Kulturë

Paska edhe kësi “historianësh” shqiptarë që krahasojnë Skënderbeun me Mlladiqin

Një emision në ekranin e “News24” mbi islamin dhe Skënderbeun zbuloi se ndër ata që veten quajnë historianë shqiptarë, paska edhe të tillë që për veprimet çnjerëzore e krahasojnë heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, me Mlladiqin e Bosnjës, të cilin e pret dënimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës me burgim ekzemplar.

Të ftuar në studio mbrëmë ishin akademikë, përfaqësues fetarë dhe analistë.

Historiani Olsi Jazexhi hodhi deklarata të forta ndaj figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Skënderbeu ka bërë masakra ndaj myslimanëve. Skënderbeu ka qenë një figurë që është pranuar me vështirësi në mesin e shqiptarëve, pasi Skënderbeu është parë si simbol i krishtërimit. Skënderbeu në atë kohë ka bërë masakra ndaj myslimaneve që i ngjajnë masakrave të Mlladiq në Bosnjë”, u shpreh historiani Jazexhi.

Por historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi deklaroi se Skënderbeu nuk ka qenë përfaqësues i krishterimit dhe kurrsesi xhelat i myslimanëve.

“Skënderbeu nuk ka qenë kalorës i krishterimit. Skënderbeu nuk ishte një xhelat i myslimanëve, kur ai erdhi ndezi kryengritjen, pasi në atë kohë nuk kishte mysliman në Shqipëri, popullsia masive ishte e krishterë. Regjistrat e vitit 1431 nuk japin fare mysliman. Në vitin 1533 fillon të zbulohen regjistra mysliman. Fetarisht Skënderbeun është e vështirë ta vendosësh diku, pasi ai edhe në majë të kokës, mbante simbol pagan , nuk ishte kalorës i krishterimit”, u shpreh Xhufi.

Ndërsa Imami Armand Aliu tha se “Myslimanët nuk mund të kenë hero të tyre një armik të islamit. Skënderbeu është armik i myslimanëve. Në historinë e faljes së namazit për Kurban bajram ka pasur qëndrime të ndryshme. Ka pasur radikalë katolik që e kanë fryrë këtë çështje. Radikalët katolik kanë bërë kërcënime për myslimanët, në komente dhe në facebook. Myslimanët nuk mund të kenë hero të tyre një armik të myslimanit siç ka qenë Skënderbeu”.