Nuk është i zakonshëm një koncert i Filharmonisë së Kosovës në Portugali. Pos historik – si i pari koncert në këtë vend – ai s’e ka vetëm peshën e një ngjarjeje kulturore, por edhe të njohjes e të shpalosjes së historisë së këtij vendi, traditës e kulturës së tij. Bazuar në imazhet e para, Filharmonia e ka arritur këtë. Koncertin e ka nisur me “Bareshën” e Rexho Mulliqit, por ka pasur edhe një befasi nga sopranoja Arta Jashari. “Pas Parisit dhe pandemisë që ndali në gjysmë disa prezantime ndërkombëtare të Filharmonisë, kjo në Portugali është pikëndalesa më e rëndësishme e prezantimit të institucionit në dekadën e fundit”, ka thënë Dardan Selimaj, menaxher i Filharmonisë
Madhështia e një përfaqësimi shtetëror rëndom bëhet me paraqitje të institucioneve të kulturës. Pas një pauze shkaku i pandemisë, Filharmonia e Kosovës i është kthyer “shëtitjes” nëpër vendet evropiane. Qe spektakël më vete më 2019, kur në Paris, në 20-vjetorin e çlirimit të shtetit më të ri në Evropë, ky institucion nëpërmjet artit shpalosi rrëfime tmerri. Por shkoi edhe më tej duke bërë që një popull që para dy dekadash ishte në luftë e ende ka mbi një mijë civilë të pagjetur, të dërgojë mesazhe paqeje në qytetin e dritave.
E sivjet, institucioni më i lartë muzikor në vend kaloi kufijtë duke shkuar në Portugali. Filharmonia me Korin dhe Orkestrën është kryefjala e Javës Kulturore të Kosovës në shtetin në Gadishullin Iberik, që organizohet për herë të parë, dhe pos koncerteve çon atje edhe vepra arti, shfaqje filmash, tituj shqip e të tjera ngjarje.
Me muzikë që përfaqëson krijimet tipike shqiptare, aso që prek luftën e jep mesazhe paqeje, Filharmonia të hënën mbrëma mbajti koncert në qendrën kulturore “Belem”, më të madhen e Lisbonës. Por institucioni ka pasur edhe befasi për audiencën e sallës që numëron mbi një mijë e 400 ulëse.
“Baresha” unike si uverturë për tingujt shqip
Në sallën impozante fillimisht ka zënë vend vetëm Orkestra e institucionit. Nën dirigjimin e maestros Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë, është kujtuar ai që konsiderohet kompozimi më me nam në Kosovë, “Baresha” e Rexho Mulliqit. Kjo vepër është interpretuar pikërisht në vitin kur shënohet 100-vjetori i lindjes së kompozitorit.
Të pranishmit – që sipas pamjeve kanë mbushur një pjesë të madhe të sallës – kanë dëgjuar krijimin muzikor që prek në thelb melosin shqiptar duke e kombinuar atë me muzikë simfonike, mjeshtri që pos Mulliqit zor ta kapë kush tjetër. Në minutat derisa është luajtur kjo vepër, stafi i Ministrisë së Kulturës ka marrë pamje të cilat shpërfaqin atmosferën në sallë. Orkestra e prirë nga dirigjenti Jashari ka futur audiencën në një rrugëtim ku pos melosit shqiptar, është dëshmuar edhe fuqia krijuese e interpretuese e një vendi për të cilin në Portugali pakkush di. E njohuritë e disave zakonisht lidhen me luftën.
Duke shpërndarë videon kur është luajtur “Baresha”, Ministria e Kulturës ka shkruar se bëhej fjalë për një “paraqitje të mahnitshme të Filharmonisë së Kosovës në Lisbonë”. “105 pjesëtarë të Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës performuan sonte në Qendrën e Kulturës ‘Belem’. Ky koncert shumë i veçantë që po mbahet në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Portugali u prit tejet mirë nga publiku”, ka bërë të ditur MKRS-ja. Atje po qëndron edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ovacione për “Canção do Mar” nga Arta Jashari
Të pranishmit në sallë janë befasuar kur Filharmonia ka përzgjedhur që në shenjë respekti për nikoqirët të interpretojë një prej këngëve që është himn i muzikës tradicionale portugeze. Për këtë në skenë e veshur në ngjyrë të zezë është ngjitur sopranoja Arta Jashari. Ajo i ka dhënë zë në stilin e saj këngës së Ferrer Trindade, “Canção do Mar” (Kënga e detit). E kënduar fillimisht nga diva portugeze, Amália Rodrigues më 1955, kjo këngë numëron qindra versione. Bën pjesë në zhanrin e muzikës popullore portugeze fado, që prej vitit 2011 është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si trashëgimi shpirtërore.
Sopranoja Arta Jashari ka thënë se si adhuruese e rrymave të tjera muzikore dhe niveleve të tjera artistike, është munduar të japë maksimumin.
“Si adhuruese e rrymave muzikore sidomos kur flasim për fado, u mundova ta kuptoja shpirtin e muzikës, tekstin, veprën si total”, ka thënë ajo për KOHËN, të martën në një bisedë. Për kohë të shkurtër e ka përgatitur interpretimin.
“Pasi kam kënduar këngë të Nexhmije Pagarushës, shtrirja vokale ishte shumë më e gatshme prej këndimit operistik e klasik dhe ia dhashë një frymë timen origjinale me impostim vende-vende”, ka shpjeguar ajo. Ka treguar se publiku e ka komplimentuar për shqiptimin e gjuhës.
“Madje disa kanë menduan se jam këngëtare portugeze, dhe ishte një kompliment shumë i madh. Në fund ka pasur ovacione dhe kështu arritëm që denjësisht ta prezantojmë një anë tjetër të Kosovës, siç është Filharmonia në tërësi”, ka thënë Jashari, e cila vitin e kaluar në hapje të bienales nomade “Manifesta 14” në Prishtinë ka interpretuar edhe himnin ukrainas.
“Rrugëtimi” përtej zbërthimit të historisë
Pas pikës kushtuar nikoqirëve, në skenë bashkë me Orkestrën ka dalë edhe Kori, duke rrumbullakuar numrin prej 105 artistëve. Institucioni ka vazhduar me shpërfaqjen e potencialit vendor të muzikës. Por gjithashtu edhe me rrëfim historik.
Me premierë në shkurtin e vitit 2021, kur u shënua përvjetori i Pavarësisë së Kosovës, kantata “Rrugëtimi” e Valton Beqirit ka marrë vëmendjen e publikut.
E ndarë në gjashtë kohë, “Kastriotit”, “Rilindjes”, “Qëndresës”, “Mallit”, “Lirisë” dhe “Jetës”, rrëfimi vjen me bazë në melosin e këtyre anëve. E lëvizja me ritëm e ngjyra është mjeshtëri e kompozitorit. Kur krejt kësaj i shtohet edhe interpretimi i Filarmonisë së Kosovës, vepra shkon përtej zbërthimit të historisë. Është një përjetim që ecën prej kohës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri në ditët e sotme. Rilindja, lufta për çlirim, malli për atdheun e liria vijnë nëpërmjet ngjyrave muzikore. Ndjesia forcohet edhe më kur Kori nis të interpretojë vargje të Naim Frashërit, Adem Gashit, Jusuf Gërvallës e Ilir Shaqirit.
“Nëse flasim për një situatë të lëvizjes paqësore nuk ka nevojë për temp të shpejtë, por për një vijë melodike që përkon me atë periudhë. Por kur flasim për luftën e çlirimin kemi tjetër temp”, kishte thënë në premierë autori Valton Beqiri. Emërtimi i veprës ka përkuar me një rrugëtim historik të popullit shqiptar. Në konceptin e kompozitorit, shqiptarët gjithmonë kanë pasur nevojë për një Gjegj Kastriot që t’i bashkojë dhe t’i çojë përpara. Ai në kohën e fundit të veprës, “Jetës”, jep mesazhe paqeje dhe përsërit nevojën për një figurë unifikuese.
“Njeriu me armë” si homazh e thirrje për paqe
Shpërfaqjen e historisë, por edhe mesazhet për paqe, Filharmonia e Kosovës i ka vazhduar me disa pjesë të veprës së kompozitorit uellsian, Karl Jenkins, “Njeriu me armë: Meshë për paqe”. E kompozuar gjatë periudhës së luftës në Kosovë, vepra paraqet përgatitjen për luftë, zhvillimi i saj e britmat e viktimave, por duke shërbyer si një terapi për paqe. Pohimi se pranimi i së vërtetës është hapi kryesor për të shkuar drejt një paqeje, më së miri deshifrohet nëpërmjet përjetimit të fakteve. E vepra e shkruar më 1999, e cila ishte porositur nga Muzeu Mbretëror i Armatimit në Mbretërinë e Bashkuar me rastin e festimeve të Mileniumit, u ishte dedikuar viktimave të Kosovës. E bazuar në meshën katolike, të cilën Jenkins e gërsheton me burime të tjera, kryesisht me këngën folklorike të shekullit XV, “Njeriu me armë” futet thellë në tragjedi. Imazhet e vrazhda të viktimave në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 e kishin frymëzuar kompozitorin që të bënte një alamet vepre. Me interpretimin e Filarmonisë së Kosovës, ajo tejkalon ndjesitë e pamjeve. Muzika e kombinuar me këngë shndërrohet në një dramë emocionale, që zor kush mund t’i shmanget. E njëjta ishte interpretuar edhe në Paris në majin e vitit 2019 në kompleksin historik të katedrales “Saint-Louis-des-Invalides”.
Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se pas Parisit dhe pandemisë që ndali në gjysmë disa prezantime ndërkombëtare të Filharmonisë, kjo në Portugali është pikëndalesa më e rëndësishme e prezantimit të institucionit në dekadën e fundit.
Ka treguar se si ide e kishte diskutuar me ambasadorin e Kosovës në Lisbonë, Ylber Kryeziu, qysh vitin e kaluar.
“Portugalia është një vend me të cilin Kosova nuk ka shkëmbime kulturore, ose janë tejet të pakta. Jemi të lumtur që ndodhi tani, ndoshta në një format edhe më të plotë në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës, ndryshe nga që ishte menduar fillimisht”, ka thënë ai.
Ka treguar se pritja nga stafi dhe ekipi i qendrës kulturore të “Belemit” në Lisbonë ka qenë një ndihmesë e madhe, e kështu edhe e publikut portugez i cili nga komunikimi me ta duket se ka pak informacion për Kosovën.
“Ata që kanë dëgjuar për Kosovën nuk dinë shumë përtej luftës. Bashkë me mikpritjen portugeze, ekipi i Ambasadës se Kosovës ka qenë jashtëzakonisht mbështetës”, ka thënë ai. Sipas Selimajt, ky prezantim nëpërmjet programit shënon edhe disa përvjetorë të rëndësishëm, përveç 15-vjetorit të Pavarësisë edhe 100-vjetorin e lindjes se Rexho Mulliqit.
“Po ashtu edhe 20-vjetorin e themelimit të Korit të Filharmonisë, i cili paraqitjen e parë publike e ka pasur më 1 prill të vitit 2003. Njëherësh edhe qendra ‘Belem’, një sallë me infrastrukturë për t’u marrë shembull, shënon 30-vjetorin që kur është hapur për publikun”, ka thënë Selimaj të martën për KOHËN, derisa bashkë me ansamblin kanë qenë në rrugë për në qytetin Braga, 365 kilometra larg kryeqytetit portugez, ku sot (mërkurë) do të jepet i njëjti koncert në katedralen ikonike të këtij qyteti.
Edhe aty shteti më i ri i Evropës do të shpalosë rrëfimin e vet. Për dallim prej rrëfimeve të zakonshme në këtë vend religjioz, Filharmonia nëpërmjet artit do të kryqëzojë histori muzike, lufte e mesazhe paqeje.
Ministri Çeku hap mundësi bashkëpunimi me Portugalinë
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, po qëndron në Portugali bashkë me një pjesë të kabinetit të tij dhe me stafin e angazhuar për marrëdhënie me publikun. Të martën ai është takuar me ministrin portugez të Kulturës, Pedro Adao e Silva. Sipas njoftimit të MKRS-së, bashkë kanë diskutuar për zhvillimet aktuale dhe planet në fushën e kulturës në të dyja shtetet, po ashtu mbështetjen e promovimit të artistëve dhe kulturës së Kosovës në botë.

“Për të thelluar bashkëpunimin është biseduar edhe për disa nisma të reja dhe projekte të përbashkëta në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, shkruhet në njoftim. Gjatë ditës ministri Çeku bashkë me zëvendësministren e Arsimit, Edona Maloku, dhe me ambasadorin e Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, janë takuar edhe me ministrin e Edukimit në Portugali, Joao Costa.
“Pjesë e diskutimeve ishin edukimi artistik e kulturor për të rinjtë, shkëmbimet e përvojave dhe programeve të edukimit mes Kosovës dhe Portugalisë”, shkruhet në njoftim.