Kulturë

“PriGlobal” nis me filmin që e prek krizën identitare dhe përpjekjen për rilindje

“PriGlobal” nis me filmin që e prek krizën identitare dhe përpjekjen për rilindje

Këto aktivitete që i prijnë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Pri Film Fest” janë aktivitete vjetore që kanë filluar prej vitit të kaluar, të cilat përveç festivalit që mbahet në shtator, kanë për synim që të organizojnë edhe aktivitete të rregullta vjetore gjatë krejt vitit

Pas javës së filmit dokumentar “PriDox” ku janë dhënë tre filma dokumentarë, të martën ka filluar java e filmit “PriGlobal” me filmin “Pinksterprins”, nën regjinë e holandezit Karsten de Vreugd dhe me skenar të Don Duyns dhe vetë De Vreugd. Shfaqjes së filmit, i cili është prodhim holandez, i ka prirë një performancë solo nga Elsa Mala, e cila në hapësirat e tarracës së restorantit, që shërben edhe si vend për aktivitete kulturore “Edhe” në Prishtinë, ka kënduar me kitarë

“PriFest” ka frymuar prapë në qiell të hapur në vazhdën e shfaqjes së filmave ndërkombëtarë të metrazhit të gjatë. Pas javës së filmit dokumentar “PriDox” ku janë dhënë tre filma dokumentarë, të martën ka filluar java e filmit “PriGlobal” me filmin “Pinksterprins”, nën regjinë e holandezit Karsten de Vreugd dhe me skenar të Don Duyns dhe vetë De Vreugd. Shfaqjes së filmit, i cili është prodhim holandez, i ka prirë një performancë solo nga Elsa Mala, e cila në hapësirat e tarracës së restorantit, që shërben edhe si vend për aktivitete kulturore “Edhe” në Prishtinë, e ka kënduar me kitarë një duzinë këngësh.

Këto aktivitete që i prijnë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Pri Film Fest” janë aktivitete vjetore që kanë filluar prej vitit të kaluar, të cilat përveç festivalit që mbahet në shtator, kanë për synim që të organizojnë edhe aktivitete të rregullta vjetore gjatë krejt vitit.

Filmi që u dha të martën e trajton temën e krizës identitare dhe përpjekjes për rilindje. Thomas Fontein (Jonas Smulders) jeton në një mjedis të qetë religjioz dhe e ka një grua që e do shumë. Me një pozitë të favorshme në kishën pentakostale holandeze, ai i posedon privilegjet për t’i inspiruar të rinjtë. Kjo punë i shkon për vije, derisa një ditë prijësi i kishës Daniël Kooij (Daniël Boissevain) e ka në plan ta zgjedhë pasardhësin e vet në pozitën e prijësit. Nisur me plot shpresë e entuziazëm, Thomasi e merr vesh që nuk do ta trashëgojë pozitën dhe kjo është pika kur ai e “merr tatëpjetën”.

Bazuar në historinë e jetës së vetë regjisorit dhe skenaristit de Vreugd, në film, djali nuk ka dëshirë ta zhgënjejë familjen e vet, por nga ai çast e tutje përjeton krizë identitare, përballet me dilema të thella shpirtërore dhe me dyshime që e sfidojnë besimin e tij. Në përpjekje për të rilindur, ai lufton me të gjitha sfidat që i dalin përpara, tenton ta rigjejë veten dhe të ndihet rehat në mjedisin që e rrethon.

Para serisë “PriGlobal” është mbajtur java e filmave dokumentarë “PriDox”, ku në ambientin e njëjtë janë dhënë filma dokumentarë nga rajoni dhe më gjerë. Nga Sllovenia kishte ardhur si premierë ndërkombëtare dokumentari “New Classmates” i regjisorit Toni Cahunek; “Democracy Noir”, dokufilm nën regjinë e Connie Field ishte shfaqur si premierë rajonale, bashkëprodhim mes Danimarkës, Gjermanisë e Shteteve të Bashkuara; ndërkaq nga Maqedonia e Veriut, për herë të parë jashtë vendit është dhënë dokumentari “Promised Land” me regji të Qendrim Rijanit.

E, në hyrje të dhënies së filmave artistikë të metrazhit të gjatë, javën e ka nisur filmi holandez “Pinksterprins”, për të cilin regjisori ka thënë se është i bazuar në historinë e jetës së tij. Ai ka treguar për tranzicionin prej fëmijërisë drejt maturisë dhe se si çdo gjë mund të ndryshojë gjatë këtij procesi.

“Bazohet në historinë e jetës sime, ky jam unë. Kam qenë anëtar i kishës pentakostale, nuk e di nëse ju këtu në Kosovë keni kësi lloj kishash, por janë shumë të zakonshme në Holandë dhe në Amerikë. Janë kisha ku me të vërtetë besohet se zoti mund t’i shërojë njerëzit, andaj ky film ka të bëjë me rrugëtimin tim për të kuptuar nëse përshtatesha në këtë, ngase si fëmijë është shumë e lehtë të besosh në zot, por derisa rritesh, të lindin pyetje, e përmes këtij filmi jam përpjekur ta tregoj këtë”, ka thënë për KOHË-n regjisori i këtij filmi, Karsten de Vreugd.

Nuk është kjo hera e parë që regjisori vjen me punë në Prishtinë. Ai ka treguar se përveç dhënies së këtij filmi, para dy vjetësh e pati dhënë një film dokumentar në këtë ngjarje, dhe për më tepër, dy vjet para asaj dhënieje, ai ka qenë pjesë e jurisë profesionale të vlerësimit të filmave.

“Kjo është premiera ndërkombëtare dhe jam shumë i lumtur ta prezantoj këtu, meqë e dua shumë Prishtinën dhe Kosovën, njerëzit këtu, andaj jam i nderuar që filmi është shfaqur këtu. Kjo është hera ime e tretë në Prishtinë, kam qenë këtu në vitin 2021 si anëtar i jurisë në ‘PriFest’ dhe më 2023 e kam prurë një dokumentar në ‘PriDox’. Më pëlqen shumë atmosfera e festivaleve këtu, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe ky lokacion është i mrekullueshëm”, ka shtuar regjisori holandez.

Përderisa shfaqja e filmit “Pinksterprins” e ka hapur me sukses javën “PriGlobal”, prania e regjisorit dhe komunikimi i tij i drejtpërdrejtë me audiencën, sipas drejtorit të festivalit, Fatos Berisha, e kanë shtuar vlerën e përjetimit filmik.

“Sot e hapëm javën e ‘PriGlobal me një film holandez që për ne ishte me rëndësi, sepse ishte edhe premierë ndërkombëtare, pra ky film, përveç në Holandë ku është vendi i origjinës, është hera e parë që shfaqet jashtë Holandës nga regjisori Karsten de Vreugd. Një film që e pamë edhe nga këto pyetjet dhe diskutimet e audiencës pas filmit e zgjoi një interesim goxha të madh nga publiku që ndenjën dhe bënë pyetje të shumta regjisorit. Pas këtij filmi, nesër e kemi një film nga Polonia dhe pasnesër një film nga Gjermania, të dy këta filma janë premiera rajonale”, ka thënë ai, duke lajmëruar se do të jepen edhe filmat “Go Against the Flow” nga Polonia nën regjinë e Wieslaw Paluch dhe “Traumnovelle” nga Gjermania nën regjinë e Florian Frerichs të mërkurën dhe të enjten përkatësisht.

Diskutimet që e kanë pasuar filmin, kanë dëshmuar për kapacitetin e artit kinematografik për të nxitur reflektim dhe bashkëbisedim. Për organizatorët, kjo përvojë e përbashkët mes krijuesve dhe shikuesve është ndër qëllimet kryesore të serive të shfaqjeve verore të “PriFestit”.

“Me këta e përfundojmë ciklin e këtyre eventeve verore ta quajmë, që po mbahen për herë të parë në këtë hapësirë në ‘Edhe’, në këtë ambient të jashtëzakonshëm, i cili për mendimin tim dhe për disa, po e kuptoj prej njerëzve, po u pëlqen shumë si ambient, që po e shijojnë kinemanë dhe po e shijojnë shoqërinë dhe muzikën para e pas filmit, kështu që po më duket një lokacion shumë i mirë e i përshtatshëm për Prishtinën, verës në këtë freski, në këtë lartësi edhe për kualitetin e projeksionit dhe zërit”, ka shtuar Berisha, i cili është drejtor i Festivalit të Filmit “PriFest”.

Audienca, që në numër ka qenë e konsiderueshme për një natë vere në Prishtinë, ka treguar përkushtim të rrallë jo vetëm për ta parë filmin, por edhe për t’i përfshirë në diskutim temat që ai i trajtonte.

“Prej këtij aktiviteti të javës së fundit, kjo është e vetmja shfaqje, i vetmi film që arrita të vij ta shoh dhe më bëri shumë përshtypje, më pëlqeu sigurisht se është shumë ndryshe prej shumë filmave që shohim, por ajo më bëri përshtypje më së shumti ishte sinqeriteti pa filtër i rrëfimit të regjisorit. E para, duhet guxim që të arrish ta paraqitësh jetën tënde me kaq sinqeritet, kaq hapur, të pafiltruar para një publiku. E dyta, është po ashtu guxim i madh t’ia pranosh vetes që duhet të bësh ndryshime në jetë, lëre më të arrish t’i fusësh në film. E treta, të shkosh në një vend të huaj dhe ta paraqesësh një film të tillë, rrëfimin e jetës tënde para një audience që prapë nuk të njeh dhe nuk e di a do të të gjykojë, si do të të vlerësojë e a do të të nënçmojë”, ka thënë për KOHËN Bora Shpuza, e cila është punonjëse në arsim dhe artdashëse.

Përveç që e ka vlerësuar sinqeritetin e regjisorit, ajo e ka parë filmin si një rast për të hapur dialog mbi normat shoqërore dhe presionet që ato sjellin.

“E vlerësoj regjisorin shumë për faktin se është këtu, po ashtu e vlerësoj shumë ‘PriFestin’ që kanë arritur ta bien një frymë të tillë këtu, se edhe ne në Kosovë kemi nevojë të mendojmë, t’i rivlerësojmë ato vlerat tradicionale tonat dhe ta hapim pak mendjen në drejtim të asaj që ka të bëjë me mënyrën se si rritemi, se si prindërit tanë, rrethi dhe shoqëria mendojnë se duhet të jemi, por s’është e thënë që ne jemi ata që mendojnë rrethi jonë, kështu që definitivisht është film që mendoj se është mirë të bjerë më shumë njerëz dhe pas filmit të ketë diskutime më të gjata, sepse këto janë çështje dhe tematika që na prekin krejtve”, ka treguar Shpuza.

Ditëve të sotme, kur diskutimet rreth identitetit, besimit dhe pritshmërive shoqërore janë më të rëndësishme se kurrë, “Pinksterprins” ka ardhur si një thirrje e butë, por e thellë për të menduar ndryshe. “PriFest”, në kujtesë të përhershme për themeluesen Vjosa Berisha, përmes shfaqjeve si kjo, ka dëshmuar se festivali nuk është vetëm një ngjarje e radhës në kalendarin kulturor, por një platformë për ballafaqim me veten dhe me tjetrin. Në Prishtinën që rritet e hapet gjithnjë e më shumë ndaj botës, filmat e tillë e shndërrojnë një mbrëmje vere në një përvojë kolektive ku arti nuk është vetëm argëtim, por udhërrëfyes i brendshëm.