Adhurues të shumtë u mblodhën të enjten mbrëma jashtë teatrit historik “Apollo” në Harlem të New Yorkut, për ta nderuar ikonën e muzikës, Aretha Franklin, e cila vdiq në mëngjesin e së enjtes në moshën 76 vjeçare.
Franklin, vajza e pastorit, zëri i fuqishëm i së cilës ia fitoi asaj titullin “mbretëresha e muzikës soul”, dhe prapa vetes numëron hite të shumta si "Respect" dhe "Chain of Fools", në vitin 2010 ishte bërë pjesë e “Apollo Hall of Fame”, për kontributin e saj ndaj zhanrit soul të muzikës si dhe ndikimin pozitiv që e ka pasur ndër vite në kulturën amerikane, transmeton emisioni Express në KTV.
Adhurues të shumtë poashtu ishin mbledhur përreth yllit të saj në shtegun e të famshmëve në Hollywood, për ta nderuar divën e ndjerë të muzikës me vendosjen e luleve në këtë lokacion të frekuentuar tej mase nga turistët.
Ndërkohë, edhe komuniteti artistik nga e mbarë bota ishte i shpejtë në reagimet e tyre në rrjetet sociale, duke postuar fotografi ose video të Franklinit me mesazhe përcjellëse.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, poashtu e postoi një mesazh në kujtim të mbretëreshës së muzikës soul, duke e quajtur atë “një grua të veçantë”.
Edhe
Vdiq Bonnie Tyler, ikona e muzikës së viteve ’80
"Asaj zoti ia kishte dhënë një dhuratë të mrekullueshme, që ishte zëri i saj, dhe mund të them se e ka shfrytëzuar këtë dhunti më së miri”, citohet të ketë thënë presidenti gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.
Franklin, e cila gjatë karrierës muzikore i ka fituar 18 çmime Grammy, vdiq në Detroit, e rrethuar nga familjarët dhe më të dashurit e saj. Ajo kishte disa vjet që po e luftonte sëmundjen e kancerit në pankreas.