Kulturë

“Prizren Fest” për shumëllojshmërinë e teatrit dhe pavarësinë e tij

prizren fest

Edicioni i katërt i “Prizren Festit”, i cili tani është shndërruar në një traditë të gjallë të frymës teatrore të Kosovës, është gati për nisje. Sjell mbi 20 shfaqje e performanca nga gati dhjetë shtete nga rajoni dhe Evropa e përtej, në shumë lokacione që i japin tjetër frymë qytetit historik

Me një program që përfshin forma klasike e eksperimentale të teatrit, “Prizren Fest” u flet të gjitha moshave dhe grupeve të audiencës, duke i vënë në qendër temat e ndjeshme të kohës: luftën, kujtesën, identitetin, rezistencën e shëndetin mendor. Por përtej shfaqjeve, edhe edicioni i katërt i festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur i cili nis sot, adreson edhe problematika që lidhen me teatrin. Sivjet ka të bëjë me pavarësinë financiare të teatrit, duke e rikthyer premtimin e kahershëm e të parealizuar për kode buxhetore për institucionet teatrore

Teatri do të zërë vend nën qiellin e hapur të Prizrenit, teksa qyteti përgatitet të shndërrohet për tetë ditë me radhë në një skenë të gjallë e të zëshme arti. Edicioni i katërt i festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest”, nis sonte (e hënë) dhe deri të hënën e ardhshme, i sjell mbi 20 shfaqje e performanca nga gati dhjetë shtete nga rajoni dhe Evropa e përtej, në shumë lokacione që i japin tjetër frymë qytetit historik.

Me një program që përfshin forma klasike e eksperimentale të teatrit, “Prizren Fest” u flet të gjitha moshave dhe grupeve të audiencës, duke i vënë në qendër temat e ndjeshme të kohës: luftën, kujtesën, identitetin, rezistencën e shëndetin mendor.

Edicioni i katërt i këtij festivali, i cili tani është shndërruar në një traditë të gjallë të frymës teatrore të Kosovës, është gati për nisje. Këtë e ka konfirmuar drejtori artistik i festivalit, Adrian Morina.

“Kjo është faza finale e krejt punës njëvjeçare, që është bërë për kurimin e programit deri tash dhe besoj që do të na shkojë mbarë, ashtu siç na ka shkuar deri tash. Përgatitjet finale për natën hapëse sigurisht që veç janë duke u bërë, realizimi i skenave dhe besoj që do të shkojë mbarë gjithçka”, ka thënë Morina për KOHËN.

Me shfaqjen e baletit nga Shqipëria “Muzg”, me koreograf Eno Peçin, në bashkëpunim me trupën e baletit të Teatrit Kombëtar të Tiranës do të hapet festivali, e duke qenë se skena e “Lumbardhit” nuk është në dispozicion për shkak të rinovimeve, ajo do të jepet në “Teatrin mbi Lumë”.

“Meqenëse ‘Lumbardhi’ është i mbyllur për shkak të rinovimeve, ne kemi vendosur që ta hapim në ‘Teatrin mbi Lumë’, në platformën që është ndërtuar mbi lumë dhe do ta ketë një program, fillimisht një prezantim të programit artistik prej anës së organizatorëve të festivalit, një hyrje, dhe pastaj do të jepet shfaqja ‘Muzg’, shfaqje baleti e punuar enkas për festivalin ‘Prizren Fest’ nga mjeshtri, i cili tash e sa vjet është pjesë e Baletit të Vjenës, Eno Peçi, në bashkëpunim me trupën e baletit të Teatrit të Tiranës. Pas kësaj do të ketë një pjesë muzikore nga grupi ‘Jericho’”, ka thënë Adrian Morina, i cili edhe sivjet është drejtor artistik i këtij festivali.

Çdo natë do të sjellë nga dy-tri shfaqje, me tematika nga më të ndryshmet. Mes tyre, disa do të jepen enkas për disa kategori sociale. “La Beauté du Souvenir (Bukuria e Kujtesës)”, e cila është një shfaqje që në Francë jepet zakonisht në shtëpitë e të moshuarve, e edhe vetë tematika e saj ka të bëjë me marrëdhënien e pleqve me vdekjen. 

Autor e regjisor është Simon Pitaqaj me bashkëpunëtor artistik Henry Lemaigre, i cili edhe do të aktrojë aty bashkë me banorët e një shtëpie pleqsh në Francë. Shfaqja do të jepet në shtëpinë e të moshuarve “Jetimat e Ballkanit”, e për të moshuarit aty do të ketë edhe pajisje për përkthim të menjëhershëm.

“Këtë vit jemi përpjekur që si pjesë e programit, ta ndërtojmë një program për shumë kategori sociale, të cilat shumë shpesh i harrojmë ose nuk mendojmë për ta, fatkeqësisht. E kemi një shfaqje nga Parisi, e cila do të luhet në Shtëpinë e të Moshuarve. Është një shfaqje e punuar enkas për të moshuarit, që ajo të komunikojë edhe më mirë me publikun që do ta shohë, për pjesëtarët e moshuar që jetojnë atje. Do të kenë edhe përkthim simultan përmes dëgjueseve, që të jenë sa më afër shfaqjes”, ka shtuar Morina.

Për tetë ditë do të ketë goxha program të ngjeshur, me shfaqje që vijnë nga Kosova, rajoni dhe Evropa. “Teatri ilegal” me autor Sovran Nrecajn, “Komedia e zezë” me autor Peter Shaffer e regji të Ilir Bokshit, “Unë jam vetë grua” e autorit Doug Wright nën regji të Kushtrim Koliqit, “Bëje ose vdis” e Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt do të jenë shfaqjet që janë prodhim i Kosovës.

Nga Shqipëria, përveç “Muzgut”, do të vijnë shfaqjet “No gravity” e Juxhina Gjuzit, dhe “5 fytyrat e heshtjes” nën regji të Altin Bashës. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut i sjell shfaqjet “Krieg” nga Ivanka Apostolova Baskar, “8%” e Jovan Ristovskit dhe “Teatros K”, produksion i Tim Teatros K.

Shfaqjet për fëmijë, si në secilin edicion të kaluar, nuk do të mungojnë as këtë herë. Mes tyre, shfaqja “Three”, produksion i Maqedonisë së Veriut do të jepet për fëmijët në gjuhën e shenjave.

“E kemi edhe një shfaqje të veçantë për fëmijë, meqenëse ne e kemi një skenë shumë të madhe të teatrit të fëmijëve në kuadër të festivalit. Shfaqja është në gjuhën e shenjave, fëmijët e shurdhër do të kenë mundësi që për herë të parë ta kuptojnë një shfaqje në gjuhën e tyre, kurse ne të tjerët do të përpiqemi që t’i kuptojmë ata edhe më mirë”, ka thënë drejtori Morina.

“Bëje ose vdis” e Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt do të jepet me një shkas të caktuar, ka treguar Adrian Morina. Është paraparë që kjo shfaqje të jepet në Burgun e Qytetit në Prizren.

“Kur jemi te teatri politik, i cili na intereson edhe flasim, pa dyshim që një ngjarje e veçantë do të jetë shfaqja ‘Bëje ose vdis’, e cila do të jepet në oborrin e burgut të qytetit. Në krahasim me burgun-muze, i cili është jofunksional, nuk është burg i vërtetë, në burgun që do të luhet, ky është burg aktiv dhe sigurisht që do të duhet që të gjithë ata vizitorë që vijnë ta shohin shfaqjen, të identifikohen, t’i japin ID-të e tyre. Shfaqja flet për një prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar, për fatin e Ukshin Hotit, për të cilin edhe më tutje vazhdon të mos dihet”, ka thënë ai.

Në edicionin e kaluar qe mbajtur një konferencë e organizuar nga dy prej institucioneve më të larta të teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Tiranës, e ku qe prezantuar fondi i përbashkët teatror i dy ministrive; Ministrisë së Kulturës në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri. Morina, në lidhje me këtë, pas një viti ka treguar se gjërat po shkojnë mirë me atë fond dhe se po pritet vetëm të përcaktohen shumat.

“Ajo çfarë kemi si informacion është që pjesa procedurale, pjesa e rregulloreve është hartuar, është e gatshme. Krejt çka ka ngelur është që të përcaktohen shumat, se sa do të jetë shuma që do ta ndajnë ministritë përkatëse. Në Shqipëri ka pasur një ndërrim të ministrit të Kulturës e gjithmonë kur proceset ndërrohen në mes, ka mundësi edhe që të lëvizin, por me aq sa kam informacion, të dyja palët janë dakorduar që në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të kalendarit kulturor Kosovë-Shqipëri, janë dakorduar për një shumë të caktuar, të cilën unë nuk jam i thirrur ta publikoj, do të bëhet publike shumë shpejt dhe do të hapet konkursi i parë për aplikim”, ka thënë ai.

E për këtë vit, në vend të një konference, është paraparë një panel diskutimi, në të cilin do të mblidhen artistë, zyrtarë institucionesh e anëtarë të Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës, për të diskutuar në lidhje me kodin buxhetor të teatrove publike në Kosovë.

“Këtë vit i kemi kushtuar shumë rëndësi një paneli diskutimi, që organizohet nga Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës, në bashkëpunim me festivalin ‘Prizren Fest’, e që është një temë shumë e madhe. Që nga viti 2016, teatrove publike u është marrë kodi buxhetor ose llogaritë bankare dhe funksionojnë thjesht përmes administratave të përçudnuara dhe një mali burokratik të letrave e dokumenteve dhe kjo çështje nuk po vazhdon të zgjidhet, pavarësisht se është premtuar nga politika e ministritë e ministrat deri tash dhe nuk është zgjidhur asnjëherë dhe besoj që do të jemi një zë i fuqishëm për adresimin e kësaj problematike”, ka thënë Morina.

Mes llojeve të ndryshme të shfaqjeve, do të ketë edhe stand-up comedy, performanca muzikore pas tyre, shfaqje nga Anglia, Bullgaria, Italia, Greqia, Franca dhe Palestina, të cilat me laramaninë e tyre, emërues të përbashkët do ta kenë cakun për trokitje në ndërgjegje kolektive.