Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Promovimet e Panairit prej romanit për identitet deri tek arti i rezistencës

“Dhembja e rrënojave” botuar në shqip ka sjellë në Kosovë shkrimtarin e shquar francez, mikun e shqiptarëve, Claude Arnaud. Pesha e veprës së tij është njëra anë. Roli i tij edhe si zë për çështjen e Kosovës në Francë është ana tjetër e tij. Romani i tij është një zbërthim i betejës mbi identitetin e në fundshekullin e kaluar në ruajtjen e identitetit shqiptar Kosova në historinë e saj të fundshekullit të kaluar njeh edhe atë që është quajtur “art i rezistencës”. “Arti në rezistencë” titullohet libri i filozofit dhe kritikut Shkëlzen Maliqi, i përuruar po të mërkurën

Jo vetëm prezantimi i ofertave dhe i titujve të rinj nga botuesit është pika kryesore e Panairit të Librit në Prishtinë, por një ngjarje si kjo ka vite që është shndërruar në pikëtakim midis shkrimtarëve, kritikëve e botuesve. E mbi të gjitha, krejt këta janë aty për lexuesin. Përderisa rreth njëqind shtëpitë botuese, sa marrin pjesë sivjet, që në mëngjes kanë hapur shtandet – promovimet e shënimet e përvjetorëve – si ai i 400-vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit – kanë qenë ngjarjet e ditës së dytë të Panairit të mërkurën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, aty ku po mbahet. Ndër to ka qenë edhe promovimi i botimit në shqip të romanit “Dhembja e rrënojave”, që e ka sjellë në Prishtinë shkrimtarin e shquar në hapësirat frëngjishtfolëse, Claude Arnaud. “Dhembja...” në esencë ka zbërthimin e identitetit, betejën për të. I fundit ka folur Arnaud në përurimin e veprës së tij, e cila s’ka të bëjë me Kosovën, por tema që trajton krijon një lloj lidhjeje me të. Në fakt, ky emër i shquar ka qenë zë i Kosovës në kohë të errëta.

Teksa është shprehur i nderuar për përkthimin e romanit të tij në shqip dhe për praninë e tij në Panairin e Librit në Prishtinë, Arnaud është ndalur te vepra e te tema e tij, duke tërhequr një paralele midis asaj që në vitet e kaluara kishte ndodhur në Korsikë dhe në Kosovë.

“Nacionalizmi ishte i fuqishëm në Korsikë. Më vonë kjo u pasua nga elemente më demokratike. Ka pasur momente kur disa prej shtëpive tona ishin bërë me lëndë plasëse. Më vonë patëm frikë se nga ky konflikt do të vendosej një luftë civile në Korsikë. Këtu shoh një paralele mes Kosovës dhe Korsikës, sepse gjithmonë është dyshuar se do të vazhdojë një luftë civile e nxitur nga regjimi serb. Fatmirësisht kjo nuk ndodhi as në Kosovë”, ka thënë ai. Duke u ndalur tek identiteti, një element kyç i veprës “Dhembja e rrënojave”, Arnaud ka thënë që ai të merret ashtu siç është, në disa momente i ndryshëm e në disa edhe evolutiv.

“Shfaqje të ndryshme të identitetit duhet të merren ashtu siç janë dhe janë si të thuash një vajtje-ardhje, një rrëfim i identitetit dhe kjo është edhe arsyeja se pse libri im i kushtohet këtij identiteti, i cili në momente të ndryshme është i ndryshëm, por që evoluon nga një stazh jetik ose mund të quhet edhe si dy identitete që bashkëjetojnë në një identitet të vetëm”, ka thënë Arnaud, shkrimtar romanësh, esesh dhe biografish, fitues i çmimeve të shumta, si “Prix Femina Essai”, Çmimit të Madh të Kujtesës në Korsikë, Çmimit letrar të Princit Pier të Monacos e të tjerë.

Abdullah Zeneli, përfaqësues i shtëpisë botuese “Buzuku”, e cila bashkë me Unionin e Kritikëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë kanë botuar romanin “Dhembja…”, ka falënderuar pjesëmarrësit e në veçanti autorin, i cili, siç ka thënë, “kishte bërë një rrugë të gjatë nga Franca për në Kosovë”.

Edhe “Rezistenca në Kosovë...” shfleton shtypin e fshehtë midis ideologjisë e lirisë Kulturë “Rezistenca në Kosovë...” shfleton shtypin e fshehtë midis ideologjisë e lirisë

Klara Buda, shkrimtare dhe gazetare shqiptare e cila jeton në Francë, ka thënë se “Dhembja e rrënojave” për shkak të përshkrimit klimatik, relievit, si edhe atmosferës që mbizotëron do t’ia kujtojë lexuesit Shqipërinë.

“Është një udhëtim verbues në zemër të mistereve të Korsikës, intriguar edhe nga malet, vegjetacioni, atmosfera dhe personazhi i ishullit, të cilat të gjitha së bashku ta kujtojnë Shqipërinë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ky roman “në kërkim të identitetit është një tregim vajtje-ardhjesh midis dy ishujve, sepse në mentalitetin francez edhe Parisi është një lloj ishulli”.

Image
“Arti në rezistencë” titullohet libri i filozofit dhe kritikut Shkëlzen Maliqi, një përmbledhje shkrimesh të tij që shtrihen në çerekshekulli, por që kur bëhen bashkë, vijnë si dokumentim i një kapitulli me peshë në historinë e artit në Kosovë dhe jo vetëm

Shkrimtari e ish-diplomati Besnik Mustafaj pos veprës ka kujtuar rolin e Claude Arnaud në raport me Kosovën.

“Jam shumë i nderuar që marr pjesë në promovimin e një romani. Claude Arnaud është një shkrimtar bashkëkohor nga më të rëndësishmit të letërsisë franceze dhe autor romanesh, esesh, biografish, autor i cili ka një zë shumë të lartë në hierarkinë e letërsisë së sotme franceze. Ardhja e veprës së tij në shqip është një nder i madh që i bëhet lexuesit shqiptar”, ka thënë Mustafai. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë ka shkëputur një pjesë të rrugëtimit të shkrimtarit.

“Ai ka qenë njëri nga themeluesit e atij që quhej ‘Komiteti i Kosovës’, që ishte një grup intelektualësh të famshëm francezë në revistën ‘Esprit’ dhe që kishte për qëllim kryesor gjatë fillimviteve ‘90 dhe deri në përfundim të luftës të sensibilizonte opinionin publik francez mbi të vërtetat e zhvillimeve shpesh tragjike në Kosovë, por njëkohësisht ushtronte presionin e nevojshëm mbi klasën politike drejtuese franceze, në mënyrë që tradita shumë e gjatë e lidhjeve preferenciale të klasës politike franceze me Beogradin të ndërpritej për hir të parimit të të drejtave të njeriut”, ka thënë Mustafaj.

Sipas tij, ky është një element i rëndësishëm i cili duhet ta shtyjë publikun shqiptar që ta lexojë veprën e Arnaudit, një “mik besnik i shqiptarëve dhe kulturës shqiptare”.

Behar Gjoka ka theksuar se “Dhembja...” karakterizohet nga një ligjërim i veçantë dhe se zhanri nuk është më ai që ka rëndësi. “Por e rëndësishme është memoria e cila na ndihmon në ruajtjen e identitetit”, ka thënë ai.

Por në ruajtjen e identitetit shqiptar, Kosova në historinë e saj të fundshekullit të kaluar njeh edhe atë që është quajtur “art i rezistencës”. “Arti në rezistencë” titullohet libri i filozofit dhe kritikut Shkëlzen Maliqi, një përmbledhje shkrimesh të tij që shtrihen në çerekshekulli, por që kur bëhen bashkë, vijnë si dokumentim i një kapitulli me peshë në historinë e artit në Kosovë dhe jo vetëm.

Edhe Kolumne Anatomia e një gënjeshtre

“Jam marrë me këto shkrime kohë pas kohe, jo me ndonjë plan dhe kam menduar se ndoshta duhet ta plotësoj me ndonjë parathënie a diçka, por mandej nuk gjeta kohe dhe nuk kisha koncentrim për ta bërë një artikull më të gjatë dhe vendosa t’i botoja kështu siç janë. Ky libër ka filluar të bëhet vetë nga shkrimet e ndryshme qysh dikur para 25 vjetësh”, ka thënë Maliqi në përurimin e veprës së tij, të mërkurën në Panair.

Njëra ndër arsyet kryesore që e kishte nxitur ta botonte këtë vepër kishte qenë fakti se shkrimet tashmë nuk gjendeshin askund, sepse ishin të shpërndara nëpër revista të ndryshme dhe ishin tekste shumë të nevojshme për studiuesit e artit.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe profesori i Degës së letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Anton Berishaj.

“Promovimi i këtij libri është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore. Përmbledhja e këtyre shkrimeve në një libër është edhe ndoshta një synim modest i vetë autorit për t’i tubuar dhe për të krijuar një sistematikë”, ka thënë ai.

Berishaj ka vënë theksin edhe tek interpretimet që Maliqi u kishte bërë veprave të artistëve të ndryshëm.

“Tekstet për artistët, siç janë ato për doajenët e artit modern në Kosovë, Muslim Mulliqi, Xhevdet Xhafa, Simon Shiroka, Gjelosh Gjokaj, Agim Çavdërbasha e të tjerë përfaqësojnë kritika par ekselencë, interpretime teorike par ekselencë, kritika të cilat nuk i hasim tek asnjë autor tjetër”, ka thënë Berishaj.

Artisti Mehmet Behluli, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, duke folur për veprën ka kujtuar vitet ’90, kur edhe janë shkruar ato që vijnë me “Arti në rezistencë”.

“Gjenerata ime, brezi im i artistëve jemi rritur në ish- Jugosllavi në një sistem komplet tjetër politik, shoqëror, kulturor, mirëpo ishim të vetëdijshëm që ishim pjesë e Kosovës edhe pse në atë kohë ka qenë shumë e ngrirë e konservative, mirëpo politikisht disa institucione patën filluar të vepronin në kuadër të ish- Jugosllavisë”, ka thënë Behluli.

Arkitektja Florina Jerliu, ligjëruese në Fakultetin e Arkitekturës në UP, ka thënë se vlera më e madhe e kësaj vepre është fakti se ajo sjell te lexuesi frymën e viteve ‘90 dhe këndvështrimin qytetar të asaj kohe.

Edhe “Kosova: Udhëpërshkrim i shkurtër” për identitet e vlera universale Kulturë “Kosova: Udhëpërshkrim i shkurtër” për identitet e vlera universale

“Ne këtu nuk e shohim vetëm artin e viteve ’90, por edhe frymën e asaj kohe, të perceptuara prej një këndvështrimi qytetar të asaj kohe, duke shtuar këtu edhe konotacionin shtytës që është rezistenca me të cilën jemi ballafaquar të gjithë, në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë Jerliu.

Panairi i Librit në Prishtinë, i hapur solemnisht të martën në mesditë, rikthehet pas një mungese prej dy edicionesh për shkak të pandemisë. Janë mbi dy mijë tituj të rinj që sjellin mbi 100 shtëpi botuese pjesëmarrëse. Panairi zgjat deri të dielën.