Kulturë

“Pamje revolucioni” me revolucionarë që i përpin absurdi

Vendosmëria e tyre që të rezistojnë duket absurde. Ata janë të etur, të pangrënë, e madje edhe të dëshpëruar. Revolucioni i tyre mbetet në tentativë, e humb ritmin ashtu sikurse edhe shfaqja në jo pak raste. Si autori i tekstit, italiani Tino Caspanello, njashtu edhe regjisori Kaltrim Balaj, shfaqin më shumë budallallëqet dhe dështimet e këtij revolucioni, sesa festimin e një ndryshimi në rritje

Prishtinë, 18 shkurt – Tre revolucionarët e fundit të një revolucioni për të cilin shikuesit dinë shumë pak, janë në qendër të shfaqjes “Pamje revolucioni”, që u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Emrat e tyre janë kode dhe vijnë si 584, 137 dhe 892, apo shefi, siç i referohen ndonjëherë. Jashtë hapësirës ku ata gjëllijnë jeta vazhdon rrjedhën e saj. Vendosmëria e tyre që të rezistojnë duket absurde. Ata janë të etur, të pangrënë, e madje edhe të dëshpëruar.

Në kërkim të ushqimit, 584-shi sjell një grua e cila i bashkohet grupit. Del të jetë gruaja e 1-shit, një ish-revolucionari i cili i ka shkelur rregullat. Këtë rol e portretizon Qëndresë Jashari. Si një grua shtatzënë, ajo fiton status të veçantë brenda grupit dhe merr besimin e të gjithëve, me të vetmin qëllim që t’i shpërbëjë.

Me lojën e saj, Jashari ia shton dramacitetin shfaqjes, diçka për të cilën ajo me të vërtetë ka nevojë. Është e guximshme gjetja e shkrepëses e regjisorit, me të cilën aktorja Qëndresë Jashari kërcënon treshen se do t’ia vërë flakën vendit nëse nuk e lejojnë. Apo kur ajo var litarin rreth qafës së saj.

Por, loja e aktorëve e humb ritmin për ta mbajtur vëmendjen e publikut për rreth 1 orë e 30 minuta sa zgjat shfaqja që u dha premierë të mërkurën mbrëma. Një shfaqje e tillë vjen si një vjegëz se Teatrit Kombëtar të Kosovës do t’i duhet të sjellë realizime më “revolucionare”, për të bërë një revolucion së paku në skenën e vogël, në mënyrë që ta mbajë vëmendjen e publikut gjatë gjithë kohës.

Sidoqoftë, si autori i tekstit, italiani Tino Caspanello, njashtu edhe regjisori Kaltrim Balaj, shfaqin më shumë budallallëqet dhe dështimet e këtij revolucioni, sesa festimin e një ndryshimi në rritje.

Tino Caspanello, i lindur në vitin 1960, është themelues i “Teatro Pubblico Incanto”, me të cilën ka vënë në skenë 35 shfaqje e spektakle. Më 2003 ai ka marrë Çmimin Special të Jurisë së Premio Riccione Teatro, ndërsa më 2008 ka marrë çmimin e Associazione Nazionale dei Critici di Teatro.

Regjisori kosovar Kaltrim Balaj nuk e dërgon deri në fund revolucionin. Atë e shkatërron nga brenda. Për KOHËN ka thënë se atë e kanë tërhequr ngjarja, tema dhe koncepti se revolucioni është aktual gjatë gjithë jetës, jo vetëm në vend, por në të gjithë botën.

“Mendoj që ky revolucion që keni parë sonte shpjegon diçka tjetër, ose merret shumë më shumë me fshehtësitë brenda revolucionit. Merret me të çarat, me të metat, në fakt jo të metat, por me të fshehtat e një grupi i cili revoltohet e që qëllimi i tyre është shumë i mirë. Harmonia, pastaj edhe bashkimi është shumë i madh, por kur rruga e tyre nis të devijojë, pranojnë shumë lehtë infiltrime prej jashtë, që çojnë deri te shkatërrimi ose përfundimi i revolucionit”, ka thënë ai.

Aktori Leonit Maloku, i cili në shfaqje luan 137-shin, ka treguar se provat për të sjellë në skenë këtë revolucion, që nuk dihet se ku ndodh, kanë filluar në nëntor. Për rol në këtë shfaqje ishte kontaktuar nga vetë regjisori Kaltrim Balaj. Është bashkëpunimi i dytë me regjisorin. Si arsye për të pranuar rolin qe teksti, por jo vetëm.

“Për shumë arsye, për revolucionin që ka ndodhur edhe në Kosovë më herët para luftës, për një revolucion që nuk dihen as emrat e as se ku ndodh, në cilin shtet, nuk kanë identitet por vetëm janë ngujuar dhe duan të fillojnë një revolucion, por që gjatë kohës fillojnë problemet dhe infiltrimet prej atyre jashtë për të na zhbërë neve, e që në fund ia arrijnë qëllimit dhe na zhdukin neve si revolucionarë”, ka thënë ai.

Loja e Leonit Malokut, Bashkim Ramadanit (892-shit), Besart Zenelit (584-shit) dhe veçanërisht e Qëndresë Jasharit, i ka lënë mbresa regjisorit Agron Gërguri.

Ka thënë se interpretimi e bën publikun që të shqetësohet se çfarë po ndodh në skenë, sidomos me vetë aktorin, pasi që kishte pjesë goxha të guximshme.

“U befasova pak për të mirë për shfaqjen, për interpretët kryesisht, sidomos për atë vajzën që e luante rolin e të ardhurës këtu në këtë treshen që na kujton në njëfarë mënyrë një sistem të treshit të ilegales së dikurshme, po që shpesh ndodh që revolucioni i ha njerëzit e vet”, ka thënë Gërguri. Sipas tij, ky duhet të jetë mesazhi i shfaqjes.

“Ai i miqësive sesi njerëzit mund të dehidratohen emocionalisht dhe të vijnë në një asgjë, në një absurd në të cilin e gjejnë veten, në një absurd ku nuk dinë më se çfarë të bëjnë me njëri-tjetrin dhe ndodh që edhe shkatërrohen”, ka thënë ai për shfaqjen, e cila reprizën e saj e ka të premten.