Detyra për ta lavdëruar veten: nuk ka komb që i bie shkurt: po qe se janë materialisht të mëdhenj, do të thonë se kanë ushtrinë më të mirë në botë, industrinë e rëndë më gjigante, flotën më të madhe; po qe se janë të vegjël, do të organizohen për të gjetur përparësi të tejçmueshme edhe në shpejtësinë e çiklistëve të tyre, në ekipet e futbollit, në saktësinë e orëve të tyre.
Njeriu i Mesëm, që është shtyllë e nacionalizmit, zëvendëson parëndësinë e tij me lavditë e vendit. Dhe kështu, duke soditur paradën e tankeve të tij ndihet i fuqishëm, beson se është fort inteligjent, sepse është bashkatdhetar i Dekartit.
Instrumenti i përdorur nga Njeriu i Mesëm për të ndërtuar këtë monument të superioriteteve të tij është miopia, që ai e quan “përvoja tipike kreole”, “depërtimi klasik i frëngjishtes”, “thellësia gjermane”, “inteligjenca e mprehtë hebraike” dhe “realizmi tradicional anglez”. E dimë tashmë që individët e quajtur realistë janë ata që nuk shohin më larg hundëve, duke ngatërruar Realitetin me një diametër-rrethi-dy-metërsh, me qendër në kokën e tyre modeste. Këto personazhe provinciale qeshin me atë që nuk mund ta kuptojnë dhe e mohojnë atë që gjendet jashtë rrethit. Me dinakërinë tipike të fshatarëve, i përzënë të çmendurit që vijnë me planet për ta zbuluar Amerikën, por blejnë tiketë fituese sapo zbresin në qytet.
Për këta realistë është e logjikshme vetëm ajo çfarë shohin, dhe një pjesë e mirë e krenarisë së tyre bazohet në injoranca të thjeshta apo në atribuimin e vlerës absolute relativiteteve të thjeshta.
Patriotizmi linguistik s’është më i mirë apo më i keq se patriotizmat e tjerë dhe sidoqoftë i participon gjendjes së tij esenciale: miopia mbi relativitetin e vlerave të tij. Kështu, do të insistojë se gjuha e tij nacionale është më e bukura, më e pasura, më e evoluuara, më e qarta (pa vënë re se nëse i rezulton si më e qarta është pse e ka dëgjuar qëkurse është ushqyer me gji; gjithashtu, qentë gjermanë i binden shpejt secilit urdhër dhe jo pse gjuha gjermane është më e qarta në botë).
Edhe Ireland’s EU Presidency – By Kosovo’s SideSidoqoftë, do të ketë të tillë që pajtohen se mendimet e tyre bazohen në fakte dhe se nuk mund të mohohet, për shembull, që frëngjishtja është një gjuhë logjike ose të paktën më logjike se një gjuhë primitive në të cilën gëlojnë fenomene si “macja kafshë e dëmshme” dhe “Juani jo i çmendur”. Dhe të gjithë mbesim të impresionuar, derisa mësojmë se këto produkte konstituojnë rusishten ekselente të Tolstojit apo Turgenievit.
Vazhdimisht priremi ta konsiderojmë logjike atë që është thjesht psikologjike. Ajo që është familjare konvertohet në të arsyeshme, mekanizëm nëpërmjet të cilit laponit i duket e arsyeshme t’ia ofrojë gruan mysafirit, derisa neve na duket një çmenduri.
Për të dalluar palogjikshmërinë nevojitet perspektiva. Neve na duket shumë e vështirë të dallojmë deri në ç’shkallë kastilianishtja është pllakosur në anët që fare s’kanë të bëjnë me logjikën, por ato absurditete dalin në pah për të huajin, që nis ta mësojë atë. Asnjëri nga ne nuk befasohet kur dëgjojmë konglomerate aq interesante si “herë pas here”; por goditemi nga barbarizma e një fraze si “s’kujtoj asnjë komentim derisa dikush doli për ta vënë në dukje si të vetmin rast që kishte gjetur, në të cilin një vizitë solemne kishte ngjarë”. Kjo s’është emetuar në asnjë çmendi, por në një libër fatlum të stilistit Henry James.
– Natyrisht – do të komentonte një francez. Ajo që ju përmendni nuk ka asgjë të veçantë, pasi anglishtja është një gjuhë që ka lidhje të largëta me logjikën. Ju tashmë e njihni paaftësinë e lashtë të anglosaksonëve për logjikën. Janë njerëz empirikë, në politikë ashtu si edhe në gjuhë. Por vrojtoni ju vetë mprehtësinë, saktësinë logjike të gjuhës sonë.
Rivarol, në ligjëratën e tij të njohur mbi universalitetin e gjuhës frënge, pohonte: “Më kot pasionet na çorientojnë dhe na nxisin të ndjekim një rend ndjesish; sintaksa frënge është e pakorruptueshme. Nga aty lind ajo qartësi e admirueshme, themel i përjetshëm i gjuhës sonë”.
Neve, që e shohim si barbarë, nuk na duket edhe aq – dhe tashmë dyshojmë kur ngecim me shprehje aq goditëse si “qu'est-ce que c'est que fa”, që literalisht do të duhej të përkthehej “qué es eso que eso es que eso” dhe që, në mënyrë modeste, domethënë “qué es eso” (spanjisht: çfarë është ajo).
Edhe Presidenca irlandeze e BE-së - përkrah KosovësShkëputur nga “Heterodoksia”, 1953, botuar në shqip nga “Pema”, 2019.
Përktheu: Fatbardha Statovci