Veprimtare dhe pedagoge e shquar, Parashqevi Qiriazi është krahasuar me Marianne Hainisch në Austri, Annestine Beyer në Danimarkë dhe Maria Montessor në Itali. 50-vjetorin e vdekjes së saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO – e ka përfshirë në kalendarin e ngjarjeve të muajit dhjetor. Po në këtë ditë, në selinë e kësaj organizate, në Paris, është shfaqur një film dokumentar duke e quajtur Qiriazin si “yll i mëngjesit për emancipimin e grave”
“Shkrova disa letra për në Amerikë. Gjithashtu shkrojta dy nota: një për Lloyd George dhe për Baron Sonninin”. Kështu shkroi në ditarin e saj më datë 23 prill 1919 e vetmja përfaqësuese femër shqiptare në konferencën ku po vendosej fati i popullit shqiptar.
Me flokë të lidhur, që të kujtonte një zonjë aristokrate angleze, 39-vjeçarja Parashqevi Qiriazi nuk e kishte idenë që historia do ta kujtonte atë si një nga themelueset e diplomacisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Versajë.
Një ditar personal që nis më 1 janar 1919 e sos më 22 tetor të po atij viti është edhe kronika për përpjekjet e ethshme për të afirmuar çështjen shqiptare para diplomacisë perëndimore.
I nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, “Ditari i Parashqevi Qiriazit: Ditët e mia në Konferencën e Versajës”, i cili ishte botuar më 11 nëntor nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), është promovuar të enjten në mjediset e bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Por 50-vjetorit të vdekjes së veprimtares dhe pedagoges shqiptare nga Manastiri i është dhënë edhe një përmasë botërore. E përfshirë në kalendarin e ngjarjeve të shënuara për muajin dhjetor, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO – në faqen e saj zyrtare ka dhënë një profil të shqiptares së shquar, duke e quajtur atë “yll mëngjesi” për emancipimin e gruas.
Po të enjten, në selinë e kësaj organizate, në Paris, është shfaqur edhe një dokumentar mbi jetën dhe veprën e zonjës Qiriazi, i përgatitur nga ITSHKSH-ja dhe nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“17 dhjetori i 2020-s shënon përvjetorin e pesëdhjetë të vdekjes së Parashqevi Qiriazit, e lindur në Manastir (tash Maqedonia e Veriut) më 2 qershor 1880, një prej figurave kyç të Iluminizmit shqiptar në fund të shekullit 19-të dhe fillim të shekullit 20-të. Roli i saj pionier në arsimimin dhe emancipimin e gruas në Perandorinë Osmane mund të krahasohet vetëm me arritjet e Marianne Hainischit në Austri, Annestine Beyerit në Danimarkë dhe Maria Montessorit në Itali”, është shkruar në faqen zyrtare të UNESCO-s.
Sipas këtij teksti, Qiriazi ishte gruaja e parë që shkroi një libër shkollor në shqip dhe e vetmja grua që mori pjesë në Kongresin e Manastirit që kofidikoi alfabetin shqip në nëntor të 1908-s, teksa përkujtohet që ajo kishte dy diploma (njërën prej Robert College në Stamboll dhe tjetrën prej Oberlin College, në Ohio të SHBA-së).
Për UNESCO-n, Qiriazi ka luajtur një rol të madh në skenën e arsimit të femrave dhe në lëvizjen kombëtare shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane.
“Asgjë nuk mund të zbehte vendosmërinë e saj, as kushtet e rënda të punës, as trysnitë politike, as dy luftëra ballkanike dhe dy botërore, dhe as momentet e vështira të kaluara në kampe përqendrimi, ku ajo ishte deportuar më 1943 tok me motrën e saj Sevastinë dhe me anëtarë të tjerë të familjes së saj, si pasojë e veprimtarisë antifashiste”, thuhet në profilin e afishuar në faqen e UNESCO-s.
E botimi i ditarit të Parashqevi Qiriazit është vlerësuar si një ngjarje e shënuar që i kundërvihet gjendjes së rëndë me pandeminë. Për të pranishmit në ceremoninë e promovimit në Prishtinë, Qiriazi ishte veprimtarja që na bën krenarë për punën e saj në “shpërndarjen e dritës dhe diturisë në kasollet e varfra” në kapërcyell të dy shekujve të kaluar.
Me këtë rast është shfaqur filmi dokumentar gjashtëminutash për jetën dhe veprën e Parashqevi Qiriazit, duke shpalosur vlerësime e fotografi dokumentare të kohës.
Ministrja e Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Irena Stefoska, e ka cilësuar shqiptaren e Manastirit si një nga figurat kryesore të Rilindjes Kombëtare shqiptare.
“Nëse ka një shembull që e ilustron thënien e historianes franceze Jules Michelet se ‘secila grua është shkollë’, atëherë Parashqevi Qiriazi është shembull i kësaj”, ka thënë Stefoska në dokumentarin ku janë përfshirë edhe vlerësime nga historiani Skender Asani, profesoresha nga Elbasani, Teuta Toska, drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, David Hosaflook, si dhe studiuesja nga Shkupi, Nora Maliqi-Zulali.
Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, e ka vlerësuar si ngjarje të rëndësishme shfaqjen e dokumentarit për Parashqevi Qiriazin në selinë e UNESCO-s. Sipas tij, kjo vjen në një kohë kur Serbia po i përvetëson dhjetëra vlera kulturore të shqiptarëve.
“Ne duhet të punojmë që gjërat tona të mos përvetësohen për shkak të mospunës sonë”, ka thënë Lluka. “Duhet të jemi të guximshëm, pa qenë euforikë, që të punojmë në staza të gjata me botime faktografike për rrethanat dhe njerëzit që dhanë kontribut që t’i kemi dy shtete”.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, ka vlerësuar se shfaqja e dokumentarit në Paris dhe përkujtimi i Parashqevi Qiriazit janë mirënjohje ndërkombëtare për një grua të shquar shqiptare. Ai ka thënë se shpreson që shqiptarja e shquar të bëhet pasaportë kulturore e diplomatike edhe për shtetin e Kosovës për t’iu hapur dyert në arenën ndërkombëtare.
“Parashqevi Qiriazi bashkë me vëllezërit dhe motrën, Sevastinë, paraqesin shiritin e çmueshëm me karakter kombëtar duke e shpalosur flamurin e vlerave tona kombëtare”, ka thënë historiani nga Shkupi, i cili bashkë me Nora Maliqi-Zylalin ka përgatitur për botim ditarin e Qiriazit.
Duke folur për librin, gazetari dhe publicisti Emin Azemi ka vlerësuar se duart e brishta të Qiriazit shkruan historinë e diplomacisë shqiptare.
“Ajo ishte protagoniste dhe dëshmitare e gjallë e zhvillimeve për fatet e popujve të Ballkanit”, ka thënë Azemi duke evokuar rolin e saj në Konferencën e Paqes në Paris.
Tutje, ai ka vlerësuar se ditari dëshmon se si një grua e shquar shqiptare, e rrethuar nga vetmia e dilemave delikate të kohës, “çau akullin e trashë të refuzimit të çështjes shqiptare”.
“Ajo u bë zëdhënëse e kauzës kombëtare, në një konferencë ndërkombëtare ku logjika e ftohtë e gjeopolitikës ishte më e ashpër se dëshirat dhe aspiratat e shqiptarëve për të jetuar brenda një sovraniteti të pacenuar territorial e kombëtar”, ka theksuar Azemi.
E lindur më 2 qershor 1880 në Manastir, Parashqevi Qiriazi ishte më e vogla nga dhjetë fëmijët e familjes Qiriazi. Qysh e re iu bashkua përpjekjeve të vëllait të saj, Gjerasim Qiriazi, dhe motrës, Sevasti, për t’i mësuar vajzat shqiptare në Shkollën e Vashave, që ishte hapur më 15 tetor 1891 në Korçë.
Pasi mbaroi studimet në Robert College në Stamboll, Parashqevia u kthye në Korçë për t’iu përkushtuar mësuesisë. Përveçse e vetmja pjesëmarrëse femër në Kongresin e Manastirit më 1908, ajo u bë po ashtu autorja e parë shqiptare e teksteve shkollore, veçmas me “Abetaren për shkollat e para”.
Ishte një nga themelueset kryesore të shoqërisë së grave “Yll i Mëngjezit”. Pas pushtimit të Korçës nga okupatorët grekë, ajo mërgoi në Bullgari dhe Rumani, ku në bashkëpunim me motrën e saj, Sevasti Qiriazi-Dako, përgatiti dhe botoi revistën “Ylli i Mëngjezit”. Ajo mori gradën akademike master në vitin 1913 në departamentin e edukimit në Kolegjin Oberlin të Ohios, duke mbrojtur temën “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri”.
Përpos aktivitetit në Boston e Chicago, ajo ishte e vetmja përfaqësuese femër e delegacionit shqiptaro-amerikan në Konferencën e Paqes në Paris.
Si kundërshtare të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ajo dhe motra e saj u dërguan në kampin e koncentrimit Anhalteleger Dedinje në Beograd. Nën shpërfilljen dhe ftohtësinë e pushtetit komunist ndaj familjes Qiriazi, Parashqevia vdiq në Tiranë më 17 dhjetor 1970.