Kulturë

Peja humb “Adriatikun”, ëmbëltoren simbol për gjysmë shekulli

“Tash kur flas për këtë, më mbushen sytë lot. E më vjen keq, por s’ka kush punon. Mua do ta më mungojë përherë Peja. Përherë”, thotë Asim Tosuni, mjeshtri i ëmbëlsirave e i bozës, i cili për hiç më pak se 48 vjet e mbajti “Adriatikun”, ëmbëltoren e shndërruar në simbol të qytetit. Lokali tash pret qiraxhinj të tjerë, e ata që merren me trashëgimi kulturore e cilësojnë mbylljen e ëmbëltores si humbje për trashëgiminë, dhe shteti duhet të bëjë ndonjë veprim në mbështetje të zanatlinjve

Është pamje që nuk ka ndryshuar me dekada. Përtej imazhit e shijes së ëmbëlsirave, ëmbëltorja “Adriatik” në Pejë ishte shndërruar në njëfarë hapësire kult. Aty qytetarët bashkë me mysafirët e qendrës urbane në perëndim të Kosovës kanë hyrë edhe për turizëm. Koha ishte “ndalur” në këtë ambient. Pamja e jashtme bashkë me atë të brendshme janë të njëjta të paktën në pesë dekadat e fundit. Por krejt ambienti mund të ndryshojë shpejt pasi ëmbëltorja më nuk funksionon dhe pritet që aty të zhvillohet ndonjë biznes i ri nga ndonjë qiramarrës i ri.

Mjeshtri i ëmbëlsirave e pronari i biznesit, Asim Tosuni, ka vendosur që ta mbyllë dyqanin. Tashmë lokali në fund të ish-Korzos, tash Bulevardi i Qytetit pret qiraxhinj të rinj. Shpejt pritet të largohet mbishkrimi “Ëmbëltore Adriatik”. Paketimet e ëmbëlsirave që gjendeshin në dritare nuk shihen më. Me inventar që i kishte rezistuar kohës, hapësira e brendshme prej afro 25 metrash katrorë është imazhi i përhershëm që kanë parë klientët e dyqanit. Dhjetëra receta ëmbëlsirash, atraktive për vendorët e mysafirët e qytetit ishin pika më e fortë e biznesit. Veçmas boza dhe ka një emër për të.

Asim Tosuni (74) pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Pejë. Zanatin e ka trashëguar nga familja. I ati i tij kishte pasur ëmbëltoren “Jadran” në Mitrovicë deri më 1963. Më pas për rreth një dekadë ishin zhvendosur me biznes në Serbi. E prej vitit 1975 në Pejë do të hapnin ëmbëltoren “Jadran”. Pas luftës së fundit atë do ta riemëronin “Adriatik”.

“S’ka punëtorë e rinia krejt jashtë. S’ka punëtorë për dyqan. Unë jam plakur, jam 74 vjeç...”, është arsyeja bazike që e përmend Tosuni kur pyetet për mbylljen e biznesit. Nuk e ka të lehtë të flasë për rrethanat e reja. Është i lidhur me zanatin e me qytetin e Pejës. Tashmë i është kthyer Dragashit. Biznesin familjar e mbante bashkë me dy djemtë e tij.

“Nuk mund të vazhdohej, sepse njëri prej djemve edhe një ditë a dy shkon për Austri. Nuk ka fuqi punëtore. Nuk ka rini, krejt po ikin jashtë, si gjithkund në Kosovë”, ka treguar ai derisa ka folur për dyqanin që ia ka vënë drynin pas 48 vjetëve.

Në një bisedë telefonike për KOHËN, fillimisht ka hezituar të flasë. Por kur ka vendosur të hapej, ka folur në detaje me jo pak emocione. Shpesh i dridhej zëri veçmas kur i kthehej historisë, rinisë së tij.

Image
Me receta tradicionale të tullumbit e shumë të tjerave, “Adriatiku” i Asim Tosunit ka qenë ëmbëlsia e Pejës. Boza e tij u bë ikonike. Ikonik qe edhe enterieri, i cili të jepte ndjesinë e kthimit në kohë (Foto: Gjirafa.biz)

Për gati pesë dekada kanë punuar çdo ditë të javës. Profesionin e tij e ka përshkruar si një zanat aspak të lehtë. Përkundrazi.

“Dëgjo, zanati ynë është pak i rëndë. Duhet të jesh i lidhur ditë e natë. Ne kemi qenë simbol i qytetit. 48 vjet aty kemi qenë si familje me qytetin. Kurrfarë problemi kurrë nuk kemi pasur me qytetin. Por thjesht nuk ka kush punon”, ka thënë ai. Mungesën e fuqisë punëtore e ka përmendur shumë herë. Kur është pyetur nëse ka ndonjë trashëgimtar për zanatin, ka thënë se meqenëse bëhet fjalë për një profesion të vështirë, askush nuk do ta bëjë këtë punë. Madje ka bërë edhe një krahasim.

“Ky është problemi sepse nuk ke fuqi të re punëtore. Unë jam në moshë. Kjo punë të lidhë më shumë sesa më gruan. Në të vjetrit kemi punuar ditë e natë, por të rinjtë sot nuk duan”, ka thënë ai.

Ëmbëltorja ka ofruar dhjetëra receta të ëmbëlsirave, prej tullumbave e deri te bakllavaja. Gjatë verës, po ashtu, edhe akullore. Është njohur edhe për çmime të arsyeshme. Shkaku i traditës, shumë klientë kanë preferuar këtë dyqan, qoftë për të ngrënë aty, qoftë për të marrë ëmbëlsira për ndonjë aheng familjar. Përtej enterierit me pllaka tipike prodhim i para disa dekadave me dimensione të vogla, edhe pjatat ku janë shërbyer ëmbëlsirat kanë pasur hijen e vjetër. Tosuni thotë se kanë pasur shumë receta. I kthyer në fshatin e tij, Radeshë e Dragashit, Tosuni ka thënë se në Pejë mbi të gjitha kanë qenë simbol për bozën që njihej si “boza e ‘Jadranit” e më pas “boza e ‘Adriatikut’”. Pas luftës “Jadrani do të bëhej “Adriatik”.

“Pa na detyruar kush e kam ba ‘Adriatik’ dhe ia kam shtuar edhe inicialet e emrit tim A.T. që mos të ishte njëjtë, sepse ‘Adriatik’ ka qenë edhe një kafehane”, ka thënë ai. I është kthyer sërish lidhjes me qytetin.

“Nuk kam fjalë për qytetin, për klientët... Kam fjalët më të mira për të gjithë, siç kanë edhe ata për ne”, ka thënë ai nëpërmjet telefonit. Lokali nuk kishte ndërruar pamjen prej vitit 1981, kur edhe shkaku i një zjarri aksidental ishin detyruara ta rinovonin.

Por për ata që merren me trashëgimi kulturore, Peja nuk ka humbur thjesht një ambient unik e një hapësirë që ofronte ëmbëlsira artizanale.

Sali Shoshi i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimia kulturore pa kufij” – “CHwB Kosova” ka thënë se ëmbëltoret janë veprimtaritë e para nëpër komuna që kanë ndikuar edhe në qytetërim.

“I kanë nxitë familjet me dalë nga ‘privatja’ në ‘publik’. Pra, kanë nxitë emancipimim e shoqërisë konservative”, ka thënë ai. Sipas Shoshin, në vitet kur janë shfaqur ëmbëltoret nuk ka pasur aktivitete kulturore dhe muze.

“Por ka pasur ëmbëltore që janë simbole sikurse kinematë. Pra, janë trashëgimi si memorie kolektive”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, do të duhej që së pari komunat t’i subvenciononin disa prej zanateve që janë autentike e që u japin identitet hapësirave ku operojnë pavarësisht statusit nëse mbrohen si trashëgimi kulturore nga shteti apo ajo.

“Mungesa e kësaj strategjie ka ndikuar që shumica e zanateve të shuhen. Do të duhej të bëhej fondi për zanate”, ka thënë Shoshi.

Ëmbëltorja “Adriatik” nuk është mbrojtur si aset i trashëgimisë kulturore. Por pavarësisht kësaj edhe zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë kanë thënë se bëhet fjalë për një simbol të qytetit.

“Nuk ka pasur ndonjë iniciativë qytetare apo ndonjë rekomandim edhe nga punonjësit e QRTK-së që të propozohet për të hyrë nën mbrojtje. Por sigurisht që ka pasur vlera si një shenjë e vjetër e qytetit me një ambient që nuk ka ndryshuar me dekada dhe kanë ofruar shërbime prej zanatlinjsh, gjë që e kanë pasur traditë”, ka thënë drejtoresha e QRTK-së së Pejës, Shpresa Tolaj-Gjonbalaj.

Shteti mbron si aset të trashëgimisë kulturore veç ëmbëltoren “Elida” në Prishtinë. E hapur në vitin 1978 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, hapësira e rrethuar me xhama prej vitit 2017 është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme si ambient ku pos të tjerash ka qëndruar elita kulturore e politike e vendit, sidomos gjatë viteve ’90. Pronari Bajram Idrizi i takon gjeneratës së tretë të familjes që merren me ëmbëlsira. Ka prejardhje nga Tetova dhe shumë të afërm të tij mbajnë biznese të tilla nëpër ish-Jugosllavi. Kanë receta unike, sikurse kishte edhe ëmbëltorja “Adriatik” në Pejë.

Asim Tosunit që tash i është kthyer fshatit të tij, pesë kilometra në lindje të Dragashit, nuk i ka shkuar ndër mend që ta shesë biznesin. Njësoj s’e ka ndërmend ta zbulojë as recetën e bozës.

“E dini sa më kanë pyetur nëse ia kam dhënë dikujt recetën për bozë. Por nuk jepet. Mbase një ditë kthehet ëmbëltorja dhe punon sërish. Por më kuptoni, receta nuk jepet dhe e them sinqerisht dhe besoj më kuptoni. Sot unë nuk punoj, por nesër, ku ta di, shkojnë djemtë ose nipat pikërisht në Pejë”, ka thënë ai. Ka treguar se recetën pos dy djemve të tij e dinë edhe dy të vëllait. Nuk e ka aspak të lehtë të flasë për Pejën.

“Tash kur flas për këtë, më mbushen sytë lot. E më vjen keq, por s’ka kush punon. Mua do ta më mungojë përherë Peja. Përherë”, ka thënë ai. E Peja do të mbesë përherë pa ëmbëltoren unike, një prej simboleve të qytetit.