Me siguri pakkush e di që në Kosovë janë kultivuar kultura agrare, që sot i ngjajnë një storieje ekzotike. Në fakt, rrafshi i Kosovës dhe ai i Dukagjinit ishin të njohura që nga Mesjeta për kultivimin e drithit, dhe ishin hambar me reputacion të përhapur që eksportonin sidomos në tregjet bregdetare, qoftë nëpërmjet Raguzës, qoftë nëpërmjet Venedikut. Portet e Adriatikut ishin limane tradicionale nga ku bëhej transporti i drithërave.
Një vend i rrafshët dhe pjellor, me kushte shumë të favorshme kultivimi, ishte gjithnjë atraktiv sidomos në Mesjetë, ku toka e punueshme dhe kultura agrare ishin bazat e një sistemi shoqëror dhe politik të kohës mbi të cilën mbështetej aktiviteti ekonomik, dhe për më tepër determinohej i tërë sistemi socio-kulturor. Në këtë aspekt, Kosova përbënte një hapësirë joshëse që siguronte prodhime strategjike eksporti, sidomos drithin, që si mall esencial konsumi kërkohej gjetiu, dhe për të bëheshin edhe përpjekje ushtrimi të monopolit, shkruan KOHA.
Një gjë e këtillë vazhdoi për një kohë edhe pas vendosjes së osmanëve në këto hapësira, ndonëse varësisht nga situatat e krijuara, tashmë drithi filloi të bëhej një mall mbi të cilin ushtrohej monopoli i ri nga një sistem i ri politik dhe ekonomik. Në fakt, Kosova me Maqedoninë perëndimore në këtë kohë kishin një bujqësi shumë të zhvilluar me kapacitete të mëdha prodhimi të hortikulturave dhe eksportit të tyre, mirëpo rrethanat socio-politike të kësaj kohe nuk lejonin një aktivitet komercial më të shtuar dhe qarkullim më të madh të të mirave, dhe për këtë arsye edhe një aktivitet eksportues që mbështetej nga dubrovnikasit, siç thekson njëri nga studiuesit e kësaj teme, Hrabak.
Raportet e reja tregtare
Siç e ka treguar edhe vepra monumentale e historianit Fernand Braudel mbi Mediteranin, Perandoria Osmane, si pjesë e botës së Mesdheut, ishte aktive jo vetëm në aspektin e përpjekjeve për dominim hegjemonist, por edhe të vetë ekonomisë. Pozicionimi i osmanëve në betejën ndërmjet habsburgasve dhe Venedikut e Francës, si dhe fuqive protestante, Anglisë dhe Holandës, luajti një rol të rëndësishëm në sjelljen e balancave të reja në Evropë, si dhe të relacioneve kapitaliste e ekonomike.
Pozicionimi osman në këtë betejë ishte esencial për të sjellë raporte të reja tregtare. Nga kjo kohë kompanitë profitabile evropiane për ta zgjeruar aktivitetin e vet duhej të kërkonin privilegje nga sulltani, sepse Perëndimi, së paku në fillim, kishte një lloj varësie nga Lindja osmane për industritë e pambukut dhe mëndafshit e për të cilat duhej marrë leje nga sulltani.
Edhe
Imazhet e fundit të Mitrovicës nën pushtetin osman
Kompanitë e para të përfitimit të lartë evropian ishin po nga këto fusha. Rrugët kryesore ekonomike të kësaj kohe në aksin horizontal ishin nga Lindja e Mesme nëpër Mesdhe, në Gjenovë dhe Venedik, që konsiderohej rruga tregtare Indi-Arabi, ndërsa aksi tjetër vertikal i furnizimit ishte Damask-Bursa-Akkerman-Lwow, që po ashtu kalonte nëpërmjet territoreve osmane në shekullin XV, ku të ashtuquajturat të mira të Orientit (pambuku, mëndafshi dhe mëlmesat) arrinin në Poloni dhe Baltik po nëpërmjet kësaj rruge.
Ekzistonte edhe një rrugë tjetër që furnizonte Sllovakinë e Hungarinë, përmes porteve danubiane të Transilvanisë. Në këtë aspekt, Venediku ishte bërë më pak furnizues i kësaj pjese të botës sesa osmanët. Për më tepër, në shekullin XVI Perandoria Osmane ishte në qendër të zhvillime ekonomike botërore, që nga Volga, Azerbajxhani, deri te Jemeni, Mesdheu, deti Kaspik, Momabasa e Sumatra, të gjitha kishin ndërhyrje ekonomike.