Kulturë

Pishtari i arsimit si udhërrëfyes gjeneratash

I lindur në vitin 1932, Latif Mulaku për dallim nga shumica e brezit të tij, do të zgjidhte që ta vazhdonte shkollimin e mesëm. E pas Gjimnazit në Prishtinë dhe dy kurseve pedagogjike në Pejë e Prizren, do të diplomonte në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit më 1957. Kishte punuar si mësues në disa shkolla fillore e në progjimnazin e Vushtrrisë.

Por më 1952 do të largohej nga progjimnazi pasi ishte deklaruar kundër regjistrimit nën presion të shqiptarëve si turq. Viti 1957 e kishte gjetur mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës. Kur në vitin 1960 u themelua Fakulteti Filozofik i Universitetit të Beogradit në Prishtinë, Mulaku do të ishte midis atyre që themeluan Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Krejt këto të dhëna, bashkë me një pjesë të veprimtarisë së tij shkencore, e kontributit në edukimin e kuadrove universitare janë pjesë e librit “Veprimtaria arsimore dhe shkencore e prof. dr. Latif Mulakut – Pishtar i arsimit” që është promovuar të shtunën në Vushtrri. Libri prej mbi 130 faqesh i autorit Halil Mulaku zbërthen portretin prej profesori e shkencëtari të Latif Mulakut. Të pranishmit në sallën e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, e kanë vlerësuar Latif Mulakun si një prej shembujve më frymëzues të arsimit në komunën e tyre sa u përket viteve pas Luftës së Dytë Botërore.

Mulaku, i cili deri në pensionim ishte profesor universitar, në prag të 90-vjetorit të lindjes ka qenë i pranishëm në ceremoni. Ka qenë aty, sipas të pranishmëve, si doktori i parë i shkencave në Komunën e Vushtrrisë. Më 1965 do të doktoronte në Fakultetin Filozofik duke mbrojtur temën “E folmja e shqiptarëve në Shalën e Bajgorës”. Më pas tema ishte botuar si vepër edhe në gjuhën serbe.

Libri për Mulakun, botim i shoqatës së veteranëve të arsimit “Hasan Prishtina” në Vushtrri, përfshinë disa prej punimeve të tij shkencore, recensione për këto punime e deri te kujtimet e kolegëve për të. Me redaktor Ragip Mulakun e bashkëpunëtore Zogza Mulaku-Brahimajn, vepra rrumbullakon disa prej arritjeve kryesore të Latif Mulakut.

Një prej recensentëve të librit, Mustafë Halili, ka thënë se Mulaku ishte dhe është figurë e shquar arsimore dhe shkencore.

“Ka dhënë mësim edhe në studimet postdiplomike në gjuhësi. Ka qenë mentor i përshtatshëm i shumë magjistrantëve e doktorantëve, të cilët me miratimin e tij kanë kryer magjistraturat, përkatësisht doktoraturat”, ka thënë Halili, i cili ishte një prej folësve në promovim të librit.

Në emër të Latif Mulakut, të pranishmëve u është drejtuar e bija, mësimdhënësja Zogza Mulaku-Brahimaj. Ka thënë se po lexon fjalën e të atit. Midis të tjerash, Mulaku kishte shkruar se kolegët në monografi i kanë dhënë epitete të larta, të cilat i meriton e nuk i meritoj.

“Mirëpo, kanë harruar që unë me kontributin në arsim e shkencë, jam përpjekur që t’ia kthej borxhin popullit tim që më ka rritur e shkolluar në kushte të vështira. Pra, veprimtarinë time kombëtare e kam konsideruar si obligim ndaj popullit. Besoj se sikur brezi im dhe unë të kishim pasur fatin të jetonim e vepronim edhe përpara në lirinë të cilën po e gëzojmë sot do të jepnim një kontribut më të madh në arsim, shkencë e në të tjera çështje të kulturës kombëtare”, ka shkruar Mulaku.