Kulturë

Përkujtimi për Fahri Beqirin bashkon muzikantët e rinj

Në njëvjetorin e vdekjes së tij, përkujtimi për kompozitorin e profesorin Fahri Beqiri solli dimensionet e rrugëtimit të tij muzikor. Në koncertin përkujtimor të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Sallën e Kuqe ishin pikërisht gjeneratat e reja ato që i sollën veprat e tij, duke konkretizuar atë për të cilën punoi një jetë të tërë: që muzika të bartej brez pas brezi e tek të rinjtë të mbillej dashuria për të

Ata që e njohin, jetën e tij e ndajnë në dy pjesë. Identifikohet si krijues e si organizator. Te e para i takonte gjeneratës së parë të kompozitorëve të shkolluar, veprat e të cilit kanë lënë gjurmë në muzikën klasike dhe popullore shqiptare. Ndërkaq te e dyta punonte me shumë zell e përkushtim që të ndillte te gjeneratat e reja dashurinë për muzikën dhe kulturën e vlerave. Në njëvjetorin e vdekjes së tij, kujtimi për profesorin universitar Fahri Beqiri solli që të dyja dimensionet.

Në koncertin përkujtimor të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” të mërkurën në Sallën e Kuqe ishin pikërisht gjeneratat e reja ato që i sollën veprat e Beqirit, duke bërë që të plotësohej dëshira e tij prej kompozitori, që veprat t’i luheshin nga muzikantët e rinj.

Koncerti për kompozitorin, i cili në çdo vepër la shenjat e frymëzimeve nga kombëtarja, nisi me gjallërinë e “Po vijnë krushqit”. Njëra nga pasuritë që ia ka lënë muzikës shqipe erdhi nën interpretimin e violinistëve Aiola Bajrami, Alketa Lepaja, Loena Mehmeti, Anita Buratti, Lindi Pasha, Sibora Resyli, Princ Fanaj, Klea Bytyqi, Liza Jashari, Lir Hajrizi e Robert Haxhiu.

Qetësia dhe ritmet e lehta të njërës nga veprat e para që i kompozoi, “Ninullë”, u ndje nga gishtërinjtë e Uran Hamitit në piano. Ritmi ndryshoi tërësisht me “Po vijnë krushqit”, e cila është një portretizim i dasmave shqiptare në versionin muzikor e pianistik, e që u risoll nga nxënësja Zana Bardhi.
“Hommage á Manuel de Falla”, si krijim i klarinetistit hungarez Béla Kovács, në thelb është dedikim për kompozitorin më të famshëm spanjoll, Manuel de Falla, por edhe si kujtim për kompozitorët e muzikës klasike. Nga klarinetisti Jon Rrecaj vepra erdhi me motivet e saj spanjolle, me karakteristikat e cilësuara si të vështira për ta jetësuar.

Formacionin solistik e ndërroi prezenca e korit dhe orkestrës së shkollës, në përbërje nga flauti, oboa, klarineta, saksofoni, korno, violina, violonçela, kitara e piano.

“Erdh misiti” si një nga identifikimet e Fahri Beqirit, që erdhi me tonalitetet të cilat ndërrohen dhe në secilën prej tyre ngërthejnë një lojë të pashtershme vokale, u dirigjua nga Lirjona Sylejmani. Krejt ndryshe nga kjo, “Shkoj e vij fluturim si zogu” si vepër e përpunuar për kor nga Beqiri, me frymën e lajkave rinore e dashurisë së paepur, i ngjan edhe muzikalisht temës. Me gjallërinë e jashtëzakonshme të saj, ndryshe nga versioni koral, kësaj radhe erdhi me aranzhmanin orkestral të Edon Ramadanit, e cila u dirigjua sërish nga Sylejmani.

Programi modest u përmbyll me “Ave Verum Corpus” të Mozartit, të cilën e shkroi me stilin e krijimit minimalist gjashtë muaj para vdekjes së tij, si dedikim për shokun e tij, Anton Stoll. Motivet latine e kishtare të veprës, e cila këndohet për përkujtime, i solli dirigjimi i Edon Ramadanit si përmbledhje e gjithë koncertit.

Për dirigjentin Ramadani, bagazhi i lartë krijues i Beqirit, duke qenë i diplomuar në Akademinë Muzikore në Beograd, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu” dhe të gjithë karrierën e pasur muzikore, e ka bërë të ketë përgjegjësi shtesë në skenë.

“Unë dhe kolegia ime Lirjona ishim përgjegjës për korin dhe orkestrën, realizuam tri vepra të tij, përpunime të këngëve tona tradicionale, m’u duk që familjarëve të tij, që shumica janë muzikantë, iu pëlqeu performanca”, ka thënë ai menjëherë pas koncertit gati dyzet minutësh.

“Te ‘Shkoj e vij fluturim si zogu’ kam shtuar edhe pjesën e orkestrimit të shkollës. Vepra e tretë ishte e Mozartit si dedikim për shpirtin e tij. Natyrisht nuk kemi pasur orkestër të plotë simfonike dhe kemi mungesa të instrumenteve të caktuara dhe duhet të punojmë shumë në përpunime e aranzhime”, ka theksuar ai.

Përveç pjesës profesionale të Beqirit, identifikimi muzikor i të gjithë familjes e bëri edhe më të kujdesshëm Ramadanin.

“Nuk është lehtë sidomos kur kemi të bëjmë me figura markante si profesori Fahri Beqiri dhe duke pasur parasysh që e gjithë familja e tij janë muzikantë, përgjegjësia shtohet”, ka thënë ai.

Drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se nga Beqiri është mësuar se çka është profesioni i artistit e si duhet komponuar e promovuar vlerat muzikore.

“Muzika e tij ishte e veçantë sepse kishte themele kombëtaren. Prandaj edhe do të jetojë e do ta përballojë kohën, duke na përkujtuar se folklori shqiptar është mbështetje besnike e vizioneve tona krijuese, është burim i pashtershëm i origjinalitetit të veprave”, ka thënë ajo.

Image

Koncerti për kompozitorin, i cili në çdo vepër la shenjat e frymëzimeve nga kombëtarja, nisi me gjallërinë e “Po vijnë krushqit”


E ka cilësuar Beqirin si promotor të paepur të muzikës, veçmas te gjeneratat e reja.

“Ai ishte aty ku të rinjve dashamirë-amatorë të muzikës u nevojitej një dorë profesionale, ku fëmijët duhej të bënin hapat e parë të mësimit të pianos, ishte aty ku studentët donin të këndonin e vallëzonin shqip”, ka vlerësuar ajo.

Për profesorin dhe të birin, Valton Beqiri, luajtja e veprave të babait të ndjerë është kujtimi më i mirë për të.

“Nëse e përmbledhim me një fjalë dëshirën apo synimin e tij jetësor, ajo ka qenë muzika, që të avancohet dhe t’u hyjë në gjak të gjithëve, sidomos fëmijëve”, ka thënë ai, duke konfirmuar që kjo po përmbushet. “Edhe babai, edhe nëna si drejtoreshë e shkollës së muzikës në Mitrovicë e kanë pasur një organizim të garave të talentëve të Kosovës, ku ata takoheshin nga të gjitha shkollat e muzikës, edhe koncertonin, por edhe argëtoheshin. Ishte edhe mënyrë e promovimit të vlerave të tyre, të profesorëve, por edhe të futjes së dashurisë ndaj muzikës”.

I pyetur nëse do të priste që jeta dhe vepra e kompozitorit Fahri Beqiri të nderohej në njëvjetorin e vdekjes së tij nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ai ka thënë se të rëndësishme janë të mbahen koncerte ku në program janë të përfshira veprat e të ndjerit.

“Vjet ishte një situatë e COVID-it, mes COVID-it dhe jo-COVID-it, filluan të relaksoheshin masat, edhe Ministria ishte prezente dhe organizoi ceremoninë e funeralit. Nuk mendoj që këto ditë duhet të shënohen me datë të caktuar, me ditë të vdekjes, por veprat e krijuesit jetojnë gjatë gjithë jetës. Skenat e koncertet janë ato që ia zgjasin jetën çdo krijuesi”, ka thënë ai.

Kujtimet e kompozitorit Rafet Rudi ndërlidhen pikërisht me entuziazmin e Beqirit ndaj edukimit muzikor të gjeneratave të reja.

Image

“Erdh misiti” si një nga identifikimet e Fahri Beqirit, që erdhi me tonalitetet të cilat ndërrohen dhe në secilën prej tyre ngërthejnë një lojë të pashtershme vokale, u dirigjua nga Lirjona Sylejmani


“E kujtoj nga fëmijëria ime kur Fahriu bënte një propagandë te fëmijët që ta vazhdojnë shkollën dhe të lidhen me muzikë dhe në atë fushatën që ai bënte, ai ishte organizator jashtëzakonisht i pasionuar, ai mblodhi një mori talentësh, në atë mes isha edhe unë, ato kujtimet e para i kam pikërisht nga ajo kohë”, ka thënë ai.

Këtë e cilëson si karakteristikën më të rëndësishme të Beqirit gjatë karrierës së tij, ndërkaq tek ana e tij si kompozitor thotë se ka pasur rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e muzikës së lehtë.

“Më erdhi mirë që shkolla e muzikës e përgatiti këtë program, ishte modest. E di që ka një përbërje të instrumentistëve që po dalin nga kjo shkollë, që është për çdo lëvdatë. Ishte një përkujtim simpatik, besoj që edhe institucionet e tjera në një mënyrë apo tjetër do ta shënojnë këtë datë të humbjes së kompozitorit tonë në një kohë të pakohë – ishte në kohë të COVID-it, hapësirë ku do të shquhet dhe do të përkujtohet me një pietet e planifikim më të madh”, ka thënë Rudi, duke e vlerësuar si meritor.

Beqiri e ka pasuruar muzikën shqipe me “Erdh misiti”, “Kënga e rinisë”, “Madrigali i Ibrit plak”, “Moj e mira”, “Shkoj e vij fluturim si zogu”. Krejt këto janë edhe këngë në repertorin e zhanreve të ndryshme muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Veprat e tij si Kuinteti frymor, Sonatë për klarinetë e poema simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike.

Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionistë në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe dega e muzikës, e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit, ku deri në vitin 2011 ishte i angazhuar si profesor.

Sipas biografisë, në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Beqiri kishte transformimin kreativ artistik të idiomës kombëtare. Por, Beqiri nuk ndalej vetëm në krijimtari e edukim. Shquhej për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë. Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës te Radio Prishtina e ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai është themelues i festivaleve si “Takimet e talentëve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio-Prishtinës, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë. Tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend. Vdiq më 18 maj të vitit të kaluar në moshën 85-vjeçare.