Kulturë

“Prishtina Jazz Catz” çan rrethin, Wolfi në ritëm me shokë

jazz

Koncerti i fundit për sivjet i “Prishtina Jazz Catz” me bateristin Wolfgang Rainer në qendër, është mbyllur me një ndjesi qarku të përfunduar, me lojë të pastër, me miqësi të vjetra të rinovuara në muzikë dhe me premtimin se edicionet e radhës do të vazhdojnë ta zgjerojnë këtë rreth

Kthimi në Prishtinë i bateristit austriak Wolfgang Rainer i njohur si Wolfi ka qenë një rikthim në një hartë kujtimesh profesionale. Aty ka gjetur shokët e tij të vjetër me të cilët komunikon nëpërmjet jazzit. Me të “Prishtina Jazz Catz”, seria e njohur e jazz-koncerteve ka thyer kufijtë, duke dalë përtej Ballkanit me mysafir special. Kompozimet origjinale e kanë formuar bazën e programit: “Gongra” dhe “Basement” të Rainerit, “Firefly” dhe “Sharllabuzllat” të Armend Xhaferit, si dhe “Traffic” të saksofonistit maqedonas Ivan Ivanov

Në hapësirat e qendrës kulturore “Defy Them”, drita e kuqërreme krijon një hijezim të ngrohtë mbi skenën e vogël dhe zhurma e publikut tretet me fillimin e tingujve. Është imazhi i parë i mbrëmjes së radhës të serisë “Prishtina Jazz Catz”. Ka sjellë një energji të rrallë bashkimi. Atmosfera duket krejt spontane, por ritmi i saj i brendshëm tregon se ngjarja ka tashmë një mision të kristalizuar: të krijojë terren të sigurt për muzikantët e rinj dhe të ftojë në çdo “edicion” nga një artist që e shtyn këtë skenë përpara. Të martën mbrëma, ai rol i është besuar bateristit austriak Wolfgang Rainer, i cili ka sjellë një frymë të re evropiane në një sesion që zakonisht lëvrohet me mysafirë të Ballkanit.

Në rreshtin e parë të publikut, si dhe në gjithë hapësirën e stërmbushur, reagimet kanë qenë të menjëhershme, sidomos gjatë kompozimeve origjinale që kanë formuar bazën e programit: “Gongra” dhe “Basement” të Wolfgang Rainerit, “Firefly” dhe “Sharllabuzllat” të Armend Xhaferit, si dhe “Traffic” të saksofonistit maqedonas Ivan Ivanov. Pesë vepra të shkruara enkas për gjuhën e improvizimit, që mbështeten mbi dialogun mes instrumenteve, mbi ritmin dhe mbi dëgjimin e ndërsjellë, elemente që e kanë identifikuar gjithmonë këtë seri koncertesh.

Wolfgang Rainer, i lindur në Insbruck, vjen nga një familje artistësh dhe ka nisur me piano e trompë para se bateria, në moshën 13-vjeçare, të bëhej instrumenti i tij i natyrshëm. I njohur me nofkën Wolfi, formimin e ka ndërtuar në Universitetin e Artit në Graz dhe më pas në New York, ku regjistroi albumin e parë. Pasi u rikthye në Evropë, u vendos në Vjenë dhe bashkëpunoi me muzikantë të rëndësishëm të skenës së jazzit, duke fituar edhe “Çmimin e Jazzit” të Innsbruckut. Që nga viti 2010 ai vepron edhe si muzikant dhe kompozitor teatri, me një prezencë që ka udhëtuar në shumë skena ndërkombëtare.

Për të, kthimi në Prishtinë ka qenë një rikthim në një hartë kujtimesh profesionale.

“Kitaristin Armend Xhaferi e njoh qe një kohë të gjatë, sepse kemi filluar së bashku në Graz dhe kur më tha se ka një program të ri që bashkëpunojnë me Ambasadën e Austrisë për këtë seri koncertesh ‘Jazz Catz’, më pyeti në isha i lirë të vija këtu për ta bërë një punëtori dhe për të luajtur në një koncert. Punëtoria ishte mbrëmë, ndërsa sonte e bëmë koncertin. Katër herë kam qenë këtu, hera e parë ka qenë para 20 vjetësh, ndërkaq e fundit ishte më 2016 në Festivalin e Jazzit në Prishtinë. Disa herë kam qenë pjesë e atij festivali. Jam i lumtur të jem këtu e t’i takoj miqtë e vjetër. Edhe Ilir Bajrin e njoh qe një kohë të gjatë”, ka thënë 48-vjeçari Rainer, duke e përshkruar këtë vizitë si një kthim të pastër gëzimi. Veçanërisht e ka lavdëruar mishin e Prishtinës.

Visar Kuçi, i cili e mban prej dy vjetësh barrën dhe gëzimin e organizimit të “Jazz Catz”, e ka quajtur mbrëmjen një pikë kthese.

“Karakteristika e natës së sotme është që e kemi një mysafir special që vjen nga më larg se Ballkani, se zakonisht mysafirët specialë kanë qenë prej Ballkanit: Bullgari, Shqipëri, Maqedoni. Gjithmonë kemi ëndërruar të bëjmë një seri të këtyre ‘jam sessions’, ku në fillim, si hapje, si koncert, e kemi gjithmonë një mysafir që vjen prej dikah në botë, kudo qoftë. Kjo normalisht është e vështirë të realizohet sepse do shumë përkrahje së pari financiare, por në anën tjetër edhe artistike, kontaktet, nuk është e lehtë”, ka thënë ai, duke e konsideruar mbrëmjen si një përmbyllje të denjë të vitit.

Në pjesën e dytë të natës, kur skena i është hapur spontanitetit të “jam session”, janë ngjitur me radhë muzikantë të rinj që e mbështesin këtë nismë të Kuçit me lojën e tyre të pastër dhe të drejtpërdrejtë.

“’Jazz Catz’, e ka me rëndësi pjesën e hapjes ku është mysafiri dhe luhet zakonisht muzika origjinale e instrumentistëve që janë në skenë. Përveç kësaj, seria ka për qëllim zbulimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve muzikantë të rinj, që sonte patëm mjaft në skenë në pjesën e ‘jam sessions’. Deri tash, që gati dy vjet që po bëjmë, kemi pasur rastin të kemi shumë talente të rinj, të cilët kanë përfituar prej kësaj, kanë bërë bashkëpunime e kanë mësuar shumë”, ka shtuar Kuçi për pjesën ku publiku krijon rrethin e tij të dendur përreth skenës.

Në qendër të formacionit të mbrëmjes ishte edhe saksofonisti maqedonas Ivan Ivanov, i cili ka sjellë një lojë të maturuar me ngjyra të ngrohta dhe një narrativë melodike që ia ka dhënë natës tonin e një shëtitjeje të qetë. Për të, kjo ishte një përvojë e veçantë.

“Jam i befasuar me natën e sotme. Wolfgang Rainerin e njoh prej ditëve të mia studentore. Ai bashkë me Xhafën ishin gjeneratë më e vjetër kur unë shkova në universitet në Graz. Kjo është hera e parë që luaj bashkë me të dhe e shijova shumë. E shijoj gjithnjë kur luaj me Xhafën. Njëri-tjetrin e njohim për një kohë të gjatë dhe në Shkup do të xhirojmë një pjesë të muzikës sime më 16 dhjetor, në mënyrë që muzikën jazz ta shtyjmë përpara”, ka thënë ai, duke e parë këtë bashkëpunim si hap të natyrshëm drejt një zhvillimi më të gjerë rajonal.

Publiku ka reaguar rrjedhshëm, me lëvizjet e vogla të kokës e të duarve që janë bashkuar natyrshëm me ritmin, duke krijuar për një moment iluzionin se skena e jazzit në Prishtinë është e kahershme dhe e zhvilluar. Në një vend ku ky zhanër rrallë e gjen hapësirën që i takon, “Jazz Catz” e ka krijuar tashmë një rutinë: një strehë të vogël ku muzika e natës është mjeti kryesor i komunikimit dhe ku talentet e reja e provojnë veten në një format që nuk i trembet spontanitetit.

Ilir Bajri, një prej figurave themelore të jazzit në Kosovë, me atë qetësinë e tij të zakonshme, ia ka vënë vulën profesionale mbrëmjes.

“Austriakun përveç që e kemi koleg, e kemi edhe shok të mirë. Ai ka qejf të vijë këtu, dhe duke e marrë parasysh nivelin e tij, është kënaqësi e madhe që të kemi diçka prej tij. Krejt veprat kanë qenë origjinale, dy kompozime të mira kanë qenë prej Wolfit, dy të Armendit dhe një e Ivanit. Edhe Ivani është shok dhe muzikant i mrekullueshëm. Për mua pjesa e parë është më interesant dhe më sfiduese, më afër koncertit. Për krejt ngjarjen baza është në improvizim, në muhabet, në lojën mes instrumenteve. Kreativiteti, respekti i tjetrit, dëgjimi e shumë sende ndodhin në të njëjtën kohë”, ka thënë Bajri, duke e përshkruar me saktësi thelbin e natës.

Mbrëmja është mbyllur me një ndjesi qarku të përfunduar, me lojë të pastër, me miqësi të vjetra të rinovuara në muzikë dhe me premtimin se edicionet e radhës do të vazhdojnë ta zgjerojnë këtë rreth.

Në sipërfaqe duket vetëm një sesion i ngrohtë jazzi, por në thelb është një dëshmi e asaj që mund të ndërtohet kur improvizimi merr trajtën e një komuniteti të vogël që çdo muaj rritet.