Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Projekt filmik prapa murit të rremë të Berlinit

Berlin, 30 gusht - Nëse të gjitha autoritetet e qytetit japin dritën e gjelbër për projektin, një kopje e Murit të Berlinit do të ngrihet në bulevardin qendror të Berlinit, “Unter den Linden”, i njohur për monumentet e shumta historike e të trashëgimisë kulturore.

Organizatorët e “Berliner Festspiele” zbuluan në detaje projektin ku do të performojë artistja Marina Abramovic, ku është i përfshirë edhe kinematografi Tom Tykwer. Sidoqoftë, aspekti më intrigues i projektit është që të paraqitet një regjisor legjendar rus si Ilya Khrzhanovsky, paralajmëron DW, transmeton sot “Koha Ditore”.

Një dekadë më parë, ky kineast rikrijoi një shoqëri staliniste të mbyllur në Kharkov, një qytet 1.4 milionë banorësh në lindje të Ukrainës. Pjesëmarrësit ndërprenë jetën e tyre për të kaluar dy vjet, duke jetuar në qytetin e rremë i shtrirë në 12 mijë metra katrorë. Ata duhej të visheshin dhe të silleshin konform rregullave strikte të komunitetit, ku u rikrijua një regjim totalitar i epokës sovjetike.

Rreth 700 orë filmim u mblodhën nëpërmjet eksperimentit. Nga xhirimet thuhet se janë bërë 13 filma. Në një artikull të gjatë të revistës “GQ” në vitin 2011, gazetari Michael Idov shkruante për projektin që cilësohej të ishte “më i gjëri, më i komplikuari dhe më i kushtueshmi ndonjëherë”. Idov e përshkroi regjisorin si "një përzierje të fisnikëve dhe klasave më të ulëta".

“The Telegraph” e përshkroi projektin e tij si "xhirimi më i çmendur i filmave të të gjitha kohërave".

Projekti i tij origjinal u bazua në historinë e fituesit të çmimit “Nobel, fizikanit Lev Landau, jeta e të cilit ishte e mbushur me historitë e eksperimenteve seksuale, periudhat e shtrimit psikiatrik dhe një aksident dramatik me makinë.

Për të pasur qasje në hapësirën e Murit të rremë të Berlinit, vizitorët duhet të regjistrohen për një "vizë" që kushton 15 euro. Projekti nuk është një "version i transformuar i Berlinit Lindor", ka thënë organizatori i “Berliner Festspiele”, Thomas Oberender, në një konferencë për media.

“Kronprinzenpalais” në bulevardin “Unter den Linden” do të shërbejë si vend i rëndësishëm për projektin. Organizatorët e ngjarjes janë ende duke negociuar me drejtuesit e ndërtesës.

Shpenzimet e projektit të Berlinit vlerësohen në 6.6 milionë euro. Sipas gazetës “Tagesspiegel”, pas projektit qëndron biznesmeni multimilioner dhe filantropi Sergey Adoniev, i cili thuhet të jetë i afërt me rrethin e Putinit. Muri do të kthehet më 9 nëntor, në përvjetorin e rënies së Murit të vërtetë të Berlinit në vitin 1989. Më pas do të shkojë në Paris dhe Londër për ciklet e quajtura “Vëllazëri dhe barazi”.

Artikuj të ngjashëm