Libri i radhës nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës sjell 35 krijime nga 13 shkrimtarë, midis tyre të verbër dhe me shikim të dëmtuar. Me poezi e prozë vijnë krijues që për herë të parë shkrimet e tyre u zbuluan për lexuesit. Midis tyre ka edhe të tjerë që në krijimtarinë e tyre kanë disa vepra të botuara
Një faqe e gjysmë i mjafton ta përmbledhë jetën e tij prej kur e mban mend. Uran Syla, i lindur në vitin 2008, pas një komplikimi shëndetësor mbeti i verbër. “Jeta ime” mban titullin tregimi i tij, i publikuar në librin “Pak dritë”. Jetën, ballafaqimin me sfidat për t’u shkolluar e për të qenë pjesë e shoqërisë dhe lojërave me bashkëmoshatarët, Syla i përshkruan në atë mënyrë që gjatë leximit duket sikur ai është përballë duke e rrëfyer vetë historinë e jetës së tij. Theksin e vë te përkushtimi i prindërve dhe dashuria që e ka për jetën.
Si Syla janë edhe 12 të tjerë, autorë të përbashkët të këtij libri. Secili nga ata mes rreshtash përcjell mesazh, ndjeshmëri dhe mendim, me gjuhë të rrjedhshme e fraza të ndërtuara bukur, jo rrallë duke shprehur paradokset e jetës së personave me nevoja të veçanta.
Ndjesitë e brendshme dhe përjetimet e ballafaqimit me botën vijnë edhe në poezitë e Rinesa Azizit dhe Betim Bregovinës, emra tashmë të njohur në krijimtari me një numër veprash të botuara.
“Pak dritë” u botua nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës në kuadër të projektit “Të verbrit, kultura dhe trashëgimia në Kosovë”, ky libër sjell 13 krijues dhe 35 krijime.
Me poezi e prozë vijnë krijues që për herë të parë shkrimet e tyre u zbuluan për lexuesit. Midis tyre ka edhe të tjerë që në krijimtarinë e tyre kanë disa vepra të botuara.
“Pak dritë” është botuar edhe në alfabetin e brajit.
Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, shprehu falënderim për të pranishmit në konferencën për promovimin e librit “Pak dritë”.
Ai po ashtu tregoi për rëndësinë që libri ka për shkrimtarët e krijuesit pjesëmarrës në këtë botim.
“Me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me aktivitetet dhe me një punëtori që e kemi pasur paraprakisht që t’i inkurajojmë autorët e verbër që të krijojnë proza dhe poezi, kemi ardhur deri te finalizimi i këtij libri ‘Pak dritë’. Unë e falënderoj Ministrinë dhe përfaqësuesit, të cilët i kemi sot prezentë”, ka thënë Tishuki.
Redaktori i librit dhe mësimdhënësi në Shkollën Speciale për të Verbër, Enver Ulaj, përpos që foli për librin, e lexoi edhe një nga poezitë.
Ai po ashtu është mësimdhënës në qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë. Puna për nga afër me nxënës me nevoja të veçanta bëri që ai të punojë pa kursyer asgjë që ky libër të botohet.
Duke uruar që ky të jetë hapi i parë drejt shumë projekteve të tilla, Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar uroi të gjithë autorët dhe botuesit e këtij libri.
“Në qoftë se ne i krahasojmë dëshirat dhe vullnetin e personave me nevoja të veçanta, konsideroj që institucionet e shoqëria duhet ta kuptojnë drejt vizionin e tyre progresiv. Duhet të eliminohen në çdo moment ato barrierat të cilat ekzistojnë, apo paragjykimet të cilat ekzistojnë për këtë grup shoqëror. Përmes artit, përmes shkrimit e muzikës përçohet një mesazh shumë i rëndësishëm tek institucionet dhe mekanizmat e tjerë”, ka thënë Kadriu.
Bekim Krasniqi, menaxher i projektit në kuadër të të cilit u botua libri “Pak dritë”, tha se libri duhet të shërbejë si inkurajim edhe për të tjerët, jo veç për personat e verbër.
E brenda librit një copëz të vetes mund ta gjejë secili.
“Besoj se kjo përmbledhje do të jetë inkurajim për personat e tjerë, jo vetëm për personat e verbër”, tha Krasniqi.
Projekti “Të verbrit, kultura dhe trashëgimia në Kosovë”, në kuadër të të cilit erdhi edhe libri “Pak dritë”, u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Bëhet fjalë për rrëfime të shkruara qartë e krejt thjesht. Por ana përmbajtjesore e kompleksiteti i jetës së këtij komuniteti zbërthehet midis rreshtave. E kjo anë shpërfaq vështirësitë, bashkë me vullnetin për t’i kaluar ato.