Të hënën krejt afër Shtëpisë së Kulturës që është edhe monumenti është shtruar edhe një pllakë e betonit. Krejt kjo është bërë pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore, megjithëse Shtëpia e Kulturës në Runik të Skenderajt tash e shtatë vjet gëzon statusin e monumentit. Ky aktivitet i ndërtimit atje është duke u bërë paralelisht me hartimin e projektit zbatues për restaurimin dhe rifunksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës, që në këtë fshat daton prej vitit 1950. Për këtë projekt ekziston edhe një Memorandum i Bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Skenderajt. Sipas këtij Memorandumi, shuma që do të investohet shkon në 850 mijë euro
Mjetet e rënda të punës e kanë rrethuar prapë Shtëpinë e Kulturës në Runik të Skenderajt. Të hënën krejt afër këtij monumenti është shtruar edhe një pllakë e betonit. Krejt kjo është bërë pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore, megjithëse Shtëpia e Kulturës tash e shtatë vjet e gëzon statusin e monumentit. Ky aktivitet i ndërtimit atje është duke u bërë paralelisht me hartimin e projektit zbatues për restaurimin dhe rifunksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës, që në këtë fshat daton prej vitit 1950. Për këtë projekt ekziston edhe një Memorandum i Bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Skenderajt. Sipas këtij Memorandumi, shuma që do të investohet shkon në 850 mijë euro.
Pesë ditë pasi në Prishtinë është mbajtur paneli “Runiku i riimagjinuar: Kultura, kujtesa, domethënia e atdheut”, në afërsi të Shtëpisë së Kulturës ka nisur një aktivitet ndërtimi. Të hënën në mbrëmje vonë KOHA ka siguruar disa imazhe që tregojnë se pranë monumentit është shtruar një pllakë betoni. Sipas informacioneve, synimet janë që aty të ndërtohen lokale afariste. KOHA të hënën vonë ka provuar të komunikojë me zyrtarët komunalë të Skenderajt, por kjo ka qenë e pamundur. Shtëpia e Kulturës në Runik është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, për ndërhyrje të tilla duhet marrë leje me shkrim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, shkruhet në pikën e 9-të të nenit 6 të këtij Ligji.
Sipas këtij Ligji, monumentet arkitekturore nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Po ashtu sipas Ligjit, kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me Ligji për planifikim hapësinor.

KOHA ka konfirmuar se institucioni i vetëm që jep leje për punime në hapësira të tilla, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, s’ka marrë kurrfarë kërkese për aktivitet ndërtimi në atë pjesë.
“Për Shtëpinë e Kulturës është duke u punuar projekti zbatues për restaurim. Ne s’jemi në dijeni për aktivitete të tjera në monument as afër tij”, kanë thënë në IKMM. Monument është përballur me intervenime pa leje edhe në të kaluarën.
Në gushtin e vitit 2023 Komuna e Skenderajt në emër të transformimit të zonës kishte nisur shembjen e ndërtesës. Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që asokohe kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Dhe ia kishte arritur. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, do të nënshkruanin marrëveshje për bashkëfinancim të projektit. Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para ia mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e 2023-s. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. Kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës.
Fondacioni “Hajde” kishte marrë përsipër që të zhvilloje procedurën e projektimit dhe rifunksionalizimit të Shtëpisë së Kulturës. Projektit ideor i realizuar nga “Ars Atelie” është prezantuar në gushtin e vjetëm.
Kishte qenë juria, në përbërje të sociologes Donjetë Murati, arkitektes Florina Jerliu, arkitektit Jürgen Mayer, që e kishte vlerësuar si më të mirin projektin ideor të “Ars Atelie” e të dytin atë të “Dieform”. Kur u prezantua projekti fitues, juria ndër të tjera kishte vlerësuar se “propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit”.
Projekti detaj është hapi i radhës para hapjes së procedurës nga Ministria e Kulturës për kontraktim dhe, sipas Berishës, pretendohet që restaurimi të jetë i finalizuar në fillim të vitit 2027 dhe të fillohet me program.
“Ne jemi në fazë të finalizimit të projektit ideor, e kemi idenë, por është e rëndësishme edhe pjesa teknike, finalizimi i krejt kësaj, mendojmë që dikur nga gushti ta hapë procedurën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për kontraktimin e kompanisë dhe ne mendojmë që dikur rreth pranverës së ardhshme të nisim punët e vrazhda të restaurimit. Nuk mund të japim kohë të saktë, por pretendojmë që rreth pranverës së vitit 2027 të jetë projekt i finalizuar dhe të fillojmë me program”, kishte thënë javën e kaluar Adrian Berisha, drejtor ekzekutiv i fondacionit “Hajde”. Runiku ka një rëndësi të madhe jo vetëm për fondacionin, por edhe për historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit, sepse është një lokalitet ku është gjetur okarina dhe është një vendbanim me një pasuri të jashtëzakonshme, e cila daton prej periudhës së Neolitit.
Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7.000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Qe aktive deri në vitet ’90, kur objekti u mbyll. Gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj. Qe e harruar deri në vitin 2018, kur artisti me famë botërore Petrit Halilaj për disa ditë e ringjalli me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Pak kohë më vonë, shteti i kujtua ta merrte në mbrojtje si objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Tash, pret një kapitull të ri: atë të ringjalljes si monument tok me kujtimet dhe potencialin në ditët e sotme.