Kulturë

“One People, One Sky” me rrëfimin botëror për qiejt

Ka udhëtuar gjithë botën në shërbim të astronomisë. Gjatë misionit të tij, e ka shtrirë aktivitetin edhe në cepat e globit, ku askush kurrë nuk është marrë me shkencën që studion universin. Qëllimi ka qenë lidhja me njerëz dhe njohja universale e astronomisë. Për astronomin austriak me renome botërore, Johannes Stubler - pos që ka njoftuar publikun me krejt aktivitetet e tij personale, si udhëheqës i observatorit ‘Kepler’ dhe si ambasador i organizatës ‘Astronomët pa Kufij’ – Prishtina ka qenë destinacioni tjetër për misionin e tij me moton “One People, One Sky”

Në kuadër të Muajit Global të Astronomisë, Klubi i Astronomisë në Kosovë i është bashkuar kremtes botërore nën sloganin “One People, One Sky”. Ngjarja që festohet çdo vit në muajin prill, ka bërë bashkë astronomët e rinj të kryeqytetit me Stubler që ka përvojë të gjatë në fushën e astronomisë. Me ta ka ndarë përvojën shumëvjeçare si astronom nëpërmjet rrëfimeve e pamjeve si vizitat në observatorin të cilin e drejton, ngjarjet e rëndësishme dhe ato që kanë bërë bashkë astronomëve nga shumë vende të botës.

Tregimin e ka nisur me shpjegimin se pse kanë vendosur që observatori në qytetin e tij, në Linz, të marrë emrin e astronomit, matematikanit, astrologut e shkrimtarit, Johannes Kepler.

“Ne e përmendim Galileon, të gjithë kanë mësuar për të. Johannes Kepler është i famshëm po ashtu, por askush nuk e njeh. As nuk shkruan për të. I kam njoftuar revistat, por askush nuk shkruan për të”, ka thënë Studler derisa e ka quajtur si njeri që hapi derën për në hapësirë. Në nderim të tij organizohet edhe “Kepler Remote Observatory”, ku improvizohen observatorë në shtete të ndryshme.

Shenjat e para në fushën e astronomisë në Linz të Austrisë ishin vënë në vitin 1947 kur ishte formuar Shoqata e Astronomisë, sipas astronomit austriak. Në vitin 1948 kishte nisur të rregullohej infrastruktura për ta praktikuar me pajisjen me teleskop në ambient të jashtëm, e dekada më pas qyteti ishte bërë edhe me observator.

“Në vitin 1983 e hapëm Observatorin në një ngjarje madhështore dhe po e përdorim tash e 40 vjet. Aty kemi zhvilluar edhe ngjarje edukative për të mësuar planetët dhe distancën mes tyre. Njerëzit kanë mundur të mësojnë për sistemin diellor duke u lidhur me telefonat e tyre. Edukimi planetar është metodë e mirë për të mësuar për distancat. Është çdoherë interesante t’u tregosh njerëzve ndryshimet e diellit në periudha të ndryshme kohore”, është shprehur Johannes Stubler para të rinjve të mbledhur në ambientin e Klubit të Astronomisë në Kosovë. Aktivitetin e tij e shtrin edhe në kuadër të programit “A4E - Astronomy for Education” një platformë austriake që lidh astronominë me shkollat, mësuesit dhe institucionet e arsimit të mëtejshëm, duke përfshirë organizata dhe shoqëri astronomike lokale.

Ngjarja e së shtunës është mbajtur nën sloganin “One People, One Sky” të organizatës “Astronomët pa Kufij”. Ky mision gjithashtu synon të ruaj ajrin nga ndotjet. “Ka kaq shumë të vërteta në këto fjalë. Ka të bëjë me lidhjen e njerëzve, takimin me njerëz, shkëmbimin e qiellit tonë, në vendin tim dhe në botë. Përpjekja është për të takuar njerëzit fizikisht, të përpiqemi të angazhojmë sa më shumë njerëz që nga kjo punë paqësore të vëzhgohet qielli ynë i vetëm dhe t'u përkushtohen njerëzve për të parandaluar errësimin e qiellit të mrekullueshëm me yje, për brezat e ardhshëm”, ka treguar Stubler duke shpjeguar se çdo prill udhëtojnë në vende të botës për të festuar.

“Misioni im është të takoj njerëzit, t’i lidh ata, të shijojmë qiellin. Kjo është arsyeja pse po ju takoj sot”, është shprehur Stubler i cili aktivitete të tilla organizon qysh prej vitit 2009 kur ishte shpallur viti botëror i Astronomisë.

Para të pranishmëve janë paraqitur edhe video-incizime të hapësirës, kampanja e shpjegime për shenjat astrologjike. Janë shpalosur edhe hartat e shkallës së dukshmërisë së yjeve. Prej aty dëshmohet se në vend ka territore ku yjet shihen goxha mirë. Stebler ka shprehur dëshirën për të pajisur qytetin edhe me një planetarium. Pasi nuk ka fonde, kanë ndërmarrë iniciativën për të shitur çokollata me pamje të planetëve.

Në zbatim të misionit të tij për të bashkuar sa më shumë njerëz në komunitetin e astronomëve, Stebler ka përmendur mundësitë që i ofrohen secilit. “Mund të mësoni shumë për vendet e tjera, kulturat e tjera dhe mënyrën se si funksionojnë ato. Ju do të mund të kuptoni problemet politike e lokale dhe më shumë se kurrë në mbarë botën...”, ka vlerësuar astronomi austriak.

Muaji Global i Astronomisë e mbush muajin prill me programe për entuziastët e astronomisë në mbarë botën. Organizohen aktivitete të ndryshme, qoftë shikimi i yjeve, apo projektimi i kozmosit me art nga “Astronomët pa Kufij”. Është festimi më i madh vjetor global i astronomisë në botë ku shpalosen ide të reja dhe mundësi të reja nën moton “One People, One Sky”.