Kulturë

Pedro Mateo González virtuoz ia sjell Prishtinës ngjyrat spanjolle

Në një atmosferë krejt intime me ndriçim minimal dhe ambient të qetë, González ka zbërthyer qasjen unike ndaj veprave, stileve, e periudhave të ndryshme. Raporti i ndjeshëm dhe intim i këtij instrumentisti me kitarën e tij qe një provë e pastër që tregon pasionin e zjarrtë, që shpeshherë ngjan në një luftë mes telave dhe gishtërinjve të artistit

Nën ndriçimin me ngjyrë të kuqe diabolike, sikur një ftesë për t’u përfshirë në atmosferën e ngrohtë të Spanjës, krejt ndryshe nga programi një natë më parë, kitaristi spanjoll, Pedro Mateo González, furishëm ka hapur natën e dytë të edicionit të parë të “Prishtina Guitar Week” me solo-koncertin e tij. Ka qenë një zbërthim i qasjes unike ndaj veprave, stileve, e periudhave të ndryshme.

Në një atmosferë krejt intime me ndriçim minimal dhe ambient të qetë, González të enjten mbrëma në Kishën e Shën Ndout theu heshtjen me veprën e mirënjohur, “Suite nr.1” për violonçel nga Johann Sebastian Bach, e cila kapërthen me famën e vetë veprës të aranzhuar për kitarë e që jo rastësisht u zgjedh si hyrje nga vetë artisti.

Pas përfundimit të kësaj vepre me shprehje komplekse e këtë radhë më ndryshe, në kitarë, ai përshëndeti publikun duke shtuar se ishte i lumtur që gjendej aty dhe shtoi se e ndiente të nevojshme të fliste pak për veprat që do të performonte. Vazhdoi me lavdet drejtuar kompozimit të Bachut, me të cilin hapi koncertin. Ka vazhduar me veprën e radhës që, siç ka thënë ai, është vepër kjo e mikut të tij Feliu Gasull e titulluar “La Finestra” (Dritarja) për t’u hapur për “La Papallona”, e cila në gjuhën katalane do të thotë flutur, e që efekt të ngjashëm me lirshmërinë e fluturave dhanë tingujt e telave të kitarës.

Nga Schuberti ka përzgjedhur “Lob der Trӓnen”, që përkthen në tinguj “Lavdinë e lotëve”, një vepër që Schuberti e kishte shkruar kur ishte në gjendje të dehur. Ky set i fillon më alegorik se loja paraprake, duke e marrë vëmendjen e publikut edhe një herë të fundit para finales.

Raporti i ndjeshëm dhe intim i këtij instrumentisti me kitarën e tij qe një provë e pastër që tregon pasionin e zjarrtë, që shpeshherë ngjan në një luftë mes telave dhe gishtërinjve të artistit.

Në një moment derisa paralajmëroi veprën tjetër ai iu referua koncertit si një “podcast-concert”, pasi që komentonte çdo vepër paraprakisht duke ofruar kështu edhe natyrë komike mes interpretimeve.

Krejt në fund u ka lënë vend disa veprave të kompozitorit argjentinas Alberto Ginastera, të cilat, sipas tij, ishin sikur t’i futen në një përzierje të gjitha llojet e vallëzimit të Amerikës Jugore dhe të nxirren ca këngë. Kjo përmbyllje u prit mjaft mirë, pasi përveç tingujve të telave të kitarës, artisti godet trupin e instrumentit duke prodhuar tinguj komplementarë. Qe një përmbyllje e duartrokitur gjatë.

Pedro Mateo González, i lindur ne Ávila të Spanjës në vitin 1983, interpretoi si solist me Orkestrën Kombëtare të Radios dhe Televizionit Spanjoll, Orkestrën Simfonike të Castile dhe León, Orkestrën Simfonike Kombëtare të Ekuadorit dhe Orkestrën Simfonike të Ishujve Balearik me dirigjentë si Fernando Bustaman, Alejandro Posadas, Adrian Leaper dhe Leo Brouwer. Ka performuar në sallat kryesore të koncerteve të Evropës, Azisë dhe SHBA-së, duke përfshirë Filarmoninë e Berlinit dhe Sallën Jordan në Boston. Performon rregullisht muzikë dhome me artistë, si: Pedro Chamorro, José Manuel Losada, Joaquín Riquelme García de André Cebrián. Ka fituar disa konkurse prestigjioze, si “Boston GuitarFest 2009” dhe “Concurso Permanente de Juventudes Musicales de España (Konkursi Jeunesses Musicales). Ligjëroi në Conservatorio Superior de Música de Aragón për disa vjet dhe aktualisht është profesor i studimeve të avancuara muzikore në Conservatori Superior de Música de les Illes Balears, Mallorca dhe në Shkollën e Muzikës “Katarina Gurska” në Madrid.

Koncerti në “Prishtina Guitar Week” ka thënë se i jep ndjesi të veçantë pasi konsideron se Kosova është një skenë e afirmuar tashmë për instrumentin e kitarës.

”Ndihem mirë që kam mundësinë të performoj në Kosovë duke konsideruar se kitara si instrument është mjaft prezent këtu dhe keni emra të njohur ndërkombëtarisht sa i përket kitarës”, ka thënë ai, duke shtuar se akustika e përshtatshme në Kishën e Shën Ndout ishte element që pasuroi këtë mbrëmje. Repertorin e përzgjedhur e ka lidhur edhe me pjekurinë e tij artistike.

“Këtë vit mbush 40 vjet dhe kështu mendova pse të mos luaj vetëm veprat që më pëlqejnë mua më së shumti, duke i dhuruar kështu publikut dhe një copëz nga shijet e mia”, ka thënë González.

Ky instrumentist i shquar nuk ka ardhur në “Prishtina Guitar Week” vetëm për koncert. Tok me pjesëmarrës të tjerë – si maestro Petrit Çeku, i cili e ka përmbyllur këtë ngjarje me koncert të premten mbrëma – ka mbajtur edhe masterklasa. Mundësia që kitaristë të rinj të Kosovës të njihen me emra të tillë, është edhe mision i kësaj ngjarjeje.

Urim Maliqi është kitarist i ri. Pikërisht koncerti i tij ka qenë intro e “Prishtina Guitar Week”, që konsiderohet si një festival që pasuron skenën muzikore vendore.

“Ka qenë një performancë e mrekullueshme dhe jam shumë i kënaqur që pata mundësinë ta dëgjoj”, ka thënë Maliqi për koncertin e Gonzálezit. Ka çmuar atë që ka sjellë ky instrumentist i skenave të njohura. “Programi ka qenë i larmishëm dhe më pëlqeu, sidomos pjesa e fundit me një vepër më moderne, e cila ngjalli interesim te publiku”, ka thënë ai.