Kulturë

Nisin punimet në katër ndërtesa në rrugën “Marin Barleti” në Prizren

Projekti madhor për rivitalizimin e tërësishëm të rrugës “Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit pritet që të fillojë brenda këtij viti. Aktualisht me financimin e Ministrisë së Kulturës, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka nisur punët në katër ndërtesa për restaurim e ndërhyrje emergjente. Këto angazhime po mbështeten edhe nga Komuna e Prizrenit

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programit për masa preventive – ndërhyrje emergjente që financohet nga Ministria e Kulturës- ka filluar punët në katër projekte në rrugën “Marin Barleti”. Realizimi i tyre pritet të jetë ndihmesë për jetësimin e projektit madhor për rivitalizimin e kësaj rruge, i cili ishte iniciuar vite më parë nga disa akterë pas vdekjes së një vajze si pasojë e rrëzimit të një shtëpie të vjetër.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka bërë të ditur se këto projekte parashohin restaurimin e pjesshëm të dy ndërtesave dhe ndërhyrje emergjente në dy të tjera.

“Janë dy projekte të restaurimit të pjesshëm të ndërtesave që gjenden në këtë rrugë dhe dy ndërhyrje emergjente në dy ndërtesa, gjendja e të cilave ka qenë jashtëzakonisht e rënduar si rezultat i shumë faktorëve, moskujdesit, faktorit atmosferik, dhe do të vendosen shtyllat mbajtëse, do të bëhet përforcimi i tyre dhe më pas zyrtarët tanë do të qasen për të hartuar edhe projektin zbatues”, ka thënë Hoxha.

Angazhimet në këtë drejtim po mbështeten edhe nga Komuna e Prizrenit. Zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Jona Hoxhaj, ka pohuar se projekti për rrugën “Marin Barleti” i iniciuar vite më parë nga MKRS-ja është i rëndësishëm, por se ka pasur paksa ngecje në procedura dhe se pushteti lokal është angazhuar për të dhënë kontribut për jetësimin e tij.

“Kemi filluar, kemi nxjerrë një vendim për të paguar qiratë për dy familje që kanë qenë aty dhe nuk ka pasur mundësi se si me i aloku diku tjetër. Dhe kjo ka qenë mundësia më e mirë që ata gjatë kohës së punimeve të kenë mbështetje nga Komuna për të jetuar në një vend me qira derisa rruga të rivitalizohet”, ka deklaruar Hoxhaj.

Drejtori i QRTK-së ka theksuar se gjatë këtyre viteve sfidat kanë qenë të shumta, por se me bashkëpunimin e hisedarëve janë tejkaluar ato. Madje ka vlerësuar se metodologjia e aplikuar për sigurimin e gjithëpërfshirjes mund të shërbejë si model edhe për projektet në komunat e tjera.

“Tani i kemi tejkaluar të gjitha këto vështirësi dhe të gjitha këto faza dhe ne po presim që brenda pak muajsh të fillojë zbatimi komplet i projektit”, është shprehur Hoxha.

Ai ka pranuar se inicimi i hartimit të një projekti të ndërlikuar për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” është bërë si rezultat i rrethanave të krijuara nga fatkeqësia që kishte ndodhur disa vjet më parë në këtë rrugë, gjë që pati mobilizuar akterët e shoqërisë civile dhe institucionet për të ideuar një plan për ndërhyrje në këtë rrugë. Dhe kjo nismë kishte mundësuar që në maj të vitit 2018 të nënshkruhej letra e marrëveshjes për hartimin e planit për rivitalizimin dhe integrimin socio-ekonomik të komunitetit lokal në rrugën “Marin Barleti” në Prizren ndërmjet MKRS-së, Zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësuesit special të BE-së, Komunës së Prizrenit, Ambasadës britanike në Prishtinë dhe OJQ-së “EC Ma Ndryshe”.

Rruga “Marin Barleti” gjendet në kuadër të kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, që është pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme, si dhe është pjesë integrale e zonës historike.

Kjo rrugë, sipas një raporti të QRTK-së të vitit 2019, përmban vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku trashëgimia arkitektonike është e ndërlidhur me ambientin rrethues. Përgjatë rrugës gjenden rreth 24 ndërtesa me fasadë të orientuar nga rruga, derisa Kisha e Shën Gjergjit gjendet në pjesën veriperëndimore, kurse Xhamia e Sinan Pashës në pjesën lindore, duke pasuruar diversitetin e trashëgimisë kulturore në këtë zonë. Aty theksohet se një numër i ndërtesave janë të braktisura dhe të pabanuara dhe se janë në gjendje të keqe fizike, me ç’rast mungesa e mirëmbajtjes, mungesa e ndërhyrjeve konservuese dhe hapësirat e braktisura kanë krijuar rreziqe për banorët dhe kalimtarët. Me rivitalizimin e kësaj rruge këto rreziqe synohen të eliminohen dhe njëherësh të realizohet integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal.