Kulturë

“Prejardhje” animon artefaktet në kërkim të rrënjëve

Artefaktet e këtyre anëve që datojnë qindra e mijëra vjet më parë marrin formë nëpërmjet animacioneve e ilustrimeve, duke u shpirtëzuar nëpërmjet teknologjisë. “Prejardhje” nuk është thjesht një paraqitje eksponatesh, të dhënash për to, por është një lloj thirrjeje për gjurmimi rrënjësh. Të projektuara në dhomën e errët të Galerisë së Arteve në Ferizaj, ekspozita i bën të afërta për vizitorët

“Prejardhje” vjen si këndvështrim tjetër i arkeologjisë. Ekspozita e hapur në Galerinë e Arteve ne Ferizaj i paraqet artefaktet si ilustrime e animacione. Nën tingujt e okarinës nëpërmjet projektorëve u paraqit Hyjnesha e Varoshit, Helmeta Ilire, Okarina, Urna e të tjera. Artefaktet shfaqen në dhomën e errët, bashkohen edhe me siluetat e vizitorëve.

Në pamundësi që ato të jenë fizikisht pjesë e ekspozitës, e cila u hap të hënën mbrëma, kuratorët më pjesën tjetër të ekipit e panë këtë si mundësi për disa ndërhyrje.

Helmeta ilire u projektua në mur me brushën e kuqe sipër, e cila tash i mungon, e dikur ishte karakteristikë e helmetës. Në imazhin e okarinës – artefakti i kohës se neolitit, i gjetur në Runik e që mbahet në Beograd bashkë me 1243 artefakte të tjera – fryma e muzikantit hyn e del nga vrimat e saj. E copëzat e thyera të urnës bashkohen për ta formësuar këtë enë shumë të përdorur në të kaluarën.

En Sylejmani, njëri nga kuratorët e ekspozitës, thotë se ndërhyrjet janë bërë për të treguar se si dikur janë dukur këto eksponate dhe se çfarë funksioni kishin.

Image
Helmeta ilire u projektua në mur me brushën e kuqe sipër, e cila tash i mungon, e dikur ishte karakteristikë e helmetës

“Këto janë artefakte të cilat realisht nuk mund të sillen fizikisht në ekspozitë se janë në kushte të veçanta. E ne kemi dashur që këto të njëjtat t’i ilustrojmë edhe disa prej tyre t’i bëjmë animacione. Jemi munduar që disa prej tyre t’ua kthejmë disa prej vetive që i kanë humbur, për shembull te helmeta Ilire brusha e cila nuk është më, ne kemi dashur që ta ofrojmë atë ndjenjën që kështu ka qenë dhe nuk është më”, ka thënë Sylejmani.

Marrë parasysh faktin se natyra e ekspozitës digjitale vjen më komplekse, Sylejmani dhe Fortunë Haziri punuan nga afër edhe me pjesën tjetër të ekipit.

Si ide endej nëpër mendjet e tyre që nga viti 2021 dhe thonë se asnjëherë nuk mundën ta paramendonin kësisoj.

Se si ka marrë formë ekspozita i ka habitur edhe vetë ata, duke i tejkaluar pritshmërinë e tyre.

“Ekspozitën ‘Prejardhje’ e kemi pasur në plan qe një vit. Ka qenë projekt që e kemi pasur në plan më herët me bashkë me Fortunën. Gradualisht kemi mbërri me e mbledhë materialin që na është dashur për ta realizuar ekspozitën. Puna ka shkuar shumë mirë, jam shumë krenar me Drenin dhe me Gentritin, të cilët janë shumë të ri edhe kanë mbërri që kaq mirë ta realizojnë këtë punë”, ka thënë ai, duke treguar edhe për kushtet në cilat u realizua ekspozita.

Image
Në imazhin e okarinës – artefakti i kohës se neolitit, i gjetur në Runik e që mbahet në Beograd bashkë me 1243 artefakte të tjera – fryma e muzikantit hyn e del nga vrimat e saj

“I kemi pasur më të vështira saqë e kemi menduar meqenëse është një ekspozitë më e veçantë, duke e marrë parasysh se është ekspozitë digjitale”, ka thënë ai.

Në kuadër të temës së “MuralFest”, On(Off)line u paraqit edhe “Prejardhje”, si ngjarje përmbyllëse e edicionit të pestë të Festivalit të Muraleve.

Në një kohë kur shoqëria po e përcjell një dinamikë sa i përket zhvillimit të hovshëm teknologjik, ekspozita digjitale, sipas Hazirit, ishte e pashmangshme.

“Ekspozita lidhet me temën vjetore që e ka pasur ‘MuralFest’, Online/Offline. Kur jemi duke e përcjellë një dinamikë e cila po na detyron me e ndjekë zhvillimin teknologjik, shpeshherë po i harrojmë rrënjët tona”, ka thënë Haziri.

Nevoja për ta eksploruar të kaluarën që të reflektohet teK e ardhmja, është mesazhi thelbësor të cilin kuratorët synojnë që ta përçojnë te publiku.

“Kjo është në njëfarë mënyre përpjekje që të rikthehemi në rrënjët tona dhe aty të gjejmë elemente të cilat neve na inspirojnë për të ardhmen”, përfundoi ajo.

Meqenëse ekspozita zuri vend në Ferizaj, një pjesë e artefakteve që u paraqitën janë gjetur pikërisht në Ferizaj dhe rrethinë, si Hyjnesha e Varoshit, e urna.

“Kemi tentuar që t’i nxjerrin disa prej elementeve kryesore, në të njëjtën kohe ka qenë ideja për të me gjetur gjëra të cilat janë artistikisht mirë të punuara, më mënyrë që lidhja me ‘MuralFest’ të jetë më e fortë. Këto materiale nuk ka qenë e vështirë të gjenden e për këtë e falënderoj shumë profesor Arben Hajdarin, i cili na ka ndihmuar shumë. Edhe ne si ekip jemi munduar që t’i mbledhim ato materiale që tregojnë më tepër për identitetin tonë”, ka thënë kuratorja e ekspozitës për gjetjen e materialeve.

“Prejardhje” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5 shkurt.