Murtaja shënoi fundin e Mesjetës dhe fillimin e një rilindjeje të madhe kulturore. Pavarësisht hatasë së madhe, a mund të kthehet edhe koronavirusi në një mundësi të ngjashme për ndryshim radikal?
Ndryshimet e mëdha priren të sjellin ndryshim të madh shoqëror, për mirë a keq. Pasojat e luftërave dhe depresioneve ekonomike janë studiuar thelbësisht; pasojat e pandemive shumë më pak. Gjatë pranverës, me qëllim që të njihja më mirë të ardhmen tonë të mundshme, ndava mendjen t’i kthehesha së kaluarës nëpërmjet syve të Gianna Pomatas, profesoreshë e pensionuar në Institutin e Mjekësisë në universitetin “Johns Hopkins”. Kur folëm për herë të parë, nëpërmjet “Skypet”, menjëherë e krahasoi COVID-19-shin me murtajën bubonike, që e kishte pllakosur Evropën në shekullin e katërmbëdhjetë – “jo për nga numri i vdekjeve, por për shkak të shkundjes që i kishte bërë mënyrës se si mendojnë njerëzit”. Ajo do të shkonte më larg: “Vdekja e Zezë përnjëmend shënon fundin e Mesjetës dhe fillimin e diçkaje tjetër”. Ajo diçka tjetër ishte Renesanca.
Prej pensionimit, Pomata është kthyer në vendlindje në qytetin e vjetër të Bolonjës. “E njihni Bolonjën, apo jo?” – do të pyeste ajo në bisedën e parë të 27 marsit. Disa dekada më parë, isha shoqëruesi i dhëndrit në një dasmë të atjeshme. Mu kujtuan kishat e mëdha, pullazet me qeremidhe të kuqe, shtigjet me mermer me portikët harkorë; një qytet hijerëndë, i qelibartë, plot me studentë dhe me çifte pleqsh të pathyeshëm. Gjatë Mesjetës, Bolonja ishte shtëpi e më shumë se njëqind kështjellave, rrokaqiej të asaj kohe, që shërbenin si vitrina të pasurisë dhe ambicies për oligarkët e pushtetshëm. Dy prej kështjellave të mbetura janë kthyer në simbole të Bolonjës: njëra ka nisur të marrë teposhtën, tjetra mezi mbahet në këmbë si kushërira e saj në Pisa. “E mbani mend ‘Piazza Maggioren’, zemrën e qytetit afër dy kështjellave?” – më pyeti Pomata. “Mu aty, jetoj unë”.