Kulturë

Parodia ndaj burokracisë hap Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Shfaqja “Memorandumi”, me autor desidentin çek, Václav Havel, e nën regji të Agon Myfarit, ka hapur edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ngjarja më e vjetër dhe më e madhe teatrore në Kosovë ka hapur dyert të shtunën mbrëma, duke rrumbullakuar rolin e teatrit nga disa perspektiva. Pos ironisë nëpërmjet shfaqjes që është produksion i vetë teatrit “Adriana”, edhe gjatë ceremonisë hapëse janë përmendur disa ngjarje që kanë të bëjnë me tetarin si institucion

Është një organizatë që funksionon si një administratë burokrate. Bëhet fjalë për një sistem edhe politik që parodizohet për konformitet. Shfaqja “Memorandumi”, me autor desidentin çek, Václav Havel, e nën regji të Agon Myfarit, ka hapur edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ngjarja më e vjetër dhe më e madhe teatrore në Kosovë ka hapur dyert të shtunën mbrëma, duke rrumbullakuar rolin e teatrit nga disa perspektiva. Pos ironisë nëpërmjet shfaqjes që është produksion i vetë teatrit “Adriana”, edhe gjatë ceremonisë hapëse janë përmendur disa ngjarje që kanë të bëjnë me tetarin si institucion.

Është kujtuar themelimi i Teatrit të Luftës në Sarajevë, akti i rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë, e sulmi i Teatrit në Mariupol të Ukrainës si hapësirë që kishte shërbyer për strehimin e refugjatëve. Edhe pse aty ishte shkruar fjala “fëmijë” në gjuhën ruse, forcat e Federatës Ruse nuk kishin ndalur bombardimet duke lënë të vrarë rreth 600 persona, ndër ta edhe fëmijë. Është përkujtuar edhe aktorja Adriana Abdullahu, e vrarë më 22 mars të vitit 1999. Aty është kujtuar si yll në ngritje e kontributdhënëse në teatrin “Dodona” në Prishtinë. Prezantimi hyrës ka qenë edhe ironi për mospjesëmarrjen e udhëheqësve shtetërorë në ceremoninë hapëse të Festivalit. Janë thirrur emrat e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, por që nuk janë parë të jenë në një nga ngjarjet e mëdha kulturore në vend.

Përndryshe, Festivali i Teatrove në Ferizaj këtë edicion do të ketë shtatë shfaqje teatrale në garë dhe një jashtë garës. Do të jenë dy punëtori të organizuara që lidhen me forum e teatrin si kundërpërgjigje ndaj bullizmit dhe në lëvizje poetike si rezistencë. Do të ketë edhe panele diskutimi me temat “Dramë kosovare në letër” dhe “Kushtet e përgjithshme teatrore në Kosovë”.

Drejtori artistik i Teatrit të Ferizajt, Besim Ugzmajli, ka thënë se këtë edicion përveç veçantive të tjera, ka pasur një lloj ribrendimi të Festivalit të Teatrove për nga çështjet vizuale, por pa e ndërruar traditën mbi 50-vjeçare.

“Kemi bërë përpjekje të shumëfishohen aktivitetet e Festivalit. Përveç shfaqjeve kryesore që jepen nga ora 19:00, do të ketë edhe aktivitete të tjera duke filluar nga punëtoritë, panelet e diskutimit që lidhen me tema të ndryshme për teatrin, do të kemi retroteatrin, një kujtesë kolektive që do të vjen përmes tri performancave që do të punohen gjatë këtij edicioni”, është shprehur regjisori Ugzmajli, derisa ka konsideruar se programi është solid, ku janë tentuar shfaqjet më të mira të këtij viti, ndërsa konkurrencën e ka konsideruar goxha interesante. Jurinë e këtij edicioni e përbëjnë regjisori Sulejman Rushiti, skenaristi dhe dramaturgu Skënder Kelmendi dhe aktorja Edona Rushiti-Bekteshi.

Retroteatri si një nga veçantitë e këtij edicioni synon të kthejë kujtesën kolektive të Teatrit të Ferizajt. Janë tri performanca që do të jepen gjatë Festivalit më datat 3, 5 dhe 7 tetor. Ato do të mbahen në Kishën Katolike si hapësirë që para luftës hapi dyert për shfaqje dhe mundësoi sado pak jetën kulturore në qytet; Ish-gjimnazi si shkolla e parë në këtë qytet dhe në Stacionin e Trenit si themeli kryesor i këtij qyteti. Po ashtu, do të jepen edhe shfaqje studentore që janë si rrjedhojë e bashkëpunimit me Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

E perdet e skenës janë ngritur për shfaqjen me autor ish-presidentin çek, Havel. Skena e parë nis me personazhin e Grosit që lexon një dokument në gjuhë të pakuptueshme. Është “Ptajdibi” që synohet të futet në përdorim në organizatën e drejtuar nga personazhi kryesor, Grosi. Punëtorët janë ata që e nxisin atë në përshpejtimin e marrëveshjes, e që më vonë ia marrin edhe pozitën e drejtuesit. Skena e lojës shpesh kthehet edhe në kurs të gjuhës së imagjinuar, e cila vjen si simbolikë e sistemit të ngatërruar administrativ në institucionet shtetërore në vend.

Është Grosi ai që kërkon t’i përkthehet dokumenti, por askush nuk ka autoritet për ta bërë atë. Ai vihet në kurth për të nënshkruar një dokument në këtë gjuhë e që rezulton në shkelje autoriteti sipas punonjësit të quajtur Ballash, i cili synon pozitën e drejtorit. Një gjë të tillë edhe e siguron, vetëm pasi e vë në kurth Grosin për të nënshkruar vendimin për praktikim të gjuhës së ptajdibisë në organizatë. Personazhi kryesor tashmë është i rrethuar nga njerëz që me shpejtësi po e mësonin këtë gjuhë dhe po bënin shaka me të.

Sa shkarkohet Grosi nga pozita, vjen Ballashi i cili së pari shijon ndjesinë e të qenit udhëheqës, por që shumë shpejt ballafaqohet me sfidat e njëjta si pararendësi i tij që ishte shantazhuar e me vështirësitë në procesin e punës. Ai kupton se gjuha artificiale po ngec dhe po merr kahe negative. Kërkon fajtorin që ka marrë iniciativën për përdorim të gjuhës, por në fakt është vetë ai që kërkon llogari nga vetja. Shfaqja pasqyron edhe neglizhencën në institucionet shtetërore.

Dokumenti i Grosit përkthehet më në fund nga punëtorja me emrin Maria dhe kupton se qëndrimi i tij për të mos e lejuar futjen e gjuhës së ptajdipisë kishte qenë i duhuri. Regjisori Agon Myftari është shprehur i lumtur me interesimin për të parë shfaqjen. “Memorandumi” ishte dhënë premierë më 28 qershor e më pas kishte pasur edhe dy repriza të tjera. Kjo është hera e katërt e shfaqjes teatrale. “Shfaqja konsiderohet të jetë një dramë e errët apo komedi e errët politike, e cila flet për një sistem të koklavitur burokratik i cili të kujton edhe institucionet tona të ndërtuara pas luftës. Është piramidë prej letrash, rregulloresh, nënrregulloresh që shpeshherë në vend që ta lehtësojnë punën e institucioneve, teatrit në këtë rast, shkojnë duke komplikuar komunikimet ndërzyrtare”, është shprehur regjisori Myftari.

Një nga rolet që luhen është edhe përkthyesi i gjuhës artificiale të ptajdipisë. Aktori Arben Marevci ka thënë se shfaqja si zhanër funksionin ashtu që në vend që gjithçka të thjeshtohet, ajo shkon çdoherë duke u komplikuar.

“Mendoj se ka qenë më e sforcuar si ndjenjë pasi është një zhanër pak më ndryshe se zhanret që kemi punuar deri tash, por rikthimi prapë në skenë i kësaj shfaqjeje na ka ngjallur ngarkesë të jashtëzakonshme, pasi është shfaqje e ngjeshur me tekst goxha shumë, ashtu edhe me lojë dhe me detaje shumë të vogla që i japin fuqi shfaqjes dhe ato që nuk guxojnë të na ikin”, ka thënë ai.

Shfaqja lufton burokracitë që zhvillohen nëpër institucionet tona publike, në kuptimin se ka obligime të panevojshme që shpesh i hasin qytetarët. Ajo është si pasqyrim i gjërave që mund të thjeshtohen për të gjithë. Për aktoren Gresa Gashi, që luan rolin e sekretares në organizatë, ka thënë të ketë qenë kënaqësi hapja e Festivalit me shfaqjen “Memorandumi”. “Normalisht është ndjenjë shumë e mirë të hapësh festivalin në qytetit tënd me shfaqjen tënde. Roli im është i një zyrtareje që punon në zyrë dhe që problemi i saj i vetëm është të krehë flokët dhe të dalë të hajë drekë. Është edhe pasqyrim i jetës reale në të cilën po ndodhemi sot”, është shprehur aktorja Gashi.

{gallery}