Elvana Zaimi - Tufa është përkthyese e disa prej shkrimtarëve modernë të shekullit XX: Henry Miller, Virginia Woolf, Haruki Murakami, si dhe shumë autorë të tjerë nga anglishtja dhe italishtja. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe është doktoruar në Akademinë e Studimeve Albanologjike me temën “Skicë për konceptimin e një shkolle gege të përkthimit”. Jep mësim në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Përkthimi është ndoshta përshpejtuesi më kolosal i vetëdijes së qytetërimit. Pushkini i quante përkthyesit “kuaj të postës së civilizimit”.
Ndër zejet zanafillore më të lashta të njerëzimit, nga antikiteti deri te aspirina, përkthimi ka qenë “kutia shpërndarëse" e dijeve (artit dhe filozofisë). Gjuha shqipe dëshminë e saj të parë shkrimore e ka nisur nga përkthimi, siç dihet, me frazën e lutjes ungjillore të Emazot Pal Engjëllit: “Në emën të Atit, Birit e Shpeertit t'shentë unë të pagëzonj ty”. Shkrimi shqip hyn në histori “i pagëzuar”.
Përkthimi është një koncept bazë i komunikimit jo vetëm midis dy gjuhëve të ndryshme, por edhe i vetë gjendjeve të njeriut. Ne gjatë gjithë kohës nuk bëjmë gjë tjetër, vetëm se përkthejmë. Përkthejmë veten tonë nga gjendjet mendore të turbullta, të pështjelluara, në një gjendje mendore më pak konfuze, deri në qartësi të plotë.
Ne vërtitemi me mendjen tonë rreth njëfarë enigme, derisa ia qëllojmë befas një moment: “Ah, tani më ndriti... tani i rashë më të... ja pra, ç'na qenka!”. Apo në rastet kur na shpëton diçka e paqartë dhe i themi bashkëfolësit: “Si the, si the...? Pa ma sqaro pak...”. Dhe zbresim nga nivelet abstrakte të mendimit, drejt një mendimi racional, të qartë. Shqipja është gjuhë e vogël. Përkthimi është në gjendje ta nxjerrë atë kulturalisht nga izolimi. Përkthimi ka kuptim kur bëhet nga origjinali. Kur e pyetën përkthyesin e Iliadës, Gjon Shllakun, se ç'mendon për përkthimet e poezisë nga gjuhët e dyta, ai tha: “Me e përkthye poezinë prej nji gjuhe të dytë, asht njilloj si me la t'brendshmet n'ato ujna ku i kanë la tjerët para teje”.
Ëndrra është aktiviteti ynë më misterioz ku na projektohet vetja jonë herë e perceptueshme, herë e shkrirë, pa një identifikim të kapshëm hapësinor. Me gjithë studimin dhe teoritë e pafundme antike e moderne (psikanalitike), sfera e ëndrrës mbetet e panjohur, për sa kohë ajo u rrëshqet të gjitha teorive të njohjes dhe interpretimit....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)