Arkitektja Artnet Haskuka me “Prizreni n’dy ditë” sjell dëshmi se në vërshimin e vitit 1979, Prizreni ka humbur Urën e Gurit, Urën e Naletit, zonën e Tabakhanes, spitalin e vjetër dhe dhjetëra shtëpi buzë lumit. Sipas saj, fatkeqësi të tilla natyrore mund të përsëriten, madje me pasoja të mëdha, prandaj dhe ky publikim synon t’i sensibilizojë vendimmarrësit e profesionistët për ta trajtuar menaxhimin e rrezikut në trashëgimi kulturore
Vërshimi i ujërave në nëntor të vitit 1979 ka shkaktuar dëme të mëdha në Prizren, duke shkatërruar edhe disa prej aseteve të vlefshme të trashëgimisë kulturore. Kjo fatkeqësi natyrore është rikthyer në kujtesën e publikut nga arkitektja Artnet Haskuka me publikimin “Prizreni n’dy ditë”, që ngërthen në vete rrëfimet e 15 dëshmitarëve, me përjetimet e tyre të ndryshme, por që si pikëtakim kanë emocionet e veçanta ndaj monumenteve të Prizrenit.
Haskuka ka bërë të ditur se në vërshimin e vitit 1979, Prizreni ka humbur Urën e Gurit, Urën e Naletit, zonën e Tabakhanes, spitalin e vjetër dhe dhjetëra shtëpi buzë lumit. Sipas saj, fatkeqësi të tilla natyrore mund të përsëriten, madje me pasoja të mëdha, prandaj dhe ky publikim synon t’i sensibilizojë vendimmarrësit e profesionistët për ta trajtuar menaxhimin e rrezikut në trashëgimi kulturore.
“Mua më ka shtyrë ta bëj këtë publikim arsyeja se me vite të tëra nuk e menaxhojmë rrezikun, jemi vetëm vëzhgues të shkatërrimeve si nga vërshimi, zjarri kohëve të fundit, edhe presioni i turizmit, ku kemi humbur një numër të madh të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe asnjëherë ne profesionistët nuk kemi ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim”, ka thënë autorja e publikimit. Sipas saj, sfidat gjatë punës për realizimin e këtij publikimi kanë qenë të numërta meqë ka pasur pak material për këtë vërshim, ndërkohë që ka pasur edhe qytetarë që kanë hezituar të flasin për ngjarjet e nëntorit 1979. Haskuka ka thënë se megjithëkëtë, 15 dëshmitarë kanë ndarë përvojat e emocionet e veta për vërshimin shkatërrues, dhe se ajo është munduar që t’i reflektojë emocionet e tyre në këtë publikim që është përuruar ditë më parë në Prizren.
“Mirëpo, 15 veta që i kam përfshirë në këtë publikim janë prej komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Prizren, është një proces gjithëpërfshirës, edhe të profesioneve të ndryshme që kanë ndarë me shumë kënaqësi kujtimet e tyre të datës 18-19 nëntor 1979. Përjetimet kanë qenë të ndryshme, mirëpo pika e përbashkët e tyre ishte dashuria për Prizrenin, dashuria për simbolet e Prizrenit dhe vuajtja për humbjen e Urës së Gurit, humbjes së një zone të tërë sikur Tabakhaneja që është”, ka deklaruar ajo.
Njëri prej dëshmitarëve që kanë ndarë përvojën lidhur me vërshimet e vitit 1979 ka qenë Luan Koqbashliu.
“Në rrjedhën e Lumbardhit para se të ndodhte kjo ngjarje ishin objektet ekzistuese, edhe në bregun e majtë edhe në bregun e djathtë Prizreni ka qenë plot me objekte me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të qytetit të Prizrenit”, ka thënë ai.
Ndërsa arkitekti Bekim Çeko ka pohuar se të gjithë akterët duhet të shtojnë përpjekje për menaxhimin e rrezikut në trashëgimi kulturore.
“Ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve klimatike dhe sipas raporteve që po mundohemi me i përcjellë, diku brenda 5 deri 10 vjet, regjioni i Ballkanit kanoset me vërshime të mëdha. Dhe unë të paktën e di që hapi i vetëm deri më tani është ky që po tregon një rrezik me të cilin duhet të merremi seriozisht”, është shprehur Çeko.
Ndërsa Nora Arapi-Krasniqi, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka vlerësuar se punimi i Haskukës është një hulumtim i rëndësishëm që rikthen ngjarjen tragjike për Prizrenin me ndikimin fatal për peizazhin historik të qytetit.
“Ajo dhe na rikujton për rrezikun permanent që i kanoset qytetit, monumenteve nga forca natyrë, duke na rikujtuar edhe detyrën madhore që e kemi ne si institucione, por edhe dashamirë të qytetit, që duhet të jemi të kujdesshëm dhe të punojmë që të parandalojmë apo të marrim masa të sigurisë për këto rreziqe që kanosen në çdo moment”, ka thënë ajo.
Autorja e publikimit ka bërë thirrje që përvoja nga e kaluara të shërbejë si udhërrëfyese për të punuar më tepër në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Prizrenit.
“Është koha e fundit të hapim një kapitull të ri në fushën e trashëgimisë kulturore, pra të sjellim komponentin e menaxhimit të rrezikut në trashëgiminë kulturore”, ka theksuar Haskuka.
Sipas publikimeve të Komunës së Prizrenit, Ura e Gurit pas vërshimit të vitit 1979 është rikonstruktuar në tërësi në vitin 1982, ndonëse me një ndryshim përmbajtjesor. Edhe të intervistuarit në publikimin e fundit kanë shprehur qëndrimin se Prizreni ka humbur simbolet origjinale, pasi përkundër punës së bërë asnjëherë nuk janë rikthyer vlerat artistike. Realizimi i këtij hulumtimi është mbështetur nga MKRS-ja.