Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, është zotuar për prezantimin e Prizrenit në guidat turistike të Shqipërisë. Sipas tij, vlerat e trashëgimisë që janë të përqendruara në Qendrën Historike duhet të prezantohen aty dhe kjo do të hapte një kapitull të ri për turizmin kulturor në këtë qytet. “Jam optimist që energjia pozitive, qasja proaktive, vullneti dhe motivacioni do të na sjellin zhvillime të reja pozitive në lëmin e turizmit, në lëmin e kulturës, por edhe të sportit”, ka thënë kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj
Prizreni me të gjitha vlerat e trashëgimisë kulturore e historike do të prezantohet për turistët e huaj që vizitojnë bregdetin e Shqipërisë. Në këtë kuadër planifikohet që qyteti i vjetër në jugun e Kosovës të përfshihet sa më shumë në guidat turistike të shtetit shqiptar.
Mundësitë për zhvillimin eventual të turizmit kulturor e historik të mërkurën janë diskutuar në takimin që kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka zhvilluar me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Ambasadori Minxhozi ka bërë të ditur se nga Totaj ka dëgjuar dëshirën e madhe për të nxitur një bashkëpunim të frytshëm edhe matanë kufirit, sidomos me Kukësin, por edhe me qytetet e tjera të Shqipërisë. Diplomati shqiptar ka vlerësuar se ka ardhur koha që të krijohen politika zhvillimore të përbashkëta në lëmi të ndryshme, në mesin e të cilave bëjnë pjesë edhe kultura, shkenca, e të tjera.
“Asnjëherë ne nuk e shikojmë Prizrenin si diçka të shkëputur nga Shqipëria, sepse Prizreni ka shumëçka që ofron edhe për qytetarët, vëllezërit e motrat e tyre në pjesën tjetër të lumit, siç është Qendra Historike e Prizrenit, siç janë ndërtimet shumë karakteristike të Prizrenit, ashtu siç e thamë, e kemi edhe një pjesë të Beratit e Gjirokastrës për sa i përket stilit të arkitekturës, dhe Prizreni është një atraksion në rritje e të gjithë qytetarëve nga Shqipëria”, ka thënë Minxhozi.
Sipas tij, pikërisht vlerat e trashëgimisë kulturore të Prizrenit, që janë të përqendruara në Qendrën Historike, duhet të prezantohen edhe në guidat turistike të Shqipërisë.
“Ne mendojmë që në guidat tona turistike do të punojmë më mirë në Shqipëri që Prizreni të jetë sa më tepër prezent edhe në ato që ne u ofrojmë vizitorëve të ndryshëm që vizitojnë bregdetin e Shqipërisë, por u ofrojmë mundësi më të mëdha për të vizituar këtë qendër historike, këtë qendër kulturore, këtë qendër të dijes, të shkencës, arsimit, që nuk është aset vetëm i kosovarëve, por është aset edhe i anës tjetër të vëllezërve e motrave në Shqipëri”, ka deklaruar ambasadori shqiptar.
Ai ka shtuar se ky ka qenë takimi i parë me kryetarin Totaj, që do të vijojë me vizita të tjera, në mënyrë që të bëhen disa projekte të përbashkëta ndërkufitare, “që mund t’i japin një zhvillim shumë të madh të marrëdhënieve të deritanishme, dhe pse jo të ngrihen në një nivel cilësor shumë më lart sesa sot”.
Minxhozi ka përkujtuar se vendimet e fundit të dy qeverive përkatëse i japin hapësirë më të madhe lëvizjes së lirë të njerëzve, ku për Prizrenin që gjendet në vijën kufitare krijohen mundësi të shumta, ndërkohë që me thyerjen e barrierave në tru për kufirin, duhet hapur rrugën për zhvillim, komunikim e shkëmbim të përvojave, nga të cilat Prizreni mund të përfitojë shumë.
Ambasadori Minxhozi ka bërë të ditur se nga Totaj ka dëgjuar dëshirën e madhe për të nxitur një bashkëpunim të frytshëm edhe matanë kufirit, sidomos me Kukësin, por edhe me qytete të tjera të Shqipërisë
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pohuar se me ambasadorin e Shqipërisë ka biseduar me theks të veçantë për zhvillimin e turizmit kulturor e historik.
“Biseduam për shumë çështje, mirëpo me fokus të veçantë tek projektet e përbashkëta që planifikojmë t’i realizojmë në të ardhmen, si dhe për zhvillimin e turizmit kulturor historik si një komponent shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, që përmes tij ne planifikojmë të provokojmë një reaksion zinxhiror të zhvillimit të ekonomisë në përgjithësi”, ka thënë Totaj.
Sipas tij, idetë e iniciuara gjatë këtij takimi do të implementohen në të ardhmen, ndërkohë që do të ketë koordinime edhe me kryebashkiakun e Kukësit. Ai ka çmuar angazhimin e ambasadorit Minxhozi në këtë drejtim.
“Jam optimist që energjia pozitive, qasja proaktive, vullneti, motivacioni do të na sjellin zhvillime të reja pozitive në lëmin e turizmit, në lëmin e kulturës, por edhe të sportit”, ka thënë ai.
Angazhimi në të dyja anët e kufirit sa i përket sektorit të kulturës ishte konfirmuar në nëntor të vitit të shkuar në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Shqipërisë, të mbajtur në Elbasan.
Në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive janë nënshkruar 13 marrëveshje, në mesin e të cilave janë edhe ato për Kalendarin e përbashkët kulturor vjetor ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, si dhe marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të muzeve.