Vidar Helgesen, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Nobel” citohet të ketë thënë në një deklaratë se ka një prirje globale në të cilën ”dialogu ndërmjet atyre me pikëpamje të ndryshme, po tkurret”. “Ne po i zgjerojmë ftesat në shërbim të kuptimit të çmimit ‘Nobel’ dhe rëndësinë e shkencës së lirë, kulturës së lirë dhe shoqërive të lira dhe paqësore”, citohet të ketë thënë ai
Fondacioni “Nobel” që administron çmimet prestigjioze, ka ndryshuar politikën e tij të ftesave dhe ka ftuar Rusinë, Bjellorusinë dhe Iranin, si dhe udhëheqësin e një partie të ekstremit të djathtë në Suedi, e cila më parë ishte ndaluar të merrte pjesë.
Vidar Helgesen, drejtor ekzekutiv i fondacionit privat, citohet të ketë thënë në një deklaratë se ka një prirje globale në të cilën ”dialogu ndërmjet atyre me pikëpamje të ndryshme, po tkurret”.
“Ne po i zgjerojmë ftesat në shërbim të kuptimit të çmimit ‘Nobel’ dhe rëndësinë e shkencës së lirë, kulturës së lirë dhe shoqërive të lira dhe paqësore”, citohet të ketë thënë ai.
Sipas Fondacionit, ftesa për ngjarjet e vitit 2023 iu dërgua të gjitha vendeve me misione diplomatike në Suedi dhe Norvegji dhe partive “që kanë përfaqësues në parlament përmes zgjedhjeve demokratike”, duke shtuar se “kjo qasje e përbashkët forcon mundësitë për të përcjellë tek të gjithë mesazhet e rëndësishme të çmimit ‘Nobel’, dhe se në të ardhmen kjo praktikë do të jetë e zakonshme për të gjithë organizatën.”
Vitin e kaluar, për shkak të luftës në Ukrainë, të dërguarit diplomatikë të Rusisë dhe të Bjellorusisë u ndaluan të merrnin pjesë në ceremonitë dhe drekat plot shkëlqim të çmimeve, të cilat zhvillohen gjithmonë më 10 dhjetor. Edhe ambasadorit të Iranit nuk iu lejua pjesëmarrja për shkak të “situatës së rëndë dhe në përshkallëzim” në vend.
Të gjithë çmimet “Nobel” ndahen në Stokholm, përveç Çmimit Nobel për Paqen, i cili jepet në Oslo.
Fondacioni i dërgoi ftesë edhe udhëheqësit të Partisë Demokratike Suedeze, Jimmie Akesson, i cili e refuzoi atë, duke shkruar në Facebook se “për fat të keq jam i zënë atë ditë”.
Tradicionalisht, udhëheqësit e partive politike suedeze janë të ftuar në banket, por Akesson, i cili kryeson një parti nacionaliste të ekstremit të djathtë, është lënë mënjanë në të kaluarën. Demokratët suedezë, të cilët shihen nga disa si kërcënim për vlerat themelore të shoqërisë së vendit skandinav, duke përfshirë tolerancën ndaj azilkërkuesve nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, u renditën të dytët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, citohet të ketë thënë të premten se nëse do të ishte në dorën e tij, nuk do ta kishte lejuar Rusinë të merrte pjesë në ceremoni.
“Është e nevojshme të izolosh Rusinë në çdo mënyrë të mundshme, ushtarakisht, ekonomikisht”, ka thënë ai agjencinë suedeze të lajmeve, TT. “Në këtë rast, nuk do ta kisha ftuar”, ka shtuar ai.
Fituesit e çmimit ”Nobel” të këtij viti do të shpallen në fillim të tetorit.
Çmimet “Nobel”, jo rrallë janë shoqëruar me polemika e kontroverse. Ai për letërsi numëron numrin më të madh të polemikave në krahasim me kategoritë e tjera. Rasti më i rëndë i dekadave të fundit qe ai i vitit 2019 kur laureat u shpall shkrimtari austriak, Peter Handke, mohues i gjenocidit në Bosnjë gjatë luftës në Ballkan në vitet 1990 dhe një mbështetës i ngushtë i ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Qindra njerëz protestuan në vendin ku po mbahej ceremonia, në Suedi dhe pothuajse 60 mijë veta nënshkruan një peticion duke kërkuar që Akademia Suedeze ta revokojë çmimin. Qeveritë e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe të Turqisë lëshuan reagim zyrtar kundër çmimit, ndërsa ambasadorët e Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Çmimet “Nobel”, të cilat datojnë që nga viti 1901, shkencëtarëve, ekspertëve dhe shkrimtarëve u japin njohje për kërkimin dhe punën e tyre novatore dhe zbulime të cilat e ndryshojnë botën dhe prej të cilave konsiderohet se ka përfituar njerëzimi. Në shumicën e rasteve, të themi për çmimet në mjekësi, fizikë dhe kimi – edhe nëse zgjedhja e ekspertit ose ekipit të ekspertëve të dhënë mund të konsiderohet kontroverse midis atyre që konkurrojnë për titullin – publiku i gjerë vështirë se do të ishte në gjendje të gjykonte për këtë çështje, duke qenë se këto kërkime janë shpesh shumë teknike dhe pothuajse të paqarta për ata që nuk janë të njohur me këto fusha.