Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Njeri ish ma i fortë se guri” midis thyerjes dhe shpresës

Me fraza të shkurtra të shkëputura nga narracionet e grave të dhunuara gjatë luftës flitet shumë. Mesazhin e përforcojnë edhe më gurët, të cilët janë të vendosur përkrah rrëfimit të secilës. Janë marrë nga vende të ndryshme të Kosovës, për të treguar se plaga është e shtrirë në gjithë vendin. Por, ato dalin përtej të qenët objekt në ekspozitën “Njeri ish ma i fortë se guri”

Janë gjithsej 11 vepra artistike. Por rrëfimet prej tyre, dalin përtej kufizimit në numra. Në secilën ndalje në muret e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës, vizitorët bartin më vete një shkëndijë dhimbjeje që sa vjen e rritet. E përbashkëta e të gjithave janë trauma dhe tmerri i përjetuar. Por, secili rrëfim është më i trishtë në mënyrën e vet. Dikush tregon për mënyrën se si është kapur nga ushtarët serbë me dhunë, tjetri për përballjen me gratë e tjera, e dikush edhe për ndjesinë e të qenët e mbijetuar e dhunës seksuale.

Me fraza të shkurtra të shkëputura nga narracionet e tyre flitet shumë. Mesazhin e përforcojnë edhe më shumë gurët, të cilët janë të vendosur përkrah rrëfimit të secilës. Janë marrë nga vende të ndryshme të Kosovës, për të treguar se plaga është e shtrirë në të gjithë vendin. Por, ato dalin përtej të qenët objekt në ekspozitën “Njeri ish ma i fortë se guri”. Bashkë me xhamat e krisur në të cilët janë të vendosur, ato qëndrojnë mes simbolikës së thyerjes shpirtërore të të mbijetuarave dhe fuqisë së tyre prej guri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“...na murrën i ndajtën çikat, besa ka pasë edhe grue që i ka pasë 65 vjet, ka pasë edhe gra shtatëzana e na kanë çu mas shkolle”, “N’jetë se harroj se na ka pi gjakun me pamuk. E çka ma. A ka drejtësi n’botë prej nojkujna n’dyje”, “Eci, dal, thom, ‘O Zot pse po jetoj?’, janë veç disa fraza nga rrëfimet të cilat u shpalosën në ekspozitën e Brikena Shabanit, e hapur mbrëmjen e së premtes. Ato janë marrë nga libri “Unë dua të dëgjohem”, i cili sjell dhjetë rrëfime të të mbijetuarave.

Në ekspozitën mbi traumën dhe kujtesën e dhunës seksuale në luftë ato vijnë në formën e punimeve artistike dhe librit, të kuruara nga Korab Krasniqi. Por, njëri nga punimet është i zbrazët. Nuk ka rrëfim, por vetëm gur e xham të thyer. Aty buçet heshtja e grave, të cilat të stigmatizuara nga shoqëria, e mbyllin dhimbjen në vete.

“Njeriu është përnime ma i fortë se guri bashkë me krejt rrëfimin që ato e kanë përjetuar”, ka thënë për KOHËN Brikena Shabani, e cila që në vitin 2017 kishte nisur të mendonte për këtë ekspozitë, që në përballjen e parë me librin “Unë dua të dëgjohem”.

“Arsyeja pse kemi përdorur gur është se njëjtë qysh është i fortë, ashtu kanë qenë gratë. Njëjtë qysh thyhet janë thyer edhe gratë nga trauma e dhuna e përjetuar”, ka shtuar ajo tek ka nënvizuar se sërish ato kanë vlerë të madhe.

Për 20 mijë personat e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka thënë se i kanë përzgjedhur rrëfimet ku tregojnë për dhimbjen e tyre, gjendjen emocionale dhe ku kërkojnë drejtësi.

“Njëri nga rrëfimet është i zbrazët ku ideja është se ka plot gra që nuk e kanë treguar rrëfimin e vet”, ka thënë Shabani, e cila edhe kishte bërë dizajnimin e “Unë dua të dëgjohem”.

“Ideja e xhamit të krisur është thirrja për drejtësi. Qëllimi i kësaj ekspozite është me vu në pah traumën që e kanë kaluar gratë, mos me kalua në harresë”, përfundon autorja e ekspozitës.

Image

Secili rrëfim është më i trishtë në mënyrën e vet. Dikush tregon për mënyrën se si është kapur nga ushtarët serbë me dhunë, tjetri për përballjen me gratë e tjera, e dikush edhe për ndjesinë e të qenët e mbijetuar e dhunës seksuale

Përgjatë kohës sa të pranishmit lëviznin në hapësirën e lapidariumit duke i parë punimet, gjatë tërë kohës dëgjohej një zhurmë.

“Janë audio-incizimet e grumbulluara nga hapësirat publike me idenë që koha megjithatë po shkon e rrëfimet janë aty. Gratë po vazhdojnë të jetojnë me po atë dhimbje”, u shpreh për KOHËN kuratori Korab Krasniqi, i cili shton se procesi kuratorial e ka bërë që të frymojë me këto rrëfime.

“Në kontekstin simbolik e shohim se ekziston një krisje, plasaritje e gurit që simbolizon rëndësinë e vendit, tokës ku jetojmë. I tregon traumën, dramën, thyerjen gjatë viteve ‘90”, vazhdon tutje ai. “Kur flasin gratë për atë çfarë kanë përjetuar përdorin ideoma, thonë se njeriu çka s’po përjetojke”.

Kryeministri Albin Kurti përgjatë fjalimit në ceremoninë hapëse tha se “vetëm duke diskutuar hapur dhe çiltër do të mund të ndihmojmë ripozicionimin e narrativës për dhunën seksuale”.

“Për vite me radhë kjo temë ka qenë tabu, akoma vazhdon megjithatë më e pakta që mund të bëjmë është që të flasim hapur me ta, jo për ta. Konsideroj që ekspozita sjell pikërisht atë që duhet përmes rrëfimeve autentike, trajton stigmën e margjinalizimin, e në anën tjetër shpresën, qëndrueshmërinë, dëshirën për jetë”, përfundoi Kurti.

Regjisori Fadil Hysaj ka thënë se meqë s’është ditur të mbrohen gratë nga dhunimi gjatë luftës, trajtimi i mirë gjatë paqes ka qenë i domosdoshëm.

“Është një trajtim i jashtëzakonshëm stilistik, përmbajtjesor e artistik. Është figura më e duhur për trajtimin e kësaj teme, është i fortë guri, por edhe ai thyhet”, ka thënë ai për KOHËN. “Ne si popull nuk kemi mundur të jepnim trajtim të mirë moral e historik pjesën më tragjike të popullit tonë, që një herë ka pësuar kur ka ndodhur kjo tragjedi dhe mësimi më i madh është kur nuk kanë arritur të gjejnë hapësirën e duhur dhe janë trajtuar si viktima”, ka thënë ai. Sipas Hysajt, “trajtimi joadekuat i viktimave të kësaj kategorie është një test moral. “Të cilën ne nuk e kemi kaluar si popull”, ka thënë ai.

Ekspozita “Njeri ish ma i fortë se guri” është organizuar nga forumi ZDF, programi në Kosovë, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës dhe në mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.