Kulturë

“Prishtina Art” bashkon artistët për t’iu dhënë ngjyrë temave globale

Janë vepra të punuara me penj. Nëpërmjet një teknike aspak të lehtë, Qëndresa Kllokoqi nëpërmjet ekspozitës “Linja e artit” ka paraqitur portrete, elemente të trashëgimisë historike e kulturore e deri te përkrenarja e Skënderbeut. Ekspozita ka qëndruar e hapur vetëm për pak orë. Të hënën ka qenë shfaqja e parë dhe e fundit e veprave. Me të është hapur programi pesëditor i edicionit të pestë të kolonisë artistike “Prishtina Art”, ku janë bashkuar 70 artistë vendorë e të huaj

“Linja e artit” ka qenë më shumë se art. Veprat e Qëndresa Kllokoqit përtej estetikës e vlerave reflektojnë përkushtimin, pasionin e dashurinë. Mbi të gjitha, trajtimin me kujdes. Penj me ngjyra përshkojnë me saktësi absolute gozhdët e vendosura në të njëjtën distancë rreth kornizës. Me ekspozitën personale të Kllokoqit është hapur edicioni i pestë i kolonisë artistike “Prishtina Art”.

Artistes i ka mjaftuar pasioni për ta përvetësuar mjeshtërinë për t’iu dhënë formë edhe figurave më sfiduese. Teknika që kryesisht njihet për elemente dekori në vepra të tilla, Qëndresa Kllokoqin e ka ekspozuar shumë të thellë në punimet e saj tejet realiste. Portreti bardhezi i një fëmije me anë të penjve sjell tejet qartë fytyrën e dritëhijet e punimit.

Figura e luanit duket tejet realiste. Në çdo detaj e ka perfeksionuar figurën, aq sa ngjan në pikturë. Por i është dashur të kombinojë përshkimet e penjve në pllakate e madje edhe ngjyrat e penjve t’i bashkojë për të formuar nuancat e duhura për veprën. Më delikate dhe e ndërlikuar ngjan imazhi i përkrenares së Skënderbeut.

Figurat më abstrakte ia ka kushtuar anës së dekorit. U ngjajnë luleve e diellit. Kryesisht janë minimaliste në formë e në ngjyrat që ka përdorur. Në disa ka përdorur edhe materialin e drurit për t’iu shtuar finesë veprave.

Autorja e tyre, Qëndresa Kllokoqi, ka thënë se veprat i kanë marrë tre vjet punë.

“Është një teknikë ndryshe prej atyre që punohen zakonisht, është ‘string art’ me penj dhe dru. Kam filluar të punoj para katër vjetëve. Tash është viti i katërt që punoj me ‘string art’. Këtu janë disa punime që i kam bërë këta dy-tre vjetët e fundit”, ka thënë Kllokoqi.

Sipas saj, për të punuar me këtë teknikë duhet një sy më i mprehtë ku domosdoshmërisht duhet të dallohen ngjyrat, format e dritëhijet.

“’String arti’ më shumë anon nga ana estetike, por ka mundësi të eksplorojë edhe teknika të ndryshme. Unë kam eksperimentuar me të gjitha teknikat e ‘string artit’, duke filluar prej atyre më shumë tematike e deri tek ato më artistike që janë më të preferuarat e mia. Pra kam zgjedhur një larmi”, ka thënë autorja e veprave të ekspozuara në katin e parë të hotelit “Grand” në kryeqytet.

Piktori Hajrush Fazliu e ka vlerësuar ekspozitën si ndërlidhje të artit me format e stilet e ndryshme që gërsheton Kllokoqi.

“Ky edicion për dallim nga të tjerët fillon me një ekspozitë personale të një artisteje që vjen jo nga shkolla e artit, por më tepër nga pasioni, dëshira e dhuntia e saj mbi artin që ajo edhe e krijon. Qëndresa artin e vet e mbështet mbi intelektin e saj me kreativitetin, me pasionin, emocionet e saj, por mbi të gjitha me një teknikë të veçantë që ne profesionistët e quajmë kolazh, me elemente të ndryshme që gërshetohen përmes penjve, gozhdëve, drurit, panelit, hapësirës e shumë e shumë të tjera, për ta varur identitetin e saj artistik dhe krijues”, ka thënë Fazliu.

Ekspozita ka qëndruar e hapur vetëm për pak orë. Të hënën ka qenë shfaqja e parë dhe e fundit e veprave. Me të është hapur programi pesëditor i edicionit të pestë të kolonisë artistike “Prishtina Art”.

Drejtoresha artistike e ngjarjes, turkja Meryem Cavga, ka thënë se kolonia artistike është vendi ku dallimet mes individëve hiqen.

“Është koloni shumë e mirë. Jemi 70 artistë nga vende të ndryshme. Ndoshta jetojmë në vende të ndryshme, por ndajmë të njëjtin shpirt. Mund të mos flasim të njëjtën gjuhë, por kuptohemi mirë. Sepse jemi artistë. Ne ndajmë gjërat e njëjta. Më e rëndësishmja është akomodimi këtu. Kjo është hera e dytë për mua që jam këtu. Por do të kthehem prapë me siguri, sepse ndihem si në shtëpinë time”, ka thënë Cavga derisa ka thënë se për të është hera e dytë që vjen në Prishtinë.

Hapësirën e punës e ka vlerësuar edhe si vend ku harrohet bota jashtë.

“Ne jo vetëm që pikturojmë, por ndajmë të gjitha problemet, ndodhitë. E vizitojmë njëri-tjetrin krejt kohën. Arti është shumë i lehtë, por nganjëherë shumë i vështirë, sepse artistët e komplikojnë”, është shprehur tutje udhëheqësja artistike e “Prishtina Art”.

Drejtori i organizatës me të njëjtin emër, që e organizon kolonë artistike, Blerim Gërguri, e ka vlerësuar “Prishtina Art” si prej ngjarjeve më të mëdha në vend dhe jo vetëm.

“E them hiç pa modesti se organizimi i ‘Prishtina Art’ është prej organizimeve më të mëdha në vend, ndodh edhe në rajon, ku përfshin numër shumë të madh të artistëve ndërkombëtarë, me renome, profesorë të ndryshëm, gjithashtu edhe ata vendorë. Kjo e bën madhështore jo vetëm për nga numri i pjesëmarrësve, por edhe për nga cilësia e punimeve”, ka thënë Gërguri.

Ai ka treguar se organizata joqeveritare ka tetë vjet që vepron, ndërsa zyrtarisht është regjistruar tash e tre vjet.

Për pesë ditë, rreth 70 artistë të të gjitha moshave nga mbi 15 vende të botës do të punojnë së bashku në njërën prej hapësirave të hotelit “Grand” në kryeqytet. Aty veçse ka marrë formë atelieja. Ngjyrat kanë nisur të shtresohen e të formësohen produktet finale. Ato do të ekspozohen në ditën e fundit të ngjarjes, më 30 dhjetor. Me ekspozitën kolektive të krejt artistëve mbyllet ngjarja.

“Do të kemi mbi 70 artistë nga më shumë se 15 vende të ndryshme. Nga Evropa, Azia e Afrika. Sonte po e hapim këtë edicion me ekspozitën personale të artistes Qëndresa Kllokoqi, ndërsa në pesë ditët në vazhdim artistët pjesëmarrës do të jenë duke punuar dhe në fund të këtij edicioni do të jetë ekspozita përmbyllëse kolektive me veprat e artistëve pjesëmarrës”, ka thënë Amire Demolli, kuratore e edicionit të sivjetmë.

Pjesëmarrës sivjet në ngjarje janë francezi Jeff Roland, Ali Sinani, bullgari Mishel Valcheva, Blerina Hajdari, Mirsad Oamani, Fatos Bylykbashi, turkja Jasemin Bar, Edmond Dhrami, Fitore Fejzullahu, Klara Fyshku, maqedonia Jasmina Krtoska, belgu Sattar Nama, egjiptiani Bassant Fathi, Eduart Karaj, Besart Nevzadi, Hyrije Shaqiri e Valmire Fejzullahu.

Në edicionin që zhvillohet nga 25 deri më 30 dhjetor artin e tyre do ta shpalosin edhe turki Nevin Halis, Agron Ujkashi, norvegjezja Renata Prokopcika, braziliania Elisa Carreno, Sajmir Strati, Resul Jusufi, Ergyn Arda, Amarildo Ruqi, Shqipërim Fejzullahu, Berat Zulbehari, turkja Sibel Benek, britanikja Lina Ogaily, italiania Anita Monoscalco, Siuet Yi Chan nga Kina, Raghda Amed nga Egjipti, Fatlon Ibishi, Axherko Mazelxhiu, Safet Spahija, Syarta Lufi, Mirela Traistaru nga Rumania dhe Aliriza Benek nga Turqia. Krejt këta janë artistë nga shtetet e huaja, Shqipëria, e nga vendet e tjera shqipfolëse në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi.

Nga Kosova marrin pjesë artistët: Zake Prelvukaj, Kamuran Goranci, Ariana Bekteshi, Zeni Ballazhi, Drnueta Berisha, Musë Kalaveshi, Mirjeta Qehaja, Hekuran Sokoli, Dhurata Begolli, Xhevdet Pantina, Musë Prelvukaj, Bleta Cakiqi, Agron Mulliqi, Fjolla Ferati, Skender Boshtrakaj, Milaim Janova, Kosovare Muji, Veton Gusia, Fehmi Hoxha, Vjosa Maliqi, Skender Idrizi, Melisa Ukshinaj, Anton Krasniqi, Bardha Buza, Hajrush Fazlia, Refki Gollopeni, Merita Maloku, Muhamet Ahmeti, Luljeta Rama, Sabri Behrami, Miradije Ramiqi, Saba Berisha, Emnesa Rukiqi, Fitore Rama dhe Zaki Osmani.

Gjithashtu do të marrin pjesë edhe artistët e rinj, ndërsa të gjitha ngjarjet do të mbahen në hotelin “Grand” në kryeqytet

Për pesë ditë aty do të zhvillohen punëtori, biseda, aktivitete argëtuese e mbrëmje me muzikë, ndërkohë që pos ekspozitave do të ketë edhe vizita në institucionet e artit në kryeqytet e shfaqje teatrore. “Frigoriferi i luftës” me autor Naser Shatrollin do të jepet premierë më 27 dhjetor.