Plisi dikur ishte pjesë e pandashme e veshjeve të përditshme të shqiptarëve. Sot, ndonëse përdoret rrallë, ende shërben si një ndër elementet më identifikuese kombëtare. Në festa e mbrëmje muzikore të ansambleve folklorike zor që vallëzohet e luhet pa plis. Por qeleshet artisti Haxhi Gjoni nga Peja i sjell në një tjetër format. Për rreth katër muaj ka punuar intensivisht që tri forma të plisit t’i gdhendë nga gurët e mermerit që i ka marrë në Maqedoninë e Veriut. Punimet e tij prej mermeri janë rezultat i punës së tij të madhe gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.
Por vetëm gjashtë punime artistike që kanë në fokus kapelën e njohur ndër shqiptarë ka vendosur t’i prezantojë në ekspozitën e tij personale që është hapur të martën në atelienë “Artistët për artistin” në kryeqytet. Përveç plisave, në portretet e punuara prej mermerit është e vendosur edhe figura e komandantit Isa Boletini – e që përcjell edhe një mesazh të tërë ekspozitës, që është mosnënshtrimi përgjatë historisë. Figurat e tjera ndonëse anonime paraqesin portrete burrash që mbajnë këtë qëndrim. Plisat në kokën e tyre dallojnë e përfaqësojnë trojet e tjera shqiptare. Gjoni, skulptor i pandalshëm në shprehjen e tij krijuese, pasionin e tij në gdhendjen e gurëve e shpreh duke u dhënë formë portreteve të figurave kombëtare.

Punimet e vendosura në xham në kuadër të ekspozitës “Plisi” e bëjnë dallimin mes dhjetëra pikturave shumëngjyrëshe që kanë zënë vend në atelienë që u bë sinonim i punimeve në izolim. Për të plisi është simboli më unik ndër shqiptarë, andaj edhe ka vendosur t’ia dedikojë këtë ekspozitë.
“Plisin kam vendosur ta trajtoj pasi që është simbol i gjithë shqiptarëve dhe për arsyen që i ka rezistuar okupimit të qindra-mijëra vjetëve deri sot. Këta tre plisa janë bazikë, mund të përdoren me anekse, por unë kam dashur t’i përdor bazikë”, ka shpjeguar Gjoni për KOHËN.
Gjoni ka vendosur t’i vendosë plisat nga Kosova e Shqipëria e Veriut, Shqipëria e Mesme dhe Shqipëria e Jugut. Sipas dokumenteve arkivore – Në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Shqipërinë Veriore janë veçuar plisat e formës së rrumbullakët, në trevat e Shqipërisë së Mesme janë verifikuar plisat e rrafshët, sikundër që në Shqipërinë e Jugut, në sinkron me mendësinë dhe me relievin hapësinor.
“Retorika kreative shpërfaq ndjeshmëritë e tij karshi peshës së gurit në sensin analogjik. Pra, duke matur filozofinë e gurit me peshoren e plisit, skulptori transmeton satelitët e lidhjes së tij me gjenealogjinë e moralit”, shkruhet në tekstin kuratorial të Naser Shatrollit. Ai e vlerëson Gjonin si të matur në matjet e tij artistike dhe si të egër në sensin e gjetjeve origjinale.
Ekspozitën e ka mirëpritur edhe arkitekti dhe piktori Veton Gusia, i cili udhëheq galerinë “Artistët për artistin”, që gjatë pandemisë hapi dyert për artistë nga vende të ndryshme të Kosovës. Për të ekspozita “Plisi” veçse e ka pasuruar agjendën e këtij atelieu që po synon të bëhet urë lidhëse midis artistëve dhe publikut.
“Autori na ka gëzuar me punime të shkëlqyera dhe e ka pasuruar shumë këtë ngjarje. Plisi është simbol shumë i rëndësishëm për identitetin tonë kombëtar edhe na ka identifikuar dhe mbajtur bashkë me shekuj. Edhe brenda fiseve dhe feve na ka identifikuar si komb të fuqishëm edhe do ta ruajmë si simbol për të ardhmen”, ka thënë Gusia.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë në galerinë “Artistët për artistin”. Gjoni gjatë procesit të punës së tij vazhdon hulumtimet e nëntokës së Kosovës, prej nga merr gurë për t’iu dhënë formë portretesh e simbolesh të ndryshme. Punën e tij dhjetëvjeçare ai e ka përmbledhur në tetor të vitit 2018 në ekspozitën e tij personale “Pullë postare” të hapur në galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”.