Kulturë

“Një shqiptar në CIA” zbardh misionin e dështuar kundër Enver Hoxhës

I lindur në fshatin Billushë të Prizrenit, Destan Berisha është emër fort pak i njohur për publikun.

Rrallëkush ka dëgjuar për të. Por jeta e Berishës deshifrohet në detaje në librin “Një shqiptar në CIA” me nëntitull “Dy jetët e Destan Berishës”.

Pos zbardhjes së jetës së Berishës, ish-gazetarit e tash këshilltarit të Qeverisë së Kosovës, Bashmir Xhemaj, ky personazh i ka hyrë në punë për të deshifruar saktë një alamet operacioni, shkruan sot Koha Ditore.

Atë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit Amerikan, CIA, që në vitet ’50 kishte vendosur që t’i jepte fund regjimit komunist në Shqipëri. Berisha do të bëhej një prej agjentëve që tri herë do të hidhej me parashutë në Shqipëri. Megjithëse operacioni kishte dështuar, libri hedh dritë për tentimin shtetit më të fuqishëm të botës që të rrëzojë pushtetin e Enver Hoxhës. I ndarë në 11 kapituj, libri përcjell në detaje çdo hap të Berishës, e lëvizjet e tij në një periudhë janë edhe lëvizje të CIA-s në raport me komunizmin në Shqipëri dhe përtej saj.

Dosja personale e Berishës në CIA përmban 290 faqe, të cilët janë edhe materiali bazik i autorit Xhemaj për të shkruar librin për të cilin ka hulumtuar katër vjet. Intervistat e shumta, hulumtimi i disa arkivave shtetërore e personale kanë bërë që Xhemaj, duke zënë fill te Berisha, t’u japë përgjigje shumë pyetjeve për operacionin amerikan në Shqipëri. Në promovimin e librit, të mërkurën mbrëma në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, filozofi, kritiku i artit e publicisti, Shkëlzen Maliqi, në cilësinë e bashkëredaktorit me akademik Eqrem Bashën, ka thënë se bëhet fjalë për një vepër në të cilën s’kanë pasur çka të redaktojnë.

Ka thënë se thjesht e kanë lexuar librin me kënaqësi, sepse u ka shkuar si produkt pak a shumë i gatshëm.....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")