Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Poeti fin dhe zëri i veçantë i kritikës letrare

Ishte shpresëplotë se kollitjet që po ia mpaknin frymën do t’i kalonte shpejt e brenda pak ditësh do të ishte pranë miqve të zemrës. Por e enjtja e mëngjesit të 22 tetorit gdhiu e trishtueshme për të gjithë.

I shtruar prej ditësh në një nga dhomat e Klinikës Infektive në Prishtinë, poeti, kritiku letrar e publicisti, Ramadan Musliu, nuk ia doli të fitonte betejën e vështirë me virusin e padukshëm. Të premten është varrosur në fshatin e tij të lindjes, në praninë e familjes dhe rrethit të ngushtë.

66-vjeçari, i lindur në Beguncë të Vitisë, vlerësohej si një nga kritikët më të mirë letrarë në hapësirën shqiptare. Për miq, kolegë e dashamirë të autorit jetëndërruar, e gjallë është shëmbëlltyra e tij si krijues me horizonte të gjera e si njeri i përkorë me modestinë si atributin kryesor.

MST: Model për kohën

“Ramadani ishte poet fin”, e kujton mikesha e tij Naime Beqiraj. Pak ditë më parë e kishin lënë të takoheshin në Prishtinë e të flisnin për librin të cilin ai do ta redaktonte.

Edhe Ramadan Musliu – intelektuali i kohërave të vështira Kulturë Ramadan Musliu – intelektuali i kohërave të vështira

Edhe gjatë kohës kur pandemia e sivjetme pllakosi vendin e botën, Musliu nuk ishte ndarë nga letërsia. Me përkthim sillte emra të njohur e të panjohur letrarësh që i ndante me miqtë e zemrës. Kur Louise Glückut iu nda çmimi “Nobel” për letërsi nga Akademia suedeze në Stockholm, Musliu i ishte gëzuar kumtit për poeten amerikane që e njihte mirë. I kishte shqipëruar gjashtë poezi të përzgjedhura të saj.

“Nga ulërima e erës, nga fishkëllimat e saj nëpër tokën e zhveshur/ më nuk e kam brengë/ çfarë tingulli lëshon/ kur për herë të parë u heshta, kur për herë të parë ndikoi/ më kot ta përshkruaj atë zë…”, ishin disa vargjet e përkthyera nga poezia “Tetori”.

Sikur të ishte një “paralajmërim” për një tetor të pazakontë, edhe më parë Dani, siç njihej ndër miq, kishte zgjedhur letërsinë për të përçuar kumte e për të zbërthyer realitete.

“Isha poete e re asokohe dhe ende e kam të gjallë drojën që kisha se si do të pritej libri im prej Ramadanit”, thotë Beqiraj, e cila është profesoreshë e letërsisë dhe poete.

Puna diligjente në gazetën “Rilindja” e kishte imponuar emrin e tij si një prej kritikëve më të mirë të letërsisë shqipe.

Edhe Me skepticizëm gazmor kundër patologjisë së përditshmërisë Kulturë Me skepticizëm gazmor kundër patologjisë së përditshmërisë

“Ka qenë model për kohën duke qenë i mirinformuar për rrjedhat e kritikës letrare që zhvillohej në Evropë. Ai ia dha një drejtim modern kritikës së sotme shqipe”, vlerëson Beqiraj.