Kulturë

Pianoja rrëfen nëpërmjet duarve të Maria Lettbergut

Mjeshtrja e pianos, Maria Lettberg, e ka nisur koncertin me përshëndetje skenike, me publikun ka komunikuar vetëm nga mesi i koncertit, por ajo flet nëpërmjet pianos. Ose më saktë, ajo e bën pianon të flasë dhe është mahnitëse në lojën e saj. Prej Brahmsit me një kalim te Lars-Erik Larsson dhe finalja me Scriabin, ka qenë rrëfimi që e nominuara për “Grammy” ia ka sjellë Prishtinës në “Chopin Piano Fest”

Loja e Maria Lettbergut s’mund të përkufizohet thjesht si interpretim. Është më shumë se sa kaq. Ajo rrëfen nëpërmjet pianos. Nata e gjashtë e “Chopin Fest” i ka takuar asaj. Veprat e Brahmsit e Scriabin janë tejet sfiduese, por jo edhe për këtë muzikante suedeze. E ka dëshmuar se jo rastësisht ka qenë e nominuar për çmimin “Grammy” më 2018. Recitali i saj të hënën ka veshur Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me ngjyrat e opusit të kompozitorëve të mëdhenj me veprat që veçse i ka memorizuar krejtësisht. Pa asnjë fjalë, Lettberg ka nisur me “Sonatën nr.1 Op.5 f-mol” të Johannes Brahms, e interpretuar në pesë kohët e saj. Është e mbushur me mjeshtëri mahnitëse që nga fillimi dhe si tërësi ka kapërcime të fuqishme.

Melodia hapëse është në nivelin më të ultë dhe e errtë duke ngritur një ndjenjë shqetësimi. Në pjesën e parë “allegro maestoso” shprehen ndjenja pikëllimi me forcim të tempit, duke kaluar në një ritëm paksa më të shpejtë. Në “allegro” interpretimi është ndjekur nga një lëvizje e ngadaltë dhe shkon duke u përfunduar si lëvizje realtivisht e shpejtë. Notat në “scherzo” janë të vendosura shpesh në distancë duke krijuar një ndjenjë të kaosit. Në “Intermezzo” tema ndryshon dukshëm në çdo përsëritje derisa pjesa “finale” është më e shpejtë se të tjerat dhe më pak emocionale që duket se është edhe më kërkuese teknikisht për instrumentisten. Tingujt janë më të theksuar dhe bëhen bashkë me ata më të lehtë derisa vibrimet e tingujve ndërpriten shpejt. Teknika e Lettberg është shkollë më vete, por ajo ka stil në interpretim, veçmas kur përfundon pjesët. Shkëputja e dorës prej pianos ka “koreografi”. Një pauzë e shkurtër në fillim e ndan me rifillimin tejet dinamik dhe kthehet në gjendjen paraprake me tendencë për t’u përmbledhur prapë në dinamikë. Por që pikën më të lartë s’e arrin dot. Pianistja e përmbledh krejt me lojën në dorën e majtë, derisa me të djathtën luan tinguj të butë që ia zbehin sadopak vrazhdësinë.

Nja dhjetë minuta pauzë, që shfrytëzohen edhe për akordim të pianos, pas interpretimit të Brahmsit me drita ndezur në sallë, siç kishte kërkuar vetë pianistja, Lettberg i është rikthyer skenës tash me drita skenike vetëm tek ajo. Ka sjellë “Espressivo” të “Croquiser Op. 38” e Lars-Erik Larsson që hapet me pjesë të ngadaltë dhe pjesën e lehtë që sa shkon e bëhet më dinamike, duke shpërthyer lehtë në veprim.

Loja e suedezes Maria Lettberg ka qenë mahnitëse dhe ka kulmuar në pjesën e fundit të koncertit me veprat e kompozitorit rus Alexander Scriabin me të cilat ka gërshetuar gëzim e dëshpërim në të njëjtën kohë. Seria ka nisur me “Etude Op.2 Nr.1 cis-mol”, “Sonata nr. 9 Op. 68” e zbutë, e në “Mazurka Op.2 5 Nr.3 e-mol” sikur anojnë krejt tingujt në një skaj tonaliteti. Megjithatë ngadalë prishet rrjedha e linjës së melodisë me ndryshime e devijime të papritura. Delikatë janë tingujt nga pjesa “Poeme Op.32 Nr.1 Fis-dur”. Vijon si muzikë romantike që kombinohen në tinguj bash si rima në poezi. Tingujt e lartë shpesh janë në rënie. Në “Deux morceaux Op.57” lidhen dy pjesë e në përfundim të programit është luajtur “Sonata Nr.5 Op.53”.

Duartrokitjet e publikut e kanë kthyer pianisten Maria Lettberg në interpretim të një tjetër pjese të kompozitorit gjerman Johannes Brahms.

Lettberg i ka vlerësuar sfiduese veprat e Scriabin, por edhe të dashura për shkak të emocioneve që bart interpretimi i tyre.

“Pasi performoj shumë veprat e Alexander Scriabin, nevojitet kjo qasje emocionale. Kjo është mënyra se si e ndiej muzikën, e ndiej emocionale, por është edhe muzikë intelektuale në të njëjtën kohë sepse nuk ka të bëjë vetëm me emocionet, por edhe me ndjenjën e thellë në përgjithësi. Për shembull edhe Brahms ka shumë pjesë emocionale”, ka thënë pianistja pas koncertit.

Për veprën e suedezit Lars-Erik Larsson, që e ka luajtur në koncert, ka vlerësuar se i kontribuon depërtimit të kulturës së muzikës klasike suedeze. “Pjesa është moderne, të themi e shekullit të fundit. Por vetë Suedia është vend modern. Kam luajtur pjesë suedeze sepse organizatorët më kanë kërkuar”, ka thënë Maria Lettberg më tej.

Lettberg ka lidhje të kahershme me pianon. Në moshën nëntëvjeçare, ajo pati paraqitjen e saj të parë publike duke luajtur Koncertin e dytë për piano të Beethovenit. Siç shkruhet në biografinë e saj, krahas performancave, ajo njihet edhe për incizime të veçanta. Në vitin 2007 incizoi veprat e plota për solo-piano të Alexander Scriabin.

Maria Lettberg u bë e njohur fillimisht për një publik më të gjerë për shkak të regjistrimeve të saj dhe koncerteve të lidhura me lojën në veprat e Scriabin. CD-ja e saj e fundit, “Zara Levina, The Piano Concertos”, ia ka sjellë Maria Lettberg nominimin për “Grammy 2018” në kategorinë e regjistrimit të muzikës klasike. Për të ka qenë hera e parë që ka luajtur në Prishtinë, derisa organizatoret i ka konsideruar tejet të kujdesshme.

Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, e ka vlerësuar mjeshtëror koncertin recital të Lettbergut.

“Është një mjeshtre e pianos, laureate që ka marrë çmime të shumta, mirëpo është edhe mysafire në skenat më prestigjioze në botë. Është interesante se ajo e ka incizuar komplet opusin e kompozitorit të famshëm Alexander Scriabin, i cili e ka një opus shumë të madh dhe është mbresëlënëse për një opus kaq të vështirë, së pari për t’u memorizuar”, ka vlerësuar profesoresha Pula.

Drejtoresha organizative Besa Luzha ka thënë se koncerti ka qenë dëshmi se këtë vit Festivali është fokusuar më shumë në repertor e në ngjyra interpretimi sesa në personalitete, virtuozitet e tematikë.

“E kemi edhe Scriabinin që është një kompozitor shumë i vështirë për t’u luajtur në piano, pasi ka shumë kolorit, ka pasur një lloj gjuhe shumë moderne me shumë akorde, me shumë vështirësi teknike. Studentët shumë rrallë e zgjedhin për shkak të këtyre vështirëve. Të kesh një mbrëmje të tillë të Brahmsit, një sonatë të madhe me pesë kohë, mandej edhe dy sonata të Scriabinit dhe disa pjesë të tjera, ishte shumë frymëzuese edhe për ne organizatorët”, ka thënë profesoresha Luzha.

Pos koncertit, pianistja Maria Lettberg ka mbajtur edhe një masterklasë paraditen e së martës, me studentët e Fakultetit të Arteve. Festivali vazhdon programin e edicionit të 13-të me pianistin polak Jakub Kuslik.