Më 4 dhe 5 gusht në Tuz dhe në Triesh do të përkujtohet 105 vjetori i rënies heroike të Lul Vuksanit, i njohur me emrin kishtar Patër Andre Gjekaj, shkruan për Koha.net Gjekë Gjonlekaj, nga New Yorku, ku jeton e vepron tash e disa dekada.
Në mortet e mëdha në Lamë të Nikmarashit, emri i këtij martiri përmendej kurdoherë. Për këtë meshtar françeskan legjendar të Malësisë, herë pas herë vajtonin gjëmëtarët e maleve tona. Për At Andre Gjekaj sot e kësaj dite këndojnë rapsodët dhe këngëtarët më të mirë të Malësisë së Madhe.
Para pothuajse një gjysmë shekulli kisha dëgjuar emrin e këtij meshtari të madh, i cili ishte vrarë nga ushtria turke, ndërsa po bënte shërbime fetare për të vrarët dhe të plagosurit në atë luftë. Ai kishte shkuar në Frontin e Shkodrës pas një kushtrimi të madh për të varrosur të vdekurit. Kishte qenë gjithmonë në traditën e kësaj familje pjesëmarrja në kushtrime dhe qëndresa për liri. Të tillë kishin qenë babai i tij, Vuksan Deda, dhe vëllai Mal Vuksani. Kjo derë e përmendur i kishte sjellë gjithmonëë Trieshit fitore morale. Trimat e kësaj shtëpie ishin kurdoherë gati për luftë në mbrojtje të vendit. Vëllazëria Gjurashaj, bir i të cilës ishte At Andre Gjekaj, kishte një histori të gjatë luftërash e përpjekjesh për çështje kombëtare e fetare. Meshtarët e parë të Trieshit kishin qenë nga vëllazëria Gjurashaj. Bir i kësaj vëllazërie është sot meshtari i mirënjohur françeskan shqiptar, Patër Prela, Gjurashaj. Fshati ku kanë lindur këto personalitete të nderuara është njëra prej trevave më legjendare të Malësisë. Për qëndresën spartane të Nikmarashit kishin shkruar autore të njohur shqiptarë dhe të huaj, bile edhe në “Hyllin e Drites” dhe në revistën “Leka”. Për aktin heroik të At Andre Gjekaj i ndjeri Patër Zef Jankaj kishte botuar në revistën “Drita” të Kosovës vargjet poetike më të bukura në jetën e tij. Këto poezi epike janë fakte historike. Pater Zef Jankaj nga Ljarja e Krajës kishte shërbyer në Triesh me shumë se tre dekada. Pater Zefi i Trieshit, siç e quanin në Malësi, kishte mësuar për At,Adre Gjekaj nga të parët e tij në Ljare, ku kishte shërbyer meshtari martir i Malsisë. Bile meshën e fundit të jetës At Andrea e kishte thënë në kishën e Ljares në Krajë. Pas kushtrimit në Shkodër i kishte thënë lamtumirë Krajës dhe ishte nisur për mision e tij hyjnor ku edhe kishte humbur jetën në moshën 35-vjeçare.
Vargjet poetike të Pater Zef Jankaj për rënien tragjike të këtij martiri janë monumentale, aq më tepër kur dalin nga shpirti i një vëllai meshtar françeskan shqiptar. Ja si e përshkruan Patër Zefi rënien e At Andre Gjekaj
Tjetri kje Andrea
Vellau i azganit
I mal Vuksanit
Pater Andre kje frat,
Mesa të pagëzimit
Lul emnin e pat
At Andre Gjekaj kishte shërbyer për një kohë te gjatë në famullin e Ljares dhe në famulli tjera të Arqipeshkevisë së Tivarit. Të moshuarit e atyre trevave kishin treguar me vonë për atë humbje të madhe. Pater Zefi kishte dëgjuar shumë nga ato rrëfime për vdekjen tragjike të këtij meshtari nga Malësia.
Si famullitar
N’t’Ljares famulli
Për fe kje zelltar
Mbas te vetash mundësi
Mandej me t’dymbdhetën
Ia kushtoi jetën
Të madhes dashuni
E-pa e mbush vjetën
Të gjashtën mbi tridhetën-
E bani ai fli
Si kane thanë motit
“Krishti I Biri i Zotit
Dashninë ma e madhe
Tjetër s’egziston
Se ajo qe për mik jetën flijon”.
Bota perëndimore e ka shumë të njohur rolin e meshtarëve në luftëra. Meshtarët (kapelanë) janë shumë të nderuar në shoqëritë e qytetëruara. Por edhe në vendet shumë të përparuara siç është Amerika disa herë janë harruar nga historia. Bile shumë herë është biseduar gjerësisht për këtë çështje. Kështu ka ndodhur edhe me Patër Andrenë.
Porsi vullnetar
Tu’kene guximtar
I shtymë nga trimnija
Qe ia hjekë shpija,
Zelli I madh I tij
E c1oi me ushtri
Qe me turk luftoi
Më ndihmë me u gjetë
Atyne që në luftë
Të ketë fatin me mbet
Të gjithëve me u dhanë
Ngushllimin e fesë
Bestareve tue dekë
Ne hovin e betesë.
Patër Zefi i Trieshit për të kaluarën e At Andresë kishte mësuar shumë nga vellazërit Zef e Dedë Mal Vuksani. Ata kishin dëgjuar për ungjin e tyre nga prindërit dhe familjarët tjerë. Ata kishin treguar se At Andrea kishte pasur dashuri dhe respekt për Trieshin, bile kurdo i jepej mundësia thoshte meshë në kishën e Trieshit. Ata tregonin se Trieshi e kishte përjetuar rëndë rënien e këtij martiri.
N’ket detyrë humane
Edhe kristiane
Porsi françeskan
Dhe atë e qëlloi
Plumbi otoman
E shpirtin ia coi
Në t’Zotit lumni
Ndërsa trupin e ti
N’Kolaj e kanë çue
Ku përpara lterit
Në kishë e kanë vorrue”
Këto vargje homerike të Patër Zef Jankaj e bëjnë të pavdekshëm birin besnik të fesë e të atdheut At Andre Gjekaj. Respektin dhe kujdesin për meshtarin martir të Trieshit po e vazhdon sot ish meshtari i mirënjohur i Malesisë Patër Mirash Marinaj.
Disa personalitete fetare dhe shoqërore meritojnë nderime për kujdesin që treguan dhe po tregojnë për sakrificën maksimale të Patër Andre Gjekaj.
Nipat e tij Zef Mali dhe Dedë Mal Vuksani kishin qenë shumë të ndjeshëm dhe të kujdesshëm për axhën e tyre hero Lul Vuksanin-Patër Andrenë Gjekaj. Amanetin e tyre po e çojnë në vend të bijtë e Dedë Mal Vuksanit: Nikolla (Shari) dhe Lubi (Luigji). Ata nuk po kursejnë asgjë që emri i Patër Andre Gjekaj të vendoset atje ku meriton. Vëllezërit Shari e Lubi Gjurashaj janë shembull i shkëlqyeshëm për shoqërinë shqiptare. Vepra e tyre është shumë fisnike.
(Autori është ish gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York)