Kulturë

“Nobeli” i librave shqip në Shkup

Kaherë është konsideruar e domosdoshme, por një librari e mirëfilltë e librit shqip e veprave të përkthyera në këtë gjuhë është hapur në Shkup tek tash. Adresa e saj është Çarshia dhe mban emrin “Nobel”, dhe nuk ka për qëllim vetëm shitjen e librit. Përtej sfidave për furnizim, barrierave me taksa, synimet janë që kjo librari të shndërrohet në pikë reference ngjarjesh kulturore

Shkup, 5 mars – Çarshia e Shkupit është ndër hapësirat e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, ku në komunikim dominon gjuha shqipe. Por, deri në janar të këtij viti mungonte një adresë e shqipes së shkruar.

Kafe-libraritë ishin pjesë e kësaj zone. Por, jo edhe biznese që kishin synim shitjen e librave në gjuhën shqipe. E, prej fundit të janarit, adresë e letërsisë shqipe, por edhe asaj botërore të përthyer në shqip, është libraria “Nobel”. Çarshia është pikëtakim jo vetëm i shqiptarëve të Shkupit e krejt shtetit, por edhe atyre që shkojnë atje nga vende të tjera. Libraria, me një hapësirë të konsiderueshme në hyrjen jugore të Çarshisë, ofron mundësi që pos shkrimtarëve shqiptarë të gjenden në shqip edhe klasikët e letërsisë botërore, nobelistë, bestsellerë, libra studimorë, psikologjikë e të letërsisë për fëmijë. Në hapësirën ku dominon ngjyra kafe, hapësirat për lexim e për organizim të ngjarjeve kulturore plotësojnë mozaikun e letërsisë.

Latif Mustafa, i cili drejton librarinë, ka thënë se interesimi i qytetarëve dhe presioni i shoqërisë nga Prishtina e Tirana janë prej faktorëve kryesorë që i kanë shtyrë ta hapin këtë biznes.

“Gjatë pandemisë ka pasur rritje të shitjes së librave. Momenti i tretë ka qenë Panairi i Librit në Shkup, ku shtandi i ‘Nobelit’ ka pasur më shumë shitje”, ka thënë ai. Sipas Mustafës, më herët në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ka pasur kafe-librari dhe aktualisht ka librari me libra shqip, por ofrojnë më shumë material shkollor.

“Tani ne kemi sjellë libra të mendimit shqiptar, pastaj klasikët botërorë, bestsellerët, libra për fëmijë, libra të psikologjisë e studime”, ka thënë ai, derisa ka shpjeguar përmbajtjen e këndeve të librarisë. Për shkak të pandemisë nuk ka pasur ndonjë hapje zyrtare në ditën e 25-të të janarit.

Image
Libraria “Nobel” në hyrjen jugore të Çarshisë së Shkupit është adresë e letërsisë shqipe, por edhe asaj botërore të përthyer në shqip

Libraria që mban emrin e çmimit prestigjioz që ndahet edhe për letërsi, gjatë fundjavave ka numër të shtuar të vizitorëve nga Kosova e Shqipëria. Drejtuesit synojnë që “Nobeli” të jetë një prej pikave kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Mustafa, i cili ka përfunduar studimet për filozofi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se me hapjen e librarisë mund të krahasohen kohët kur letërsia botërore lexohej në serbisht, kurse tash është e qasshme edhe në shqip.

“Besoj se do të rritet artikulimi në raportet tona njerëzore”, ka thënë ai.

Image
Latif Mustafa, i cili drejton librarinë, ka thënë se interesimi i qytetarëve dhe presioni i shoqërisë nga Prishtina e Tirana janë prej faktorëve kryesorë që i kanë shtyrë ta hapin këtë biznes

Kur një çift maqedonas i moshuar pyet për libra në gjuhën e tyre dhe merr përgjigjen se nuk ka të tillë, gruaja nuk mendohet shumë. “Qenka librari nacionaliste”, thotë ajo. E kur në sy i bie një vepër për historinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, prapë nuk mund të durohet pa folur.

“Nuk është historia ashtu siç shkruhet për të”, ka përfunduar ajo. Por, komentet e tilla nuk e shqetësojnë stafin. Qëllimi i tyre është që të rinjtë shqiptarë të kenë literaturë të bollshme.

“Të rinjtë e të rejat tona do të arrijnë më shumë njohuri. Kjo ndikon në të gjitha fushat e jetës. Ne kemi dëshirë që të hapen edhe më shumë librari, përse jo?”, ka thënë Mustafa, i cili udhëheq me stafin prej tre vetash.

Dizajnimi i hapësirave të brendshme u ka marrë goxha kohë. Por, ia kanë dalë që të kenë një ambient tërheqës.

Por, mbajtja gjallë e këtij biznesi, të paktën për fillim, nuk është e lehtë. Sfida e parë ishte bindja e pronarit të hapësirës për t’ia marrë me qira. Me zor i ishte mbushur mendja se një librari do të qëndronte gjatë aty. Qejfi i tij ishte që të zinte vend ndonjë restorant. Furnizimi me vepra mbetet sfidë më vete, për dallim prej librarive që mbajnë libra në gjuhen maqedonase. Përderisa shtëpitë botuese të Maqedonisë botojnë autorët maqedonas dhe angazhojnë përkthyes, librat shqip duhet të importohen.

“Ne shqiptarët këtu zemrën intelektuale e kemi në Kosovë dhe Shqipëri dhe librat vijnë nga atje. Libri ka taksë, doganë e maltretime me procedura. Sjellja e librit në kufi nuk dallon nga procedura e sjelljes së patateve”, ka treguar Mustafa. Sipas tij, taksat për libra janë absurde.

Ka thënë se duhet të largohen barrierat për gjëra që ndihmojnë në rritjen e shkathtësive të qytetarëve, pasi ajo mund të ndikojë në përmirësimin e shoqërisë dhe shtetit.

“Kur nuk jemi të aftë për ta bartur librin, çfarë tjetër mund të bartim”, ka thënë ai. Në muajin e parë, interesimi nga blerësit del të jetë goxha në nivel. Mustafa ka thënë se është impresionuese kur një nënë vjen në librari dy a tri herë brenda muajit për të marrë literaturë për fëmijë. Studentët përbëjnë pjesën tjetër të blerësve që frekuentojnë më së shpeshti librarinë. Çmimet janë të përafërta me ato të Tiranës e Prishtinës. Dallimet mund të jenë krejt të vogla.

Por, përtej çmimeve e telasheve me furnizim, “Nobeli” i ka të qarta synimet.

“Ideja ka qenë që, përpos shitjes së librit, të krijomë një klub ku njerëzit vijnë dhe shprehen. Tash veç kemi klube leximi”, ka thënë Mustafa, i cili duket energjik dhe ambicioz në synimet e tij. Krejt ata që vizitojnë Shkupin dhe Çarshinë tashmë kanë një adresë të re kulturore. E ndikimi i saj pritet të jetë i madh. Të paktën ashtu duket në atë që kanë parë pronarët muajin e parë.