Afro 40 mijë vizitorë, siç kanë bërë të ditur organizatorët, kanë mundur të ndajnë ambientin bashkë me dy mijë tituj të rinj në edicionin e 23-të të Panairit të Librit.
Imazhi kryesor i ditës së fundit ka qenë fluksi i vizitorëve në atë që njihet si festa e librit. Të dielën jo të paktë kanë qenë ata që kanë shfrytëzuar ofertat e botuesve në orët e fundit të Panairit.
Edicioni i 23-të i Panairit ka bërë bashkë shkrimtarë, lexues e botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi për gjashtë ditë. Të jetë libri kryefjalë e Panairit ka qenë qëllimi qysh në fillim të këtij edicioni. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se e kanë arritur këtë synim dhe se tema e sivjetme është konfirmuar. Kjo, sipas tij, është arritur nëpërmjet diskutimeve e paraqitjeve mediale e nga vetë jehona që ka pasur organizimi.
“Libri ka triumfuar, vetë prania jonë këtu, vetë vizitueshmëria e njerëzve, vetë fakti që gjatë kësaj jave kemi pasur gjithë ato diskutime për librin, gjithë ato personalitete që e kanë vizituar Panairin e Librit. Fakti që përkundër kumteve që na ngjasonin shumë profetike në raport me atë se libri po vdes, lëre që nuk kanë zënë vend, por e kundërta ka ndodhur, libri kurrë nuk ka qenë më prezent”, ka thënë Zeneli.
Organizatori i Panairit, Zeneli, ka thënë se sivjet kryengjarje ka qenë prania e shkrimtarit me nam botëror, Ismail Kadare, dhe e Rexhep Qosjes, bashkë me shënimin e përvjetorëve të lindjes të figurave të shquara të letërsisë shqipe: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, si dhe janë shënuar 100 vjet të lindjes së Jakov Xoxës.
Nga e marta, kur Panairi tashmë tradicional u hap, janë promovuar mbi 30 vepra të reja. Sikurse ishin pritjet e organizatorëve para nisjes së ngjarjes, nga ta është bërë e ditur në ditën e fundit të Panairit të Librit se kanë pritur afro 40 mijë vizitorë. Përkundër fluksit në Panair, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka vlerësuar se numri i lexuesve është i mangët. Sipas tij, shumë prej atyre që frekuentojnë shtandet janë veç vrojtues të librave.
“Panairet janë të rëndësishme, sikurse ky, për t’iu treguar njerëzve se çfarë është botuar, sepse edhe ashtu kemi mangësi të lexuesve, kështu mendoj. Ndoshta një Panair i këtij soji ia vlen të mbahet edhe dy herë në vit, sepse këtë e shoh edhe nga interesimi i njerëzve, ndoshta nuk blejnë të gjithë, por ia vlen ta shohin librin, të jenë afër tij”, ka thënë shkrimtari Kadriu. Sipas tij, platformat e reja të leximit nuk janë po aq të magjishme sa shfletimi i faqeve të librit fizik.
“Duhet të krijohet shprehia e leximit dhe e miqësisë me librin. Pavarësisht hapësirës së ngushtë, duhet të ketë hapësirë më të madhe, ka interesim. Libri e ka gjithherë vendin e vet, pavarësisht virtuales. Libri është diçka që preket, e ke aty afër çdoherë. Prandaj libri nuk do t’i humbë efektin e rëndësinë e vet, prandaj unë edhe merrem me shkrimin e librave, sepse e di se herë-do-kurdo do të jenë në duart e lexuesve”, është shprehur Kadriu më tej.
Botimet KOHA, sikurse çdo vit, edhe në këtë edicion ka pasur ofertë të veçantë për lexuesit. Kanë qenë gjithsej shtatë botime të reja që janë prezantuar me gjithsej 160 tituj. Menaxheri i shitjes, Fidan Imeri, ka thënë se shtandi i tyre ka klientët besnikë tash e mbi dy dekada. “Për çdo edicion të Panairit, shtëpia botuese KOHA ka çdoherë e më shumë vizitorë, për çdo vit jemi më të kënaqur... Çfarë e bën shtandin të veçantë është oferta më e mirë për lexuesin deri në 80 për qind”, ka thënë Imeri.
Në dy kate të Pallatit të Rinisë kanë zënë vend rreth 80 shtande në të cilat janë përfaqësuar 103 shtëpi botuese.
Artin Mehmeti nga shtëpia botuese “Artini” ka pohuar se këtë edicion ka pasur më shumë blerës edhe tek shtandi i tyre. Ka thënë se sivjet kanë ardhur në Panair me 18 tituj të rinj. “Tituj të rinj që nuk kanë qenë vitin e kaluar në Panair janë dymbëdhjetë, por ekskluzivisht për Panair janë gjashtë. Nuk ka ndarje të gjeneratave, por ne si shtëpi botuese jemi të profilizuar për libra historikë, akademikë dhe target, audienca jonë janë njerëzit e rritur. Megjithatë, kemi pasur edhe shtëpi të tjera botuese që kemi përfaqësuar dhe ka pasur të interesuar nga të gjitha moshat”, ka thënë Ahmeti. Interesim i dukshëm për librin ka qenë edhe tek fëmijët. Kanë qenë edhe shkollat ato që në mënyrë të organizuar i kanë sjellë në Panair.