Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Prej shqiptarit të parë në Amerikë deri te pavarësia e Kosovës

“Shqipëria po përpiqet për vetveten”, ishte përgjigjja e tij në majë të gjuhës të premten e 3 janarit të vitit 1919 në një nga seancat e Senatit Amerikan. Asokohe 67-vjeç, një zotëri me pamje impozante ishte bërë një nga mbrojtësit më të spikatur të shqiptarëve pranë presidentit Woodrow Wilson.

Një vizitë e beftë në “vendin e shqipeve” kishte bërë që senatori nga Massachusettsi, George Fred Williams, të përftonte një botëkuptim të ri të botës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota”, ishte gjithçka që mund të nëpërdhembte duke kujtuar një fjalë të kryeministrit suedez, Usensherna.

Kishte qenë ministër fuqiplotë i Amerikës në Greqi dhe Mal të Zi, por intuitivisht po nuhaste se gjërat po ecnin ters për Shqipërinë ani pse fuqitë e mëdha i kishin dhënë garanci formale. Duke dhënë dorëheqje nga posti i tij diplomatik, Williams së shpejti u bë avokati më i zëshëm i shqiptarëve me aq pak miq, transmeton KOHA.

Në artikuj e fjalime thoshte se shqiptarët nuk janë të egër e të rrezikshëm, siç thuhej poshtë e përpjetë nga diplomatë të ndryshëm, porse ishin fisnikë, trima, të ndershëm e liridashës.

“Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri dhe i popullit shqiptar që domethënë toka dhe bijt e Shqipes”, shkruante në faqet e para të librit të tij “The Skypetars”, të botuar më 1915 në Boston.

Duke i bërë të tijat pikëpamjet e studiuesve të kohës si Muller e Pot, amerikani shqiptardashës e përfytyronte “vendin e shqipeve” si toka prej të cilës Homeri mori heronjtë e tij.

“Nuk janë turq sikurse shumë e mendojnë; përpara kanë qenë të gjithë të krishterë, por gjatë shekujsh pjesa më e madhe është kthyer në besimin muhamedan – shkruante Williams – dhe gjuha shqipe është aq e dallueshme nga gjuhët e tjera të Evropës sikurse është gjuha kelte dhe baske”.

“Shqiptarët, një popull me virtyte”

Sipas amerikanit që sakrifikoi postin e diplomatit për të folur lirshëm për shqiptarët, historia e Shqipërisë ishte “një shënim i gjatë shkeljesh, plaçkitjesh dhe gjakderdhjesh”.

“Ky popull është shembulli më i madh i të mbajturit të moralit dhe meritave të trashëguara, për fisnikërinë dhe për kapacitetin e tij që, megjithëse për shekuj me radhë ka qenë nën ndikimin tiranik dhe zhvleftësues, e mban prapë kryet lart, nuk i ka humbur shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam Shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit. Dhe për këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë virtytesh të pastërta e shembullore”, thotë Williams në të njëjtin libër, i cili u përkthye në Tiranë në vitin 1934 nga Shaban Balla.

Gjithnjë sipas Williamsit, Shqipëria, pavarësisht se vend i vogël e i prapambetur, ishte faktori kryesor i problemeve të Lindjes, “mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje”.