Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Podrimja

1.

Erdhi furishëm dhe u fut në jetën e shqiptarëve si meteor. Rrëmujshëm, së bashku me një brez të talentuar e të guximshëm, nisi në fillim të viteve ‘60 një epokë të re, të paparë më herët, moderne. Erdhi të bënte një jetë tjetër, një art tjetër, një civilizim tjetërfare në një tokë të lënë prapa të tjerëve. Erdhi me një filozofi të çuditshme jetësore, me një synim – të jesh i pari, në majë. Edhe kur hapej tërësisht me fjalën e tij, i drejtpërdrejtë dhe kish nevojë të prekte tokën po edhe kur mbyllej, se kish nevojë të prekte qiellin duke prodhuar mjegullën semantike si shumësi kuptimore, ai nuk shterej asnjëherë. Poet me një talent të rrallë, i paparashikueshëm e gjithmonë befasues, jokonvencional e çrëmdomtësues, Podrimja është shndërruar në një klasik të gjallë të poezisë shqipe, duke u bërë emri më i njohur, më i përkthyer dhe personaliteti më i shquar që përfaqësonte kulturën shqiptare në botë. Shqiptarët kishin gjetur shkrimtarin e vet i cili për disa decenie diti të artikulonte ambiciet e tyre çlirimtare në një mënyrë që vetëm ai dinte t’i kuptonte e t’i shumëfishonte, kurse të tjerët kishin gjetur tek Ali Podrimja poetin që befasonte në një mënyrë origjinale dhe që shpërndante në botë një mesazh humanizmi të paparë nga një zonë tektonike urrejtjesh e katastrofash njerëzore.

2.

Poeti Ali Podrimja, ka ndërtuar një figurë në një varg monumental këtu e 40 vjet më parë, “Kosova është gjaku im që nuk falet!”. Është simboli i emblematizuar i fazës së parë të shkrimit, e që do të ketë më vonë rol të rëndësishëm në interpretimin e tërë opusit letrar të këtij poeti, i cili insiston prej fillimit që kjo të jetë një heraldikë kryesore e këtij vendi.

Kjo figurë e ndërtuar si përngjasim i hapur mbi një strukturë arketipore që ka parasysh një trashëgimi dhe një besim të njohur dhe të çmuar, është një pozicionim apodiktik me insistim të ndërthurjes së ligjëratës me argumentim bindës e që nuk lë hapësirë për luhatje. Kosova e vënë pranë një përngjasimi të hapur me “gjakun që s’falet” është një ngritje retorike që të kujton ndërtime të hershme zmadhuese me insistim bindës.

Edhe Fjalim për njeriun e fjalës Shtojca për Kulturë 4 j. më parë Fjalim për njeriun e fjalës

Ky varg më vonë do të bëhet një topos shumë i fuqishëm në jetën kulturore dhe shoqërore të Kosovës. Figura do të gjejë edhe lidhje të shumta shtesë, me referenca të qarta në jetën shoqërore të Kosovës që do të shkojnë deri në denotime precize të identifikimit të masave në kohë dridhjesh të ashpra për tërë popullin.

Ky tekst i poetit Basri Çapriqi (15 janar 1960 – 14 janar 2018) u botua në “Koha Ditore” më datën 22 korrik të vitit 2012. Ribotohet me rastin e tetëvjetorit të vdekjes së Podrimjes (Të plotë mund ta lexoni në KOHA Ditore)