Kulturë

Norman Lear – producenti ikonik i serialeve dhe filmave televizivë

Producenti i famshëm televiziv, Norman Lear, serialet jashtëzakonisht të suksesshme të të cilit – përfshirë këtu “All in the Family” dhe “The Jeffersons” - ndërthurën komedinë me komente të mprehta sociale, si dhe dominuan për nga shikueshmëria në vitet ‘70, vdiq të martën në shtëpinë e tij në Los Angeles. Ai ishte 101 vjeç. Lajmin e konfirmoi familja e tij përmes një postimi online.

“Norman e jetoi një jetë të bukur, shquhej si person kurioz, këmbëngulës dhe i ndjeshëm. Ai e donte thellësisht vendin tonë dhe e kaloi jetën duke ndihmuar në ruajtjen e idealeve të tij për drejtësi dhe barazi për të gjithë”, tha familja e Learit. “Ai e filloi karrierën në ditët më të hershme të televizionit dhe zbuloi një pasion për të shkruar për jetën reale të amerikanëve, jo një ideal të shkëlqyeshëm. Në fillim, idetë e tij u ndeshën me refuzime dhe keqkuptime. Megjithatë, ai qëndroi pas bindjes se ‘marrëzia e gjendjes njerëzore’ prodhonte projekte të mira televizive dhe përfundimisht vizioni i tij filloi të kuptohej edhe nga të tjerët”.

Serialet e prodhuara nga Lear trajtonin tema të vështira të racizmit, feminizmit dhe pabarazive shoqërore që askush nuk kishte guxuar ende t'i prekte. Seriali i vitit 1971, “All in the Family”, që fitoi çmimin “Emmy”, fokusohej në një familje të klasës punëtore dhe patriarkun e saj mendjengushtë, nervoz, paragjykues dhe çuditërisht të pëlqyer nga të tjerët, Archie Bunker.

Regjisori Rob Reiner, i cili në serial e portretizoi dhëndrin e Bunkerit, Michael “Meathead” Stivic, i bëri homazhe producentit të ndjerë në mediat sociale.

“Unë e doja Normanin me gjithë zemër. Ai ishte babai im i dytë. Andaj i dërgoj shumë dashuri gruas së tij Lyn dhe gjithë familjes Lear”, shkroi Reiner në një deklaratë.

Nga seriali “All in the Family” u inspiruan edhe projektet e tjera të suksesshme televizive që u realizuan ndër vite, si “Sanford and Son”, “Maude” dhe “Good Times”.

Në librin me kujtime të vitit 2014, “Even This I Get to Experience”, Lear tha se suksesi i projekteve të tij erdhi falë historive të cilat i kishte nxjerrë nga përvojat reale të skenaristëve që punonin për të, e të cilët u dhanë autenticitet personazheve që ata i zhvilluan në ekran.

“Vetë publiku më mësoi se mund të nxjerrësh të qeshura të mrekullueshme me interpretues qesharakë dhe shaka të mira. Por, nëse dëshiron që ata të qeshin nga thellësia e barkut, ke më shumë mundësi ta arrish këtë qëllim atëherë kur i bën njerëzit të jenë të interesuar për temat që i trajton”, kishte deklaruar Lear në një intervistë të kaluar.

Ai gjithashtu shërbeu si producent ekzekutiv i filmave klasikë, si: “The Princess Bride” dhe “Fried Green Tomatoes”, si dhe u nominuar për çmim “Oscar” në kategorinë “Skenari më i mirë” për filmin “Divorce American Style”. Avokimi i tij politik çoi në themelimin e organizatës politike liberale “People for the American Way”.

Popullariteti i serialeve të tij dhe pikëpamjet e hapura liberale e bënë atë të shënjestrohet nga personat e së djathtës politike. Kështu, Lear përfundoi duke zënë vend në “listën e armiqve” të presidentit Richard Nixon, një reputacion të cilin ai e mbante me krenari. Gjithashtu ishte etiketuar si “armiku numër një i familjes amerikane” nga themeluesi i organizatës “Moral Majority”, Jerry Falwell.

Edhe në moshë goxha të shtyrë, Lear vazhdoi të punonte. Së bashku me Jimmy Kimmelin, producenti atëkohë 95-vjeçar prodhoi dhe drejtoi tri episode të shout, “Live in Front of a Studio Audience”, i cili fitoi çmim “Emmy” dy vjet radhazi, më 2019 dhe 2020. Aty angazhoheshin aktorë yje të Hollywoodit, si Jamie Fox, Woody Harrelson dhe Viola Davis, për të rikrijuar episodet origjinale të serialeve televizive, “The Jeffersons”, “All in the Family” dhe “Good Times”.

Lear jetoi mjaft gjatë për t'u shndërruar jo vetëm në ikonë të industrisë së argëtimit, por për të marrë vlerësime të shumta. Në vitin 1999, presidenti Bill Clinton e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Më 2017-tën u nderua nga Qendra Kenedy për artin e tij dhe kontributin jetësor në kulturën amerikane. Në vitin 2020 u bë personi më i moshuar i nderuar me çmim “Emmy”, kur ishte 98-vjeçar. Puna e tij do të kujtohet e vlerësohet për gjenerata të tëra.

Pak para ditëlindjes së 100-të në vitin 2022, Lear u shpreh falënderues ndaj punës, dashurisë së familjes dhe të qeshurave të shumta për jetëgjatësinë e tij.

“Më pëlqen të zgjohem në mëngjes me diçka në mendje, diçka për të cilën mund të punoj… deri në një përfundim”, tha Lear.

Ai u martua tri herë, së fundmi në vitin 1987 me gruan Lyn. Ka lënë pas gjashtë fëmijë, me një diferencë moshe 57-vjeçare midis më të madhit dhe më të riut.

(Marrë nga CNN, përktheu Edona Binaku)