Ngjarja zhvillohet në një shkollë, një klasë e kthyer përmbys është metaforë e një realiteti të tillë dhe s’ka të bëjë veç me sistem arsimor, ndonëse thekshëm i flet edhe atij. Aty ka pyetje pa përgjigje, një nënë humb të birin që vetëvritet sepse u përjashtua nga shkolla. Kur duket si nis të zgjidhet nyja, dalin mistere të tjera, sërish publiku mbetet pa përgjigje. Më shumë sesa një shfaqje e absurdit, “Nyja e Gidionit” me tekst të Johnna Adamsit nën regji të Hana Qenës, shtjellon absurditetin e vetë jetës
“Nyja e Gidionit” është një lloj drame pa përgjigje. Personazhet janë të sinqerta ndaj njëri-tjetrit e bashkërisht edhe ndaj publikut. Drama që për autore ka amerikanen Johnna Adams, nën regji të Hana Qenës është sfiduese edhe për publikun. Kjo, për shkak të intensitetit dhe pyetjeve që shtron. Janë pa përgjigje, të thjeshta, që gjurmojnë emocionet njerëzore. Shfaqja është eksplorim i fuqishëm dhe i tensionuar i mërzisë, fajit dhe kompleksitetit të komunikimit.
“Nyja e Gidionit” është oferta e radhës e Teatrit Kombëtar të Kosovës që premierën e pati të premten mbrëma në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë. Në përballje intensive janë dy gra – Corryn, që luhet nga Irena Aliu dhe Heather, që e luan Maylinda Kasumoviq. Kur shfaqja hapet, Corryn hyn në dhomën e mësueses duke kërkuar informacion se pse djali i saj, Gidioni, u pezullua nga shkolla. Heather, që vazhdimisht duket e shqetësuar, nuk jep përgjigje. Bisedat e tyre miqësore shpejt shndërrohen në konfrontuese derisa Heather këmbëngul ta takojë drejtoreshën e shkollës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAktoret Aliu dhe Kasumoviq sjellin histori të trishta. Gjuha e trupit të tyre flet shumë edhe në rastet e shumta ku mbizotëron heshtja. Kur zbulohen të vërtetat rreth pezullimit të Gidionit, dalin në pah çështje të reja.
Një letër e Senekës, shoqes së klasës së Gidionit, ky i fundit, i vetëvrarë së fundi, bëhet objekt i shumë dyshimeve të nënës së tij.
Kur humbet durimi për pritjen e drejtoreshës, mësuesja lexon rrëfimin e shkruar nga Gidioni si detyrë shkollore, e që flet për imagjinatën e tij kriminale që shkon shumë larg. Kur rrëfimi i mbaron, publiku pret që Corryn të dëshpërohet thellësisht dhe ta miratojë suspendimin e të birit të saj për pesë ditë, në fakt qarja e saj është arsyeja e emocioneve dhe krenarisë për kreativitetin dhe zhvillimin e imagjinatës. Madje, nis ta studiojë rrëfimin nga këndi i saj prej studiueses së letërsisë, përkatësisht poezisë së kohës së Mesjetës.
Corryn beson se Gidioni do të bëhej shkrimtar i madh. Irena Aliu si Corryn, ka thënë se ky është mbase njëri prej roleve më të vështira që ka pasur deri më tash.
“Përpos që është dramë me dy personazhe, që e ke një lloj barre duke qenë tërë kohën në skenë, vetë teksti është shumë i vështirë, personazhet janë shumë kompleksë. Ka qenë sfidë e madhe, por ne aktorët i kemi qejf këto lloj sfidash dhe është njëfarë kënaqësie kur jemi të sfiduar me role”, ka thënë ajo.
Gidioni – që nuk portretizohet në shfaqje – vdiq pasi nuk mundi t’i tregonte nënës së tij se çfarë kishte ndodhur.

Regjisorja Hana Qena ka thënë se autorja e shfaqjes nuk i vë faj as nënës e as mësueses ngase sistemi shkollor e ai familjar është i tillë ku komunikimi është kompleks si në shkollë e ashtu edhe në familje. Kësisoj, sipas saj, fëmija shkon tek ekstremi.
“Autorja, në tekstin e saj, e shmang fajtorin sepse është përgjegjësi e madhe të vë faj. Edhe unë si regjisore kam dashur t’i rri shumë besnike tekstit të autores, sepse mendoj se kjo dramë që e pamë është shumë e përditshme dhe shumë reale edhe në jetën tonë në Kosovë e në Ballkan. Mendoj se deri te ky akt vjen për shkak të mungesës së fëmijës me prindërit dhe me mësuesen”, është shprehur Qena.
Drama është shkruar në vitin 2012 nga autorja e re amerikane Johnna Adams. Regjisorja Qena e ka konsideruar si vepër të vështirë për t’u realizuar.
“E kam marrë këtë vepër edhe pse është shumë e vështirë të realizohet sepse është një lloj vendi ku nuk ka as hyrje e as dalje, është si mbledhje prindërish, takim midis nënës dhe mësueses dhe gjithçka ndodh aty. Është dramë e rëndë psikologjike, besoj edhe për publikun, sepse thuhen disa gjëra të cilat në jetë reale nuk thuhen, por ne e dimë që i ka ndodhur dikujt, por në realitet asnjëherë nuk flasim për këtë temë sepse është shumë e ndjeshme dhe si artist nuk mund të mbash qëndrim. Por, aktoret kanë qenë shumë të mira sepse gjithë shfaqja është barrë e tyre sepse ato janë në konfrontim mes vete”, ka thënë ajo.
Skenografia me tavolina e karrige shkollore që rrinë pezull ka qenë tejet unike. E ka punuar Burim Arifi.
“Kjo pjesa e skenografisë që është pezull është gjithë ngarkesa e shkollës. Është mësuesja që as nuk do të jetë më prezente aty. Gjithçka dëshiron ta çojë në ajër për shkak të rastit që ka ndodhur në shkollën e saj. Këtë kam dashur ta simbolizoj në mënyrë metaforike sepse është shfaqje shumë realiste dhe është shumë problem të bëhen eksperimente me këto lloj tekstesh”, ka thënë regjisorja Qena.
Dramaturgjinë e ka bërë Zoga Çeta-Çitaku, kostumet janë nga Hana Zeqa ndërsa muzika nga Ger Kacerja. Animacionin që e shoqëron rrëfimin e Gidionit e kanë punuar Flaka Kokolli, Elsa Talla, Leonita Thaqi dhe Diellza Franca. Është një histori poetike, por grafikisht edhe pornografik, mizor dhe jashtëzakonisht i dhunshëm.
Shfaqja është projekt i vitit të kaluar. Derisa ngjarja zhvillohet, papritmas shpërthejnë të qara nga Heather sa përmendet macja e saj. Kur qetësohet paksa, plasin të qeshurat kur bëhet me dije se arsyeja e pikëllimit është se macja e saj është diagnostikuar me diabet. Corryn mundohet ta qetësojë ndonëse më vete bart dhimbje shumë më të madhe.
Aktorja Maylinda Kasumoviq që në shfaqje luan si Heather, ka thënë se macja ka qenë një lloj justifikimi i shpërthimit ndaj gjithë gjendjes së rëndë të akumuluar.
“Nuk mendoj se është duke qarë për macen. Janë shumë gjëra që janë mbledhur. Është edhe macja, por jo vetëm. Veçse përmbahet dhe pastaj shpërthen”, ka shpjeguar ajo.
Ka thënë se roli ka qenë i vështirë dhe shumështresorë.
“Është shumë i vështirë, sepse ka shumë shtresa. Ne po kemi shumë emocione normalisht sepse teksti është i tillë dhe duhet të jesh e fortë, të mbash një lloj konsistence deri në fund kur shpërthen. Është një mësuese që ka përgjegjësi dhe nëse nis të bëhet emocionale ndaj nënës, atëherë e humb betejën. Ajo është aty për t’i treguar se nuk ka faj sepse veç e ka kryer punën e vet”, ka thënë ajo duke u shprehur se shfaqja ka shumë mesazhe.
“Mesazhe të ndryshme brenda veprës. Duke bërë prova çdo ditë, zbulonim përherë diçka, edhe kur donim të reduktonim diçka ishte shumë e vështirë sepse gjithçka lidhej me diçka dhe ishte problem të shkëputej”, ka thënë Kosumoviq.
Repriza e parë e shfaqjes ishte më 21 shkurt, ndërsa pritet të shfaqet edhe të hënën dhe të martën.
“Nyja e Gidionit” sfidon publikun të mendojë dhe reflektojë duke kuptuar se nyjat si ato të Gidionit nuk zgjidhen lehtë.