Adresa për koncertet e Orkestrës së Filharmonisë ka kohë që ka mbetur e pandryshuar. Perdet në Atelienë e Pallatit të Rinisë nuk janë prej atyre që zbulojnë madhështinë e formacionit të Orkestrës. Bashkë me to, dritat që veshin muret e ftohta me ngjyra synojnë veç uljen e dozës së zbehtësisë e gjendjes së sallës me të cilën publiku takohet, të paktën, në çdo koncert të Filharmonisë. Të shtunën mbrëma e ftuar ka qenë dirigjentja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, që ka drejtuar për herë të parë Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës
Filharmonia e Kosovës pas dy koncerteve, tingujt e të cilëve ishin harmonizuar për të përkujtuar viktima e heronj, të shtunën mbrëma ka interpretuar në të tjera dimensione. Surprizat në program e sa i përket profesionalizmit të anëtarëve, për Filharmoninë kaherë nuk janë befasi. As kushtet ku interpreton tash e sa vjet.
Adresa për koncertet e Orkestrës së Filharmonisë ka kohë që ka mbetur e pandryshuar. Perdet në Atelienë e Pallatit të Rinisë nuk janë prej atyre që zbulojnë madhështinë e formacionit të Orkestrës. Bashkë me to, dritat që veshin muret e ftohta me ngjyra synojnë veç uljen e dozës së zbehtësisë e gjendjes së sallës me të cilën publiku takohet, të paktën, në çdo koncert të Filharmonisë.
Hapësira e kufizuar është tjetër çështje. Prej muajsh institucionit i duhet të përshtatë vendosjen e formacionit, në mënyrë që të mund të pozicionohet për akustikë paksa më të mirë e të akomodojë publikun.
Për koncertin e së shtunës që ditë më parë ishte njoftuar se ishin shitur krejt biletat. Në aktivitetin e parë të institucionit për këtë vit në Atelie, dallohet lehtë shtimi i rendit të ulëseve kur kanë mbetur veç nja dy metra korridor që e ndan publikun nga interpretuesit. Një numër i madh i pasionantëve të muzikës klasike e kanë ndjekur koncertin nga korridoret e Pallatit të Rinisë nga të cilat rrethohet Atelieja. Shpesh po ato kanë qenë barrierë për koncertet e llojit që kërkojnë disiplinë të lartë nga ana e audiencës.
Në atë sallë audiencës i vijnë befas zhvillimet në vepër, tingujt. Reputacioni i institucionit sikur shkundet disi kur prapaskenat bëhen skena, për nga pjesa teknike. Edhe kur nisin të krijohen zhurmat në korridoret lart kur ata që ndjekin koncertin aty hasin në ndonjë mbetje materiali që është hedhur pa kujdes. Veçanërisht kur emra të mëdhenj të muzikës klasike shfaqen në skenën krejt të sheshtë të Ateliesë.
Të shtunën mbrëma e ftuar ka qenë dirigjentja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, që ka drejtuar për herë të parë Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Në prononcimin për KOHË-n, prej fjalëve të para të saj ka përmendur kushtet, veçmas për të akomoduar sa më shumë publikun e të gjitha moshave, gjë që konsideron se është e rrallë në vendin e saj.
Me gjithë kushteve, madhështia e Filharmonisë vjen si shtresë që fshin pengesat duke e bërë të paharruar secilin moment të koncertit.
Ai i së premtes ka nisur me interpretimin e “Symphonic Variations” kompozitorit belg Cesar Franck. Koncerti për piano e orkestër ka qenë lojë e mahnitshme nga ndërveprimi i të dy palëve. Ka ardhur si interaktivitet i butësisë së tingujve të pianos e atyre dinamikë të harkorëve që kundërvihen me ton të vrazhdë. Janë një seri e tingujve që përsëriten dhe struktura vjen si një dramë ku harkorët në tërësi janë në komunikim me pianon. Kulmi i veprës është kur krejt bashkohen dhe kulmojnë. Kur harkorët pushojnë, vijën melodike e mban të lidhur një korno.
Me lojë të mahnitshme në piano është prezantuar Pranvera Hoxha si soliste. Për publikun që nuk i ka ndalur duartrokitjet për të ka interpretuar edhe pjesën “Liri pranverore” të kompozitorit shkodran, Simon Gjoni, me të cilën ka thënë se ka dashur t’i japë publikut të huaj që ka qenë prezent një pasqyrë të muzikës klasike shqiptare.
“Duke pasur parasysh përkrahjen që e mora nga publiku, desha t’i respektoj. Zgjodha pjesën nga kompozitori shkodran Simon Gjoni, për të cilin vitin e kaluar u kremtua 100-vjetori i tij i lindjes. Për nder të tij doja të sjell diçka nga repertori pianistik shqiptar në mënyrë që edhe mysafirët ndërkombëtar të kenë mundësi ta dëgjojnë muzikën tonë shqipe”, ka thënë pianistja Pranvera Hoxha.
Ka thënë se nga reagimi i publikut në interpretim të veprës së begut Franck ka pasur përshtypjen se kanë shijuar veprën po aq sa ajo derisa e ka luajtur bashkë me Orkestrën.
“Këtë vepër e kam zgjedhur veçanërisht për publikun tonë duke pasur parasysh se Cesar Franck si kompozitor belg luhet goxha shumë nëpër botë sidomos koncerti i tij ‘Variacione Simfonike’. Mirëpo, te ne nuk ka pasur rast të shfaqet dhe pasi m’u dha mundësia të interpretoj me Filharmoninë kam pasur dëshirë të sjell në program diçka të veçantë. Këtë vepër e kam shumë për zemër”, ka thënë Hoxha.
Por ka shumë më shumë arsye pse ka zgjedhur ta luajë në përcjellje të Orkestrës.
“Më pëlqen jashtëzakonisht mënyra se si janë shkruar variacionet, si lidhen ato me njëra-tjetrën dhe komplet më pas ngjyrat me orkestrën, aq më shumë që kjo vepër i është dedikuar një pianisti francez nga vetë kompozitori. Kjo e ka bërë akoma më të veçantë dhe më të rëndësishme për mua që ta sjell në mënyrën sa më të mirë dhe sa më bukur”, ka thënë pianistja Hoxha.
Koncerti për kontrabas i kompozitorit rus, Serge Koussevitzky, ka qenë interpretim jo i zakontë për publikun vendor me Shkodran Osmanajn solist.
Koncerti që është interpretuar në “alegro” dhe “andante” vjen si një lloj ekuilibrit ndërmjet solistit e orkestrës. Duket çdoherë sfidues. Kombinimi i melodisë romantike dhe virtuozitetit sjell performancën e mahnitshme të veprës. Më shumë se aq ka qenë rikthimi i solistit Osmanaj përkrah kolegëve me të cilët kishte interpretuar më parë. Ishte pjesë e formacionit, të shtunën u kthye për herë të parë si solist.
Interpretimi i së shtunës ka qenë i pari pas afro shtatë vjetësh. Më 2017 ishte shkëputur duke vazhduar karrierën muzikore në Zvicër.
“Është ndjenjë shumë e veçantë të performoj para ish-kolegëve, profesorëve që m’i kanë dhënë hapat e parë në muzikë. Është ndjenjë shumë e veçantë që nuk mund ta përshkruaj”, ka thënë kontrabasisti Shkodran Osmanaj që ka luajtur me filharmonitë e shquara ndërkombëtare dhe tash pritet t’i bashkohet Filharmonisë së Stuttgartit.
Ai ka thënë se ka qenë hera e parë në karrierën e tij që ka interpretuar si solistë duke qenë se pozita e instrumentit në të cilin luan është e pazakontë për lojë solo.
“Më është dukur se publiku ka qenë kurioz se çfarë po ndodh pasi konvert për kontrabas ndoshta kanë dëgjuar diku tjetër, por e kam vërejtur habinë e tyre. Nga kjo pata një ngarkesë më shumë, por shkoi gjithçka mirë. Është publik shumë special, me shumë të rinj, gjë që andej ku punojmë ne nuk është shumë e zakonshme”, ka thënë kontrabasisti Osmanaj.
Në pjesën e dytë të koncertit Orkestra e udhëhequr nga dirigjentja zvicerane kanë interpretuar Simfoninë e 7-të të kompozitorit gjerman Ludvig van Beethoven. Ka sjellë shprehjet muzikore në “Poco sostenuto – Vivace”, “Allegretto”, “Presto – Assai meno presto” dhe “Allegro con brio”.
Njëra prej Simfonive më të famshme të kompozitorit të shquar botëror ka ardhur si kombinim melankolik i tingujve. Në serinë e atyre të harkorëve, magjinë e shton edhe harpa në kohën e dytë. E treta ka nisur me ton tejet të lartë e dinamik ku e kundërta ngjan shpejt. Tingulli melankolik shpejt bëhet i paqëndrueshëm përderisa ritmin e mban konstant orkestra.
Dirigjentja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, e ka veçuar këtë pjesë të programit. Ka thënë se është befasuar me repertorin e përzgjedhur për t’u interpretuar në këtë koncert.
“Dy koncertet që janë interpretuar, luhen shumë rrallë, u befasova për të mirë kur pashë se janë pjesë e programit. Veçanërisht kur janë luajtur dy koncerte. Mendoj se janë pjesë të mrekullueshme, veçanërisht ajo me piano, sikurse edhe Simfonia e 7-të e Beethovenit që është shumë e famshme, shumë e gjatë dhe që kërkon ta përjetosh për ta luajtur si duhet”, ka thënë dirigjentja Wüstendörfer.
Ka thënë se ka qenë tejet entuziaste për koncertin kur ka dëgjuar se të gjitha biletat ishin rezervuar. Për bashkëpunimin e parë me Filharmoninë e Kosovës ka thënë se ishte pritur ngrohtë nga ky institucion.
“Mendoj se janë ekip i mrekullueshëm dhe anëtarët bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Kjo është shumë e rëndësishme kjo për një orkestër, sepse të luash në orkestër është sikur një ekip futbolli, duhet të jesh grup shumë i mirë”, ka thënë dirigjentja e cila ka një repertor të gjerë koncertesh.
Ajo ka interpretuar me Orkestrën Simfonike të Lucernit, Orkestrën e Zyrihut, “Musikkollegium Winterthur”, “Camerata Switzerland”, “Basel Sinfonietta”, “Orchestre Symphonique du Jura”, Orkestrën e Operas dhe Muzeut të Frankfurtit dhe Orkestrën Filarmonike të Tajlandës.
Wüstendörfer është themeluese dhe drejtoreshë muzikore i Orkestrës Zvicerane, e cila mban koncerte në të gjithë vendin me kompozitorë të shquar. Ajo ka qenë drejtoreshë artistike e Korit “Bern Bach” deri në vitin 2022.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se bashkëpunimi me dirigjenten zvicerane ka ardhur si rrjedhojë e kontakteve të kontrabasistit Shkodran Osmanaj me të. Për koncertin ka vlerësuar se veçanti është paraqitje si solistë e dy instrumentistëve vendorë dhe e një dirigjenteje grua.
“Duhet kujtuar faktin që ai ka qenë pjesë e Filharmonisë së Kosovës. Progami ka qenë mjaft interesant. Ne kujdesemi të kemi vazhdimisht performues, pos evropianë e botërorë, edhe instrumentistët tanë. Kanë shkëlqyer të dy, madje koncerti për kontrabas është shumë i rrallë dhe unë po besoj që nuk kemi pasur më parë solistë kontrabasistë”, ka thënë Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës.
Koncertin e radhës, Kori i këtij institucioni do ta ketë më 2 shkurt në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë. Në një sallë më të denjë nga ato që jemi mësuar ta shohim institucionin kryesor të muzikës serioze. Madhështinë e sallave të mëdha e gjen kur interpreton jashtë vendit a në ato private. Sikurse ai me të cilën do të shënojë festën e Pavarësisë së Kosovës në periferi të kryeqytetit.