Kulturë

Njerëz prej zinxhirëve në luftë për fron e përballë robërisë

Ka zgjedhur ngjyrat bardhezi. Vetëm në një rast ka bërë përjashtim duke përdorur ngjyrën e arit. E tillë është pamja e karriges që në njëfarë mënyre simbolizon pushtetin. Artisti Eroll Murati është tepër direkt me atë që paraqet. Egoistët që kanë për synim pushtetin janë të zinjtë. E pjesa tjetër, njerëzit e zakonshëm. Nga një perspektivë, personazhet e skulptorit mund të shihen edhe si politikanë e qytetarë. Dallohen qartë në bazë të ngjyrave e pozicioneve që kanë brenda ekspozitës “Skulptura në hapësirë”, që është hapur të hënën në sheshin “Skënderbeu”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Personazhet janë të mbështjellë me zinxhirë.

Nëpërmjet tyre bëhet edhe tërheqja e karriges ngjyrë ari. Janë dy pushtetarë që luftojnë me njëri-tjetrin për fron. Cikli vazhdon me pushtetarin e qytetarin. I pari e tërheq me zinxhirë të dytin. Kjo marrëdhënie zbërthehet thjesht përmes një imazhi që flet shumë. Njeriu i zakonshëm është peng i egoistit. E triptiku plotësohet përmes një qytetari, i cili është i lidhur me zinxhirë e nuk ka mundësi që të lëvizë duart. Interpretimet mund të jenë të llojllojshme. Nëpërmjet ekspozitës, që nuk kishte ceremoni zyrtare të hapjes, Murati e ka ftuar publikun t’i shohë skulpturat që pasqyrojnë robërimin e njerëzve të ndershëm, por edhe një robërim të vetvetes nga ata që udhëheqin ose urdhërojnë.

Ka shmangur galeritë dhe skulpturat i ka përballur me njerëzit e zakonshëm në një prej hapësirave më të frekuentuara në kryeqytet, që në sfond ka objektin e Qeverisë.

“Kam dashur të paraqes me ndryshe këtë ekspozitë pasi që këtë formë të artit jemi mësuar të shohim vetëm mes katër mureve të ndonjë galerie. Anoj nga modernia dhe skulpturat që janë këtu sikur e zhvillojnë një luftë për fron, pra një përballje të ashpër për një karrige. Inatet dhe robëria janë pjesa tjetër që paraqiten në këto skulptura”, ka shpjeguar artisti Murati.

Skulpturat që ai i ka mbështjellë me zinxhir tregojnë të kundërtën e njëra-tjetrës. Zinxhirët i ka përdorur si metaforë për robëri.

“Zinxhirët në trupin e këtyre personave anonimë janë me të bardhë dhe të zezë. Ata që janë me ngjyrë të bardhë simbolizojnë njerëzit pozitivë, kurse këta në të zeza janë për personat me veti negative”, ka sqaruar Murati. Në konceptin e tij, vepra si tërësi brenda saj shpalos një luftë.

Pesë vjet ka thënë t’i janë dashur artistit nga Prishtina që ta rrumbullakojë idenë e tij për këtë ekspozitë në ambient të hapur. Me këtë temë është marrë edhe më herët.

“Unë gjatë këtyre viteve bëj përpjekje që ta krijoj një ekspozitë të tillë. Ngjashëm me një si kjo kam diplomuar dhe kam marrë titullin master në Fakultetin e Arteve, në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë ai.

Rëndësia e skulpturës në hapësirë, sipas Zeni Balazhit, kurator në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është në raport ndërmjet objektit si skulpturë dhe hapësirës si ambient.

“Hapësira kërkohet në bazë të konceptit ideor të skulpturës në tërësi dhe caktohet vendi i përshtatshëm për vendosjen e objektit në përmasa ambientale”, citohet Ballazhi në tekstin ku jepen të dhëna për ekspozitën.

Sipas skulptorit Eroll Murati, ekspozita do të jetë e hapur deri në ditën e 25-të të këtij muaji. Ai do të jetë atypari që të bisedojë me qytetarët sa i përket triptikut të tij. Murati ka sqaruar se interesimi i qytetarëve në ditën e parë ishte mjaft i madh. E ka lënë opsionin e hapur sa i përket ekspozimit në ndonjë qytet tjetër pos Prishtinës.

“Nëse ka interesim nëpër qytet e tjera, atëherë do ta dërgojmë ekspozitën”, ka thënë ai.

Murati ekspozitën e parë personale e kishte hapur më 2014 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. Asokohe nëpërmjet dhjetë veprave ai ishte paraqitur me ekspozitën “Sakrifica”. Katër skulptura e gjashtë fotografi të vendosura në korniza 160 vjet të vjetra ishin pjesë e “menysë” së Muratit.

“Kam dashur t’i lë qytetarët që vetë t’u vënë koncepte veprave”, kishte thënë ai. Përmes poçeve të thyera elektrike ai kishte provokuar audiencën me pamje të formës së poçeve të thyera e po ashtu edhe të fotografuara. Kishte thënë se në Kosovë nuk është e lehtë të jesh artist. E të hënën në Prishtinë përmes ekspozitës së re ka shkuar edhe më tej. Ka treguar se në vendlindjen e tij nuk është e lehtë të jetojnë njerëzit e ndershëm.