Londër, 3 dhjetor – Pas dy dekadash përpjekje për të mbrojtur përdorimin e saktë të apostrofit në gjuhën angleze, përkrahësit më të zëshëm të kësaj shenje pikësimi vendosën të dorëzohen, të shkurajuar nga dembelizmi dhe injoranca, sipas tyre, e kohëve moderne.
Presidenti i Shoqatës Britanike për Mbrojtjen e Apostrofit, John Richards, 96 vjeç, njoftoi se kjo shoqatë do ta ndërpriste aktivitetin e saj, transmeton ATSH njoftimin e mediave të atjeshme.
Richards e themeloi shoqatën në vitin 2001 për të ruajtur përdorimin e saktë të kësaj shenje pikësimi, shumë shpesh preh e abuzimeve.
Ish-gazetari e kaloi periudhën e fundit të karrierës së tij si sekretar redaksie, duke kontrolluar artikujt e gazetarëve para se të botoheshin, një detyrë që shpesh përfshinte korrigjimin e përdorimit të tyre të apostrofit.
Pas daljes në pension, ai vazhdonte të kapte të njëjtat gabime flagrante, ndaj vendosi të merrte masa, duke e konsideruar apostrofin si një specie në rrezik që duhej të mbrohej.
Megjithatë, ai njoftoi se shoqata e tij do ta ndërpriste aktivitetin për dy arsye.
Edhe
Princi Andrew heq dorë nga titujt
“E para është se unë jam 96 vjeç dhe ka ardhur koha të tërhiqem dhe arsyeja e dytë është se, tani, gjithnjë e më pak organizata e njerëz po shqetësohen për përdorimin e saktë të apostrofit në gjuhën angleze”, u shpreh ai në faqen e internetit të Shoqatës.
“Me mbështetësit tanë të shumtë në mbarë botën, ne bëmë më të mirën tonë, por dembelizmi dhe injoranca e kohërave moderne fitoi!”, vazhdoi ai/AFP.