash Hoti.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe e bija e Anton Çettës, Donika Çetta-Junçaj.
“Ky muaj i dhembjes dhe pikëllimit për familjen tonë sivjet erdhi më ndryshe”, ka thënë ajo teksa ka falënderuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për botimin e kompletit të veprave.
Ndryshe, kompleti i veprave të Anton Çettës, i përgatitur nga Dega e Folklorit pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës, përbëhet nga: “Krijime poetike për fëmijë në prehër të gjyshes - Vjeti gazmuer”, “Nga folklori ynë I – Përralla e gojëdhëna”, “Nga folklori ynë II – Kallëzime dhe përrallëza”, “Nga folklori ynë III – Pleqni dhe tregime etnografike”, “Nga folklori ynë IV”, dy vëllime me “Kërkime folklorike”, “Balada dhe legjenda”, “Këngë kreshnike I”, “Materiale të ndryshme ‘Varia’”, “Të tjerët për veprën e Anton Çettës”, “Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve” dhe “Intervista dhe letërkëmbime”.