30 janar 2009. E premte. Ora 15:30. Është ftohtë dhe Mynihu është i mbuluar me borë. Jam në ditën time të fundit këtu, në të vetmen pasdite vetëm për veten, jashtë planit të përbashkët të seminarit. E lirë për të marrë vendimin se ç’do të bëja me pasditen time, një takim i paracaktuar, jo rastësisht më çoi në një lagje shumë të njohur për vizitorët e këtij qyteti të rrallë. “Münchner Freiheit”, shqipëruar “Liria e Mynihut”, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë qytet të shijon liria, sidomos në këtë lagje ku banojnë kryesisht studentë nga e gjithë bota, dhe afër të famshmit atraksion turistik: “Englische Garten” (“Kopshti anglez”). Por liria e kësaj pasditeje do të kishte çuditërisht, këtu në Mynih, shijen e lirisë së bjeshkëve shqiptare, shijen e mikpritjes, dashamirësisë, bujarisë dhe fisnikërisë së Hans-Joachim Lanksch-it.
Më priti me derë hapur, ma mbajti pallton si një xhentëlmen i vërtetë, më udhëhoqi në dhomën e ndenjes, drejt së cilës duhet të më përshkonin sytë kodra e male librash, shumë prej tyre edhe në shqip. Mik i shumë miqve të mi, unë tani isha bërë me katër sy, për të fiksuar çdo detaj, e bindur se i isha “borxhlie” edhe kureshtjes së tyre. Një vizitë te një mik gjerman në atë orë të pasdites, do të thoshte se ishte koha për të ndarë kafenë e pasdites dhe emocione të përbashkëta. I zoti i shtëpisë dhe i mendimeve të mia në ato çaste po përgatiste kafenë.
Me një humor të çlirët dhe fin, më tha se do vonohej pak, pasi nuk kishte aparat elektrik kafeje dhe i duhej ta përgatiste kafenë gjermane në mënyrë paksa primitive në një kanë filtri. Pse duhej të shqetësohej për këtë, unë vija ndërkohë nga një vend “primitiv”.../Anna Kove
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)