Ekspozita e “NOmade Biennale” ka një lloj tendence shërimi a njohjeje mes shteteve. Veçmas kur shumë prej veprave, e vetë ngjarja e organizuar ka burimin në Ekuador. Diversiteti mund të përkufizohet masiv kur merret parasysh kultura mes shteteve, por fenomenet duken globale. Kontrasti i shoqërisë është i vogël në raport me vendin, sikurse edhe me konceptet artistike. Me vepra arti, ekspozita i tejkalon kufijtë dhe dallimet etnike
“Subversive Parallels” është një botë arti më vete. Në dy hapësira arti jehojnë kujtime, histori, protesta e revolta ndaj dhunës. Ekspozita e “NOmade Biennale” ka një lloj tendence shërimi a njohjeje mes shteteve. Veçmas kur shumë prej veprave, e vetë ngjarja e organizuar ka burimin në Ekuador. Diversiteti mund të përkufizohet masiv kur merret parasysh kultura mes shteteve, por fenomenet duken globale. Kontrasti i shoqërisë është i vogël në raport me vendin, sikurse edhe me konceptet artistike. Me vepra arti, ekspozita i tejkalon kufijtë dhe dallimet etnike.
Ekspozita në Prishtinë tingëllon kundërshtuese që në titull. Fillimisht kur përkrah kuptimit të paraleleve qëndron subversioni që përkufizohet si vlerë që bie në kundërshtim apo edhe përmbyset. Më pas kur me art kundërshtohen dukuritë e vendeve të largëta. Ato që dëshmohen me art e bëjnë universin të duket i afërt.
Për edicionin e nëntë të “NOmade Biennale” nga Ekuadori, Prishtina ka qenë vendi i prezantimit të artit latin dhe jo vetëm. Gjurmët e artit jo veç në materiale, por edhe në muret e Galerisë së Fakultetit të Arteve janë të stampuara. Në hyrje të objektit një vepër prej tekstili bie e para në sy. “Origin of Fear” e artistes nga Kili, Gabriela Carmona Slier. Trupi i zhveshur i gruas me kokën e mbuluar portretizon konceptin e dhunës së ushtruar mbi to e paragjykimet.
Tejet estetike, por edhe me mesazhe përbrenda është vepra “Mourning – Morning” e kolumbianit Victor Muñoz. Nëse merren për bazë materialet e përdorura, letrat e zhytura në kafë, çon mendjen në një mëngjes zie kur merret parasysh edhe dedikimi i veprës. Autori bën të ditur se vepra është homazh për udhëheqësit shoqërorë që vriten çdo vit në Kolumbi, si pasojë e konflikteve të dhunshme. Kafja që ngjyros emrat e 160 të vrarëve vjen si simbol i mbajtjes zgjuar të kujtimit për ta.
Tri vepra emërtohen “Eine Familienchronik” dhe vijnë në forma e pamje të përafërta. Duket si një kronikë që nis tek e para dhe përcillet në sipërfaqet e dy të tjerave vijuese. Prapavija që dominohet nga ngjyra e kaltër me vështirësi vë në pah peizazhin e detit dhe maleve. Kontrasti vjen nga një pikturë përbrenda secilës që ngjan se përcjell një histori të zymtë të së kaluarës. Artistja kiliano-gjermane me to paraqet fenomenin e migrimit, që konsideron se në shoqëri njihet si një lloj armiku i brendshëm. Historia e saj në mënyrë artistike paraqitet brenda atyre veprave.
“Rreth vitit 1850 dhe para Luftës së Parë Botërore, vetë shteti i Kilit i bëri thirrje popullit gjerman që mund të imagjinonte shansin e një jete të re në anën tjetër të botës, duke u ofruar atyre territore dhe burime për të kolonizuar vende të pabanuara. Në pëlhurë unë disi rindërtoj udhëtimin e emigracionit të stërgjyshërve të mi nga Hamburgu i Gjermanisë në jug të Kilit”, ka shkruar artistja për veprën.
Midis artit bashkëkohor të huaj, vend zë edhe ai shqiptar. Hijet që krijojnë devijimet e ndërhyrjes në tullat e njoma bien në sy të parat. Ngjajnë në dëshminë e mbetjes së shenjave dhe pamundësisë për t’i ndryshuar. Skulptura e artistit Guri Çavdarbasha e lë shikuesin të lirë ta perceptojë veprën që është pjesë e ciklit të veprave të tij “Bllok portret”.
“Një prej këtij cikli është përzgjedhur për ekspozitën ‘Subversive Parallels’ e cila mbahet në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Si proces ka marrë kohë diku rreth një muaj, sepse vetë materia e terakotës i ka proceset e veta, përveç materializimi, intervenimi në blloqe, në materiale të gatshme, tharja, pjekja pastaj, lidhja mes pjesëve, ka marrë rreth një muaj si instalacion”, ka thënë Çavdarbasha, artist e ligjërues i Skulpturës në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka thënë se pjesa e instalimit është menduar të jetë e thjeshtë dhe abstrakte. Procesi i realizimit të veprës është zhvilluar në disa hapa.
“Si material më ka pëlqyer shumë terakota. Jam munduar që pos materialeve të gatshme, pak edhe kam eksperimentuar dhe më ka lënë përshtypje se si do të jetë procesi final. Këtu shihet se kanë ndodhur edhe disa gjëra të rastësishme gjatë pjekjes. Unë në përgjithësi e përdor terakotën si material, dheun, pjekja më bën përshtypje, pjesa finale pastaj shihet edhe në pjesën e koloritit”, ka shpjeguar Çavdarbasha.
“Black Book” e Hatixhe Ibrahimit vjen si një instalacion i përcjelljes së vijave të rrëfimit me anë të materialit ku shprehet. Një ditar shfletues mundëson eksplorimin nëpër kujtimet dhe të kaluarën e artistes. “The had” e Monika Dukaj janë kokat e tre njerëzve, që paraqiten në karaktere të ndryshme dhe janë pikërisht ato që i dallojnë.
Barazia është mesazhi i veprës “We are equal” me autor Olmedo Alvarado nga Ekuadori. Vepra e realizuar në vitin 1981 e mbuluar me shtresë plastike paraqet një mjet policie tek parakalon para turmës. Një fotografi e vjetër në të cilën artisti e barazon madhësinë e mjetit me njeriun me anë të një vizatimi sipërfaqësor të njeriut me ngjyrë të kuqe.
“Memories of the Stadium” e artisteve nga Kili, Denise Viera Diaz dhe Constanza Bravo Granadino paraqet historitë e dokumentuara dhe ato reale. Megjithatë tri pëlhurave ku gurët si objekt i paraqesin tejet artistike dhe estetike, u qëndrojnë përpara si tri pasqyra për tre grurët me pamje krejt ndryshe.
Një instalacion gjigant ngjan në rrjetë abstrakte apo edhe në një katrahurë si degët e pemës, por tejet estetike në pamje. Vjen tejet kontrast materiali i tekstilit me ngjyrë të zezë në muret e bardha të galerisë. Përbrenda kanë mesazhet e fshehta që flasin direkt. Nëpër to janë vendosur kode skanuese si mesazhe të sakta për publikun dhe fakte të gjalla.
Mjafton një klik për t’u rrëfyer e gjithë historia. Lajme e pamje hapen dhe njoftojnë për vrasjen e 18 personave, kryesisht të moshave të reja. Më i riu ishte 16 vjeç. Thirrja masive për zgjedhje të hershme presidenciale më 9 janar të vitit të kaluar ishte arsyeja që populli ishte ngritur në protesta. Policia kishte përdorur dhunë brutale, lëndime që kishin çuar në vdekjen e protestuesve, mes të cilëve edhe një zyrtar policor. Krejt historia gjendet brenda veprës “The enemy is within shoot against us (To overthroë the poëer) e spanjollit Avelino Sala.
Organizatori i “NOmade Biennale”, profesori Ismet Jonuzi, ka thënë se ekspozita nuk ka karakter politik, por se vetë paraqitje e artistëve do të thotë se janë thyer barrierat politike të vendeve nëpërmjet artit.
“Qëllimi i tyre ka qenë të krijojnë ura ndërlidhëse dhe të gjithë të ofrojnë në një koncept të vetëm diversitetet kulturore mes popujve të ndryshëm, pavarësisht se në disa shtete ndikon politika të mos na pranojnë. Unë mendoj se arti nuk njeh kufi dhe me këtë koncept ata i kanë thyer edhe barrierat e tyre shtetërore. Kjo mund të jetë edhe një apel për shtetet e tyre”, ka thënë Jonuzi derisa ka treguar se në hapjen e ngjarjes më 12 tetor ka pasur edhe dy performanca nga artistja nga Kili, Paula Conoepan.
Sipas tij, ky bashkëpunim me artistët nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën i ndihmon diplomacisë së vendit. Por se shumica e artistëve për këtë shkak nuk kanë mundur të udhëtojnë për në Kosovë për shkak të mospërkrahjes nga shtetet e tyre.
“Fatkeqësisht, Ekuadori dhe Kili nuk e kanë njohur Kosovën dhe mjerisht shumica e artistëve nuk kanë mundur të udhëtojnë, sepse shteti i tyre nuk i ka financuar dhe kjo ka qenë një kosto shumë e madhe për ta, kështu e kanë dërguar një përfaqësues të tyre. Paraprakisht në shtator ne kemi pasur në shtator një edicion në Poloni ku kam qenë edhe unë pjesëmarrës”, ka thënë Jonuzi, i cili ka qenë gjithashtu ndihmëskurator i ekspozitës. Krejt ideja për të mbajtur një edicion në Prishtinë kishte nisur kur Jonuzi me veprat e tij të formësuar prej armëve të UÇK-së, të shkatërruar pasluftë nga NATO, mori pjesë atje në dhjetorin e kaluar.
Sipas artistit e profesorit të artit, artistët latinë flasin për probleme shoqërore e përballje me probleme politike. Veprat sipas tij vijnë si revoltë kundër dhunës në shtetet e tyre. “Mendoj se është një paraqitje jo e zakonshme dhe mund të shihet haptazi diversiteti kulturor, problemet, me elemente të artistëve të Amerikës Latine që lidhet me historinë tonë, por që ato kanë ndodhur në Ekuador”, ka thënë më tej Jonuzi derisa ka bërë të ditur se dekani Hazir Haziri u ka premtuar se ekspozita do të përfshihet në një katalog që do të dokumentonte ngjarjen.
Kuratori i shumë ngjarjeve në skenën artistike në vend dhe jo vetëm, Zeni Ballazhi, ka thënë se ekspozita gërsheton disa lloj mediumesh bashkëkohore. Sipas tij, janë vepra multimediale që shprehin ide dhe koncepte të fuqishme. “Qëllimi i reflektimit apo prezantimit të realitetit tonë nëpërmjet veprave të artit është mjaft i rëndësishëm sot. Nuk do të thotë se ne nuk jemi ballafaquar me prezantime të llojit të tillë të veprave të artit pasi është aktual në të gjitha vendet e botës. Kjo lloj gjuhe e barabartë është prezentë edhe tek ne, duke nisur edhe prej gjeneratave më të hershme”, ka thënë Ballazhi, gjithashtu profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Sipas tij, kjo ngjarje është e mirëseardhur, pasi u shërben artistëve dhe studentëve të artit. “Kjo përfshirja e gërshetimit të gjuhës vizuale është tepër e domosdoshme, të paktën për të krijuar mundësi të ndërlidhjes apo urave të bashkëpunimit, siç i quajmë, me artistë dhe kuratorë të ndryshëm ndërkombëtar. Studentët që e vizitojnë këtë ekspozitë e kanë më afër ballafaqimin me konceptet e tyre dhe idetë të cilat prekin temat aktuale në mënyrë sa më bashkëkohore të shprehjes së tyre. Janë të domosdoshme të rrjedhin në një gjuhë të barabartë”, ka thënë Ballazhi më tej.
Kurator i edicionit të sivjetmë të “NOmade Biennale” ka qenë Fernando Hierro nga Argjentina.
“Duke bashkuar krijimet artistike, ekspozita synon te nisë një dialog për diversitetin e perceptimeve rreth ndërtimit të armikut të brendshëm, vazhdimësisë dhe paraleleve të tij ne kontekste dhe hapësira të ndryshme. Te doktrina e armikut të brendshëm është një trashëgimi diskursive koloniale që ka legjitimuar dhunën, luftën dhe gjenocidin, nëpërmjet përjashtimit të bazuar në etni, klasë, fe, ideologi, gjini etj. Shprehet shpesh në dokumente shtetërore të paklasifikuara, të cilat njohin nevojën për të identifikuar disa territore dhe grupet shoqërore si kërcenim”, ka shkruar Hierro në tekstin kuratorial. Si artist pamor ai ka marrë pjesë në projekte artistike dhe, individualisht dhe në grupe në Skandinavi, Amerikën Qendrore dhe në Argjentinë.
“NOmade Biennale”, sipas ueb-faqes prezantohet si një kolektiv i shumëfishtë, që nga prodhimi autonom dhe i pavarur gjeneron një sërë reflektimesh mbi sistemet dhe vizualizimet e artit aktual.