Kulturë

Prishtina dhe Prizreni synojnë krijimin e vlerave shoqërore

Qytetet e Kosovës përballen me probleme të shumta. Zhvillimi i hovshëm pas luftës nuk është se i ka zgjidhur ato. Madje, rrezikon që një ditë t’i “mbytë” ato, nëse nuk ndërmerren veprime për krijimin e vlerave shoqërore në këto vendbanime, është thënë gjatë një diskutimi për të ardhmen e qyteteve të organizuar nga “DokuFest”. Ky debat është nxitur nga dokumentari “The Human Scale” i regjisorit Andreas Dalsgaard, i cili paraqet megaqytetet bashkë me problemet ekzistuese, zgjidhjet dhe mundësitë në to

Programet e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur se gjysma e popullatës së botës jetojnë në qytete dhe se parashikimet janë që ky numër të shkojë deri në dy të tretat në vitin 2050, prandaj dhe konsiderohen si çështje qendrore në aspektin e zhvillimit të qëndrueshëm, prandaj parakusht për këtë konsiderohet planifikimi i mirë me qasje gjithëpërfshirëse.

Sfidat e urbanizimit global, përkatësisht të jetës në megaqytete bashkë me problemet ekzistuese, zgjidhjet dhe mundësitë shpalosen në dokumentarin e titulluar “The Human Scale”, të regjisorit Andreas Dalsgaard. Ky film është shfaqur të premten mbrëma në “DokuKino-Plato” në Prizren, si përpjekje e “DokuFestit” për të nxitur diskutimin për të ardhmen e qyteteve të Kosovës.

Dalsgaard me dokumentarin e tij shqyrton qytetet e mëdha dhe raportin e tyre me zhvillimin urban, duke i bërë ftesë audiencës që të mendojë për marrëdhënien midis formës së ndërtuar të qytetit dhe llojit të jetës shoqërore që mundësohet në të. Rrëfimin e tij e bazon përreth ideve të arkitektit dhe profesorit danez, Jan Gehl, derisa interviston edhe arkitektë e urbanistë nga e gjithë bota, për të vënë në pah se çfarë ndodh kur njerëzit vihen në bërthamë të planifikimit. Sugjerimi i Gehl është që të studiohen njerëzit dhe nevojat e tyre, dhe me këtë qasje të ndryshohen qytetet. “The Human Scale” shkon nëpër megaqytete të ndryshme për të parë se si Gehl dhe urbanistët e aktivistët e tjerë që mendojnë si ai i transformojnë qytetet. Por jo të gjitha rastet e prezantuara janë storie suksesi.

Megjithatë, filmi ka përmbyllje optimiste, pavarësisht vështirësive me të cilat përballet njerëzimi.

Duke i diskutuar sfidat e tanishme dhe të ardhmen e qyteteve të Kosovës, është theksuar se zhvillimi i hovshëm në vitet e pasluftës ka gjasa që një ditë t’i “mbytë” ato, nëse nuk ndërmerren veprime për krijimin e vlerave shoqërore në këto vendbanime. Në diskutimin lidhur me të ardhmen e qyteteve, të organizuar nga “DokuFesti”, udhëheqësit e dy komunave më të mëdha, përkatësisht kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ai i Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë theksuar se planifikimi i mirëfilltë mundëson krijimin e këtyre vlerave, me ç’rast kontributi i shoqërisë civile është i domosdoshëm.

Problemi i qyteteve të Kosovës, sipas kryetarit Rama, është se institucionet publike nuk kanë mundur ta ndjekin zhvillimin e prirë nga bizneset, i cili pos anëve pozitive mund të sjellë edhe dëme për komunitetin. Ai ka shtuar se programi i tij për kryeqytetin parasheh disa intervenime strategjike me qëllim të krijimit të vlerës shoqërore në pjesë të ndryshme të qytetit.

“Mirëpo, në anën tjetër nëse ne nuk i paraprijmë me planifikime të mirëfillta, me bazë, me pas krijimin e vlerës shoqërore jo vetëm metrave katrorë atëherë mundemi edhe për një periudhë kohore shumë të shkurtër me i pru qytetet deri në atë pikë ku edhe fillojnë me vdekë. Si fillojnë me vdekë? Kur ne e mbysim vlerën shoqërore, kur ne fokusohemi vetëm në aspektin material, metra katrorë, duke i lënë anash nevojat për vende të gjelbra, vende rekreative, vende sportive, për shkolla afër vendeve ku banojmë, për vende të punës afër vendeve ku banojmë, për infrastrukturë të mirëfilltë, në ndërlidhje, duke pasur parasysh gjithmonë edhe natyrën. Atëherë zhvillimi i hovshëm shumë lehtë mund të jetë i dëmshëm dhe negativ për qytetet e ndryshme, e në këtë aspekt po flas pikërisht për kryeqytetin”, ka thënë Rama.

Sa i përket planifikimit, ai ka përmendur edhe nevojën e ndryshimit të metodologjisë së deritanishme për përfshirjen e qytetarëve në diskutime publike.

“Pjesëmarrja e qytetarëve ka rëndësi të madhe, jo të ftohen në komunë, por me shku ne në zonat ky qytetarët jetojnë edhe aty të bëjë punëtori e takime pune me ta, për me i dëgju kërkesat që i kanë”, është shprehur Rama.

Ndërsa kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pohuar se gjendja e trashëguar në qytetet e Kosovës është pasojë e mosveprimit gjatë një periudhe më të gjatë kohore dhe se tani duhet punuar për zvogëlimin e pasojave negative. Ai ka theksuar se plani i tij parasheh ruajtjen e Qendrës Historike të qytetit dhe zhvillimin e pjesës periferike, dhe se për zbatimin e këtij vizioni pushteti lokal ka nevojë për ide që vijnë prej shoqërisë civile.

“Në vizionin tim dhe të ekipit tim për zhvillimin e qytetit përveç ruajtjes së pjesës historike të trashëgimisë kulturore edhe mundësisë për turizëm, është edhe pjesa e ndërtimeve, pjesa e rrugëve, komplekseve afaristo-banesore, të cilat do të ndërtohen në periferi të qytetit”, ka thënë Totaj.

Ai ka pranuar se procesi i përgatitjes së dokumenteve të planifikimit hapësinor në nivelin lokal është realizuar me një renditje të përmbysur.

“Plani Zhvillimor Komunal duhet të miratohet fillimisht e pastaj prej tij derivojnë hartat zonale. Te ne ka ndodhur e kundërta. Hartat zonale janë miratuar e tani duhet të bëhet Plani Zhvillimor Komunal. Megjithatë, duhet ta shfrytëzojmë këtë proces të krijimit të PZHK-së për t’i korrigjuar ato mangësi që ekzistojnë te hartat zonale. Procesi i krijimit të PZHK-së do të jetë transparent e gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Totaj.

Krahas këtyre aspekteve, të dy kryetarët kanë theksuar se kanë angazhime të përditshme për të krijuar infrastrukturë më të përshtatshme për kulturën, por edhe për shtimin e diversifikimin e ofertave kulturore.

“Kultura i jep shpirt qytetit”, ka thënë Rama, duke numëruar disa prej projekteve e manifestimeve që do të realizohen në Prishtinë. Ngjashëm është shprehur edhe Totaj, duke përkujtuar se Prizreni është kryeqendër kulturore dhe se këtë epitet do ta ruaj me organizimet e tanishme, por edhe me projektet e reja, si Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, pastaj Festivali i Rockut dhe të tjerë.