Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Nuk dekretohet kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta nuk do të dekretojë kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, kjo për arsye të procedurave jo të rregullta në zgjedhje, pa kandidatë alternativë.

Që prej zgjedhjeve, kryetari i ri nuk ka firmosur asnjë shkresë zyrtare. Ka qenë sekretari shkencor i Akademisë, akademiku Vasil Tole, ai që ka nënshkruar në emër të institucionit. Më 4 shtator të këtij viti, Gudar Beqiraj u zgjodh kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me 28 vota pro dhe 3 kundër.

Procesi zgjedhor për kryetarin e Akademisë kaloi përmes polemikave dhe debateve, ku kritikat adresoheshin për një proces të mbyllur, shkëmbim vendesh mes nënkryetarit e kryetarit dhe zgjedhje pa alternativa.

Procesi zgjedhor u parapri nga një qëndrim i Kryeministrit Edi Rama që e cilësoi atë një farsë. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Edi Rama paralajmëroi se:

“Nëse nuk reformohet, Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të dorëzojë godinë! Prandaj, stop farsës. Akademia zgjodhi farsën, ndaj do t’i hiqen fondet dhe ato do t’i shkojnë Universitetit për kërkimet shkencore”.

Edhe Gudar Beqiraj zgjidhet kryetar e Myzafer Korkuti zv/kryetar i Akademisë së Shkencave Kulturë Gudar Beqiraj zgjidhet kryetar e Myzafer Korkuti zv/kryetar i Akademisë së Shkencave

Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të ketë fonde për këtë Akademi Shkencash e cila duhet të reformohet, në projektbuxhetin e vitit 2018 qeveria ka parashikuar pothuajse buxhet të njëjtë.

Për vitin 2017, qeveria Rama i akordoi Akademisë së Shkencave 112 milionë lekë të rinj, ndërsa për vitin 2018 ka parashikuar një fond prej 110,5 milionë lekësh të rinj.